Lugina e Preshevës midis "patriotizmit" verbal dhe pragmatizmit politik
Zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016 të Serbisë, sollën ndryshime radikale në Luginë të Preshevës.Ky ndryshim konsiston jo vetëm në ndryshimin e klaneve të pushtetmbajtësve lokalë, por paraqet edhe përmbysje të kakofonisë politike, zhurmëmadhe e shurdhuese të biznespolitikës në Preshevë e Bujanoc, që ditën trumpetonte patriotizëm, kurse natën hartonin e kurdisnin plane me kumbarët e tyre politikë të pushtetmbajtësve antishqiptarë të Serbisë.Kjo simbiozë e veprimit politik në "dy binarë", në fakt ishte ogur i zi dhe paraqiste realisht mallkim të pafund, që mbështetej në instrukcionet sekrete të qarqeve serbe dhe joshte politikanët shqipfolës të Luginës së Preshevës për realizimin e Planit Sekret të Qeverisë së Serbisë pas përfundimit të konfliktit të armatosur të UÇPMB-së dhe Marrëveshjes së Konçulit, në vitin 2002.
Pikërisht, kjo ishte koha kur Serbisë i nevoitej performansa politikbërëse shqiptare në Luginë, që publikisht do të proklamonte kinse "program shqiptar", që do dukej nga jashtë si program nacionalist shqiptar "radikal", mundësisht të dukej sa më antiserb: për ndarjen e Kosovës, me motivacion kinse për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Kjo ishte një formulë brilante për krijimin e hutisë dhe mjegullnajës dhe joshjes politike tek një pjesë e konsiderueshme e votuesve shqiptarë, për realizimin e strategjisë së Qeverisë së Serbisë për ndarjen e Kosovës, dmth të veriut të Kosovës dhe "shkëmbimit të territoreve" me Luginën e Preshevës.
Autor i kësaj ideje ishte kryeministri i atëhershëm i Serbisë, pasuesi i Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiqi, i cili këtë "propozim" të tij e shtroi edhe në Dialogun Kosovë-Serbi, që atëbotë udhëhiqej nga baronesha Catherine Ashton, në Bruksel.
Kurse, protagonist shqiptar i kësaj ideje serbomadhe ishte PDSH e Ragmi Mustafës me satelitët e vet politikë: BDL-në e Skender Destanit, me RD-në e Ramiz Latifit dhe me për një kohë të shkurtër edhe me partinë e "luftës" të Orhan Rexhepit, në Preshevë.
Kurse, në Bujanoc eksponentë të saj ishin PD e Nagip Arifit dhe partia e "luftës", PPD e Jonuz Musliut.
Pra, Lugina e Preshevës për një kohë të gjatë i ishte ekspozuar djallëzisë së tmerrëshme antishqiptare të Serbisë, që shfrytëzonte dhe manipulonte ndjenjat dhe synimet patriotike të shqiptarve, me performansën dhe bashkëpunimin sekret të politikbërësve shqipfolës të Luginës së Preshevës, që shpërbleheshin me kredi të buta, grante e mbështetje ekonomike e financiare nga Serbia për firmat sponzoruese të kësaj politike makabre.
Si pasojë e drejtëpërdrejtë e kësaj politike antishqiptare të Qeverisë së Serbisë, bizneset e shqiptarve në Preshevë dhe Bujanoc u shkatërruan pothuajse plotësisht, kurse firmat sponzoruese të PDSH-së së Ragmi Mustafës dhe Nagip Arifit me satelitët e tyre, jo vetëm që mbijetuan, por ato u forcuan e u rritën radikalisht.
Praktikisht, të gjitha shpresat e shqiptarve të Luginës së Preshevës u shuan dhe filloi ekzodi marramendës i tyre, duke i lënë shkret pronat, pasuritë dha varret e stërgjyshërve të vet.
Shpresat e shqiptarve të Luginës, sikur kanë filluar të kthehen me fitoren e forcave të reja politike dhe me përmbysjen e kësaj politike makabre antishqiptare në Preshevë e Bujanoc, që manipulonte tmerrësisht me ndjenjat patriotike të shqiptarve, që me djallëzi i vente në interes të platformës politike antishqiptare të Serbisë, me qëllim të pasurimit të tyre të paligjshëm e mafoz.
Ata për këtë qëllim shpikën e kurdisën një mori skandalesh politike në dëm të shqiptarve dhe për interesa të Serbisë, si dhe mohuan bashkëpunimin e mirëfilltë e vëllazëror me Kosovën e Shqipërinë dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë.
Takimet e lidershipit të ri të shqiptarve të Luginës së Preshevës më 13 tetor 2016, në Beograd me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe më 14 tetor 2016, në takimin e tyre të përbashkët me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me atë të Shqipërisë, Edi Ramën, saktësisht dy vjet pas hedhjes së "dronit" famoz në mdeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd, u dakorduan për zgjidhjen e shumë problemeve të tyre, si psh për lejimin e teksteve mësimore nga Shqipëria, të Kembrixhit dhe Oksfordit, në gjuhën shqipe, për nxënësit shqiptarë të Luginës, si dhe u arrit marrëveshja që Qeveria e Serbisë t'i lejoj donacionet e huaja për Luginën, duke u obliguar që të merr pjesë me 50% të vlerës respektive.
Fillimisht, Qeveria e Serbisë do e mbështesë donacionin e Gjermanisë prej 100.000 (njëqind mijë) eurosh për renovimin e sallës së edukatës fizike në Shkollën fillore "Ibrahim Kelmendi " në Preshevë. Kjo shumë paraqet dyfishin e ndihmës së Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për Maternitetin në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë.
Presim që edhe Turqia ta ndihmoj Luginën me grante e donacione dhe me investime të rëndësishme, që u biseduan në takimin e Zëvendëskryetarit të Komunës së Preshevës, Xhelal Mehmetit me Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan.
Pra, në këto takime u shënua një kthesë radikale, që është rezultat edhe i frymës së re të politikës shqiptare të Luginës së Preshevës, duke iu qasur me sinqeritet e devotshmëri dhe transparencë të plotë, pa kalkulime e pa takime sekrete e të dyshimta me qarqet antishqiptare të Serbisë për përfitime personale, siç veprohej deri më tani.
Andaj, të gjithë shqiptarve të Luginës së Preshevës i përgëzojmë për këto suksese politike, praktike e jo verbale, që do t'ua kthejnë shpresën për një jetë më të mirë, më të dinjitetëshme e më të begatëshme në këtë pjesë të gjeografisë gjithëshqiptare.
Sepse, kësaj radhe, për herë të parë në histori, nga goja e një kryeministri të Serbisë u tha se"Shqiptarët dhe Serbët janë dy kombet më të mëdha në Ballkan"!
Prandaj, definitivisht edhe Serbisë i është e qartë se ardhmëria e kësaj pjese të Europës nuk mund të merret me mend pa respektimin e vullnetit politik dhe interesave reale të Shqiptarve!
Shkruar nga Nehat Hseni-Preshevë;
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-TITULLI