“Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë”, plagjiaturë ?!
Libri i sapo promovuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë përballet me kritikat e para edhe ate për plagjiaturë. Libri “Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë” i promovuar më 26 tetor në sallën e Kuvendit Komunal në Preshevë, edhe pse është vlerësuar nga kritikët, në te janë gjetur edhe materiale të cilët autorët nga Lugina dëshmojnë se janë marrë nga botimet e tyre të mëhershme. I tillë ka qenë rasti me autorin e librit “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë” i Emrullah Lutfiut nga Tërnoci, i cili përmes një reagimi dëshmon pjesët e marra nga botim i tij i muajit maj të vitit 2011, e të cilat janë botuar në librin e sapo promovuar “Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë”. “Autori i këtij artikulli, në asnjë moment dhe me asnjë fusnotë nuk e cekë se shënimet janë marrë nga ky libër. Andaj i bëj me dije lexuesit e këtij reagimi, se autori në fjalë ka bërë shkelje të të drejtës së autorit, e cila sipas ligjeve pozitive të çdo shteti është e dënueshme dhe shkelje të moralit dhe etikës intelektuale dhe njerëzore”, thuhet në reagimin e lëshuar të autorit të dëmtuar, Emrullah Lutfiut. Ai metëj thekson se libri në fjalë i ka marrë shënimet direkt nga botimi i tij dhe me pak ndryshime, ose në tërësi i ka bartë në librin “Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë”, pa dijen dhe lejen e tij. Më poshtë në mënyrë kronologjike është i paraqitur reagimi i plotë i autorit Emrullah Lutfiu që akuzon për plagjiaturë autorët e libri “Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë”./Titulli.com/ ********************************************************************************************************************************* Reagim ndaj piraterisë në librin:“LUGINA E PRESHEVËS MBUROJË E SHQIPTARISË”
(DITAR KRONOLOGJIK GJATË PERIUDHËS SË UÇPMB-së 1999-2002) Prishtinë 2011
Nga punimet e Simpoziumit shkencor të mbajtur në Preshevë, më 23-24 nëntor 2012, doli në dritë, Libri “Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë” , një libër i mrekullueshëm në përjashtim të një artikulli dhjetëfaqësh të botuar në këtë libër nga autori Sali Salihu- profesor i historisë. Promovimi i këtij libri i punuar nga bashkautorët pjesëmarrës të simpoziumit dhe i botuar në “Vranjske” – Vranjë më 2013, u bë në sallën e Kuvendit Komunal në Preshevë, të shtunën, më 26.10.2013, prej orës 12. Secili autor apo grup autorësh të një artikulli, punimi shkencor, libri, enciklopedie etj., mbështetet në punime të ndryshme, në libra të ndryshëm, e pohon ose e mohon, pajtohet ose e kundërshton me argumente, dhe këto shënime autori i regjistron me fusnotë, duke cituar librin ku mbështetet, faqen, rreshtin, vitin e botimit, shtëpinë botuese dhe emrin e autorit. Libri “Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë” i botuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore me seli në Preshevë, në brendinë e saj, përkatësisht në faqen 273-282 përmban edhe artikullin (kumtesë, kjo e paraqitur në simpoziumin që përmenda më lart) me titull: Mobilizimi i të rinjve Tërnocas në kohën e luftës në Kosovë- provokim i rëndë për Tërnocin, me autor Sali Salihun, e që, pos hyrjes së punimit (faqe 273, 274) dhe faqes së fundit: 282) të cilat janë të këtij autori, pjesa tjetër e këtij artikulli dhjetëfaqësh, me shumë pak ndryshime, është huazuar, për të mos thënë është vjedh nga libri: “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë”, e autorit Emrullah Lutfiu”, Prishtinë, Maj 2011, e që sipas meje përbën një plagjiaturë. Autori i këtij artikulli, në asnjë moment dhe me asnjë fusnotë nuk e cekë se shënimet janë marrë nga ky libër. Andaj i bëj me dije lexuesit e këtij reagimi, se autori në fjalë ka bërë shkelje të të drejtës së autorit, e cila sipas ligjeve pozitive të çdo shteti është e dënueshme dhe shkelje të moralit dhe etikës intelektuale dhe njerëzore. Këtu po i cekim vetëm disa raste që autori në fjalë i ka marrë shënimet direkt nga libri “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë” dhe me pak ndryshime ose në tërësi i ka bartë në librin “Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë”, pa dijen dhe lejen e autorit, përkatësisht shkruesit të këtyre rreshtave të këtij reagimi, e që jam unë Emrullah Lutfiu. I. Libri: “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë” E enjte, 01.04.1999, titulli i artikullit Bastisja e Tërnocit nga ushtria Jugosllave – “Tërnoci në sandviç” faqe 45, rreshti 8-17 thotë: Rreth orës 07.00 filloi bastisja ... Ushtarët dhe policia sipas dëshmitarëve, në fillim ishin shumë agresiv ndaj banorëve, ku shumë qytetarë janë rrahë dhe maltretuar. Duke shkuar në brendi të fshatit, duke i parë sjelljet, shumë civilizuese dhe shumë korrekte të banorëve, duke i ofruar ushqim dhe pije atyre që bënin bastisjen, edhe sjelljet e ushtarëve dhe policëve ishin zbutur dhe kishte vazhduar kontrollimi cik-cak i shtëpive. Gjatë bastisjes, në shumë shtëpi ushtarët dhe policët kishin marrë gjësende të vlefshme, si: para, ari, Video-Kamera, Telefona mobil dhe gjëra të tjera të vlefshme. Në hyrje të fshatit nga drejtimi i Bujanocit, vëllezërve Ridvan dhe Qenan Ymerit, ia kishin vrarë qentë që ishin të lidhur në oborrin e shtëpive të tyre, në momentin kur ata ishin të vendosur tek të afërmit në brendi të fshatit. Derisa në fshat po bëhej bastisja, policia serbe të përcjellë nga UJ kishin marr peng rreth 20 fshatarë dhe me duar lidhur me kamion ishin dërguar në oborrin e një depoje të materialit ndërtimor në Bujanoc të një pronari serb, përball ndërmarrjes “Integrall” afër urës në rrugën magjistrale Bujanoc-Vranjë. “Të gjithëve na morën dokumentacionet, paratë dhe gjithçka që kishim nëpër xhepa dhe i futën në një thes. Aty jemi marrë në pyetje një nga një, na kanë rrahë, fyer në baza nacionale dhe me duar të lidhura jemi mbajt nga ora 8 e deri kur kishte përfunduar bastisja në fshat” thotë njëri nga ata që kishin përjetuar këtë tmerr ... Artikulli “Mobilizimi i të rinjve Tërnocas në Kohën e luftës në Kosovë-provokim i rëndë për Tërnocin” i autorit Sali Salihu Në faqe 275, rreshti 24-39 të autorit në fjalë thuhet: Me një prill filloi bastisja e fshatit në ora 7.oo të mëngjesit, në fillim ushtarët dhe paramilitarët bashkë me policinë vendore ishin shumë agresiv dhe bastisja bëhej shtëpi për shtëpi duke demoluar dyer dhe dritare të shtëpive dhe duke marr me vete sende të vlefshme si ari, argjend, video kamera, telefona mobil etj. posa hynë në fshat vranë qentë e disa familjeve në oborr e tyre .... Deri sa në fshat po kryhej bastisja, policia serbe e përcjellë nga ushtria, kishin marr peng mbi 20 fshatarë dhe i kishin dërguan në oborrin e një depoje me material ndërtimorë në Bujanoc tek një pronar serb, përball ndërmarrjes “Integrall”. Këtyre iu morën dokumentacionet, paratë dhe çdo gjë që kishin nëpër xhepa dhe i futën në një thes. II. Libri: “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë” faqe. 46. Rreshti 16. Bastisja përfundoi rreth orës 17.00, ndërsa me të përfunduar të këtij aksioni, u bë një gjuajtje në ajër, e koordinuar nga të gjitha forcat ushtarake dhe policore që e rrethonin fshatin Artikulli “Mobilizimi i të rinjve Tërnocas në Kohën e luftës në Kosovë-provokim i rëndë për Tërnocin” i autorit Sali Salihu, faqe 275 rreshti 37. Bastisja përfundoi aty nga ora 17, ndërsa kur u bindën se nuk mundë të gjenin ndonjë shkas, atëherë ata me të gjitha armët që posedonin filluan të shkrepin në ajër mbi Tërnoc ... III. Libri: “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë” E premte, 23.04.1999 fq. 55. titulli i artikullit: Dëbimi masiv i banorëve të Tërnocit nga shtëpitë e tyre dhe bastisja e dytë me radhë Me të përfunduar bastisja në Bujanoc, rreth orës 16,50, UJ kishte bllokuar të gjitha rrugët e Tërnocit ... Në rreshtin 28. - Rreth orës 18,00 të gjithë qytetarët e Tërnocit- gra, fëmijë, të sëmurë në shtrat, invalid me karroca të invalidëve, pleq të shtyrë në moshë që nuk mundë të ecnin ..., fq. 57 rreshti 1., nga ky maltretim nuk u kursyen as lehonat që posa kishin lindur në shtëpi apo në spital, që së bashku me bebet e tyre ishin detyruar të dalin në vendin e tmerrit me orë të tëra në shi. Artikulli “Mobilizimi i të rinjve Tërnocas në Kohën e luftës në Kosovë - provokim i rëndë për Tërnocin” i autorit Sali Salihu Fq. 276, rreshti 25-28 Me 23 prill u bë dëbimi i qytetarëve të fshatit Tërnoc rreth orës 17.oo ... Dëbimi ishte bërë pa dallim nga mosha dhe gjinia, aty nuk u kursyen as të sëmurët, dhe as të paralizuarit, gjithashtu edhe nënat shtatzëna dhe nënat me fëmijët e porsalindur... IV. Libri: “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë” E shtunë, 24.04.1999, titulli i artikullit: Ftesa për mobilizimin e të rinjve të Tërnocit në ushtrinë serbe, Provokimi i tretë me radhë, faqe 62, rreshti 3-6, faqe 63, rreshti 1-9: Kulmi i provokimeve u arrit ditën e sotme, kur nga Sekretariati i mbrojtjes popullore në Bujanoc, ishin dërguar në zyrën e vendit në Tërnoc, aty ku po punoja si shef i zyrës së vendit, 145 ftesa për mobilizimin e të rinjve të Tërnocit në ushtrinë serbe, të gjithë të lindur prej vitit 1964-1972 ... nga lista e të ftuarve 56 të rinj nuk ishin në Tërnoc, meqë ishin me punë në botën e jashtme. Titulli i ftesës ishte. Отаџбина те зове (Atdheu të thërret). Në listën e të ftuarve ishte edhe Kryetari i bashkësisë islame në Bujanoc dhe imami i Xhamisë së “Terzive” Nexhmedin Saqipi nga Tërnoci. Artikulli “Mobilizimi i të rinjve Tërnocas në Kohën e luftës në Kosovë-provokim i rëndë për Tërnocin” i autorit Sali Salihu, faqe 277, rreshti 1-9 Me 24 prill është bërë ftesa për mobilizim të dhunshëm për 145 të rinjve tërnocas edhe atë të lindur në vitin 1964-1972. Ky ishte kulminacioni i të gjitha provokimeve. Nga kjo listë 56 të rinj ishin përkohësisht në botën e jashtme .... Titulli i ftesës ishte: “Otaxhbina te zove”, (Atdheu të thërret).... në listë ishte ftuar edhe imami i xhamisë të lagjes Gash z. Nexhmedin Saqipi ... V. Libri: “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë”, faqe 64, rreshti 7-19 Në kohën kur të mobilizuarit u stacionuan në këtë vend, nuk ishte prezent asnjë eprorë i UJ apo ndonjë ushtar. Pas më shumë se një orë pritje, arritën nga sekretariati i mbrojtjes civile dhe territoriale të Bujanocit dy referentë, Srgjan Gorgjeviq dhe Ali Asllani, të cilët ishin dërguar që ti evidentonin të mobilizuarit. Këta u arsyetuan se po bëhet organizimi i mbrojtjes territoriale për të dhënë roje në fshat. Personat zyrtarë, pa e përfunduar marrjen e të dhënave nga të gjithë të mobilizuarit, me urdhrin e eprorëve të UJ, aty rreth orës 20.30, e ndërprenë punën dhe i liruan të mobilizuarit që të shkojnë në shtëpitë e tyre, por me kusht që të nesërmen (të dielën) më 25 prill në ora 7.30, të lajmërohen prapë në të njëjtin vend për të vazhduar procedurën e marrjes së të dhënave... Artikulli “Mobilizimi i të rinjve Tërnocas në Kohën e luftës në Kosovë-provokim i rëndë për Tërnocin” i autorit Sali Salihu, faqe 277, rreshti 23-33 Në këtë kohë, kur të mobilizuarit u stacionuan në këtë vend, s kishte ardhur asnjë epror i ushtrisë serbe. Për më shumë se një orë pritje, nga Sekretariati i mbrojtjes civile në Bujanoc, arritën dy referentë Srgjan Gjorgjeviq dhe Ali Asllani, të cilët ishin dërguar që t'i evidentojnë të mobilizuarit. Referentët u arsyetuan se po bëhet organizimi i rojës territoriale për të bërë roje në fshat... Personat zyrtar pa e përfunduar detyrën zyrtare dhe të gjithë të mobilizuarit me urdhrin e eprorëve Jugosllav rreth orës 20.oo e ndërprenë punën dhe i liruan të mobilizuarit, që të kthehen në shtëpitë e veta, për tu lajmëruar të nesërmen më 25.04.1999 në orën 7.3o në të njëjtin vend për marrjen e të dhënave dhe udhëzimeve të mëtutjeshme. VI. Libri “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë”, faqe 64, rreshti 9-14 titulli i artikullit: Ftesa për mobilizimin e eprorëve rezervë nga Tërnoci Rreth orës 13,00, korrieri i zyrës së vendit në Tërnoc kishte sjellë ftesa për mobilizim edhe për disa eprorë rezervë nga Tërnoci, në mënyrë që ata të punojnë në mbrojtjen civile me ushtarët e mobilizuar. Meqë gjatë tërë kësaj kohe nuk erdhi askush nga eprorët ushtarak kompetent nga mbrojtja civile komunale, shumica e këtyre të rinjve shkuan në shtëpitë e tyre për të ngrënë darkë dhe menjëherë janë kthyer në shkollë. Të gjithë të mobilizuarit dhe referentët nga mbrojtja civile, e kaluan këtë natë në bankat e klasave të shkollës fillore “Muharrem Kadriu”. Artikulli “Mobilizimi i të rinjve Tërnocas në Kohën e luftës në Kosovë-provokim i rëndë për Tërnocin” i autorit Sali Salihu, faqe 277, rreshti 38-40 Rreth orës 13, korrieri i zyrës së vendit nga Tërnoci kishte sjell ftesa për mobilizim për disa epror rezervë nga Tërnoci, me qëllim që ata të punojnë me ushtarët e mobilizuar. , fq. 278 rreshti 1 dhe 2: Të gjithë të mobilizuarit si dhe referentët nga mbrojtja civile, e kaluan natën në bankat e klasave të shkollës fillore. VII. Libri “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë” E enjte 29.04.1999 titulli i artikullit: Hapja e kanalit në Karaullën e UJ në Cakanovc të Preshevës, faqe 67, rreshti 1-16 Sot rreth orës 19.00, dy eprorë të UJ përgjegjës për të mobilizuarit shqiptarë së bashku me kryetarin e Komunës Stojança Arsiq kishin informuar të rinjtë tanë që nesër në ora 6.00 të mëngjesit do të shkojnë në Preshevë dhe së bashku me të rinjtë e Preshevës të hapin një kanal për shtrirjen e kabllos së telefonave për nevojat e UJ prej Preshevës deri në Karaullën e UJ në Cakanovc me gjatësi rreth 2,5 km. meqë lidhjet telefonike siç thuhet nga eprorët ishin shkatërruar nga bombardimet e forcave të NATO-s. Me propozimin e prezentëve dhe me ndikimin e kryetarit të komunës Stojança Arsiq, eprorët e UJ pranuan që së bashku me të mobilizuarit ta çojmë edhe një ekskavatorë, pronë e Rafet Ibrahimi nga Tërnoci për të ia lehtësuar punën këtyre të rinjve... në këtë moment prezent ishin të gjith ushtarët dhe eprorët e mobilizuar... si Hajrush Sadriu, Daut Limani, Muzafer Ismaili, Shenasi Shabani, Xhemail Salihi, Vullnet Ramadani, Sulejman Sulejmani dhe Dr. Mustaf Adili. hapja e kanalit vazhdon me ditë ... faqe 68., rreshti 1-11 Hapja e kanalit vazhdon edhe ditën e shtunë më 1. Maj, dhe duke iu falënderuar se puna ishte bërë me ekskavatorë, të rinjtë e Tërnocit sot kishin përfunduar pjesën e vetë deri në Cakanovc, ndërsa për ditën e nesërme kishte mbetur vetëm të mbulohej kablloja e telefonit. Të dielën më 2 maj, kishte përfunduar puna ku të mobilizuarit kishin shkuar për ta bërë mbylljen e kanalit dhe për t'i dhënë fund këtij provokimi shumë të rëndë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. (Të gjithë banorët e Tërnocit i janë mirënjohës Avni Ibrahimit- shoferit të ekskavatorit, i cili ua kishte lehtësuar dhe shkurtuar punën e që në atë kohë ishte një rrezik për shkak të bombardimeve nga forcat e NATO-s përskaj kufirit me Maqedoninë si dhe nga formacionet e ndryshme militare dhe paramilitare serbe që ishin prezent në Luginën e Preshevës) Artikulli “Mobilizimi i të rinjve Tërnocas në Kohën e luftës në Kosovë -provokim i rëndë për Tërnocin” i autorit Sali Salihu, faqe 278, rreshti 15-25 Më 29.04.1999 të gjithë të mobilizuarit u njoftuan se nesër në orën gjashtë të mëngjesit, do të shkojnë në Preshevë dhe me të rinjtë e Preshevës do të hapin një kanal për shtrirjen e kabllos të telefonave për nevojat e ushtrisë prej Preshevës deri në karaullën e ushtrisë serbe në Cakanovc me gjatësi 2.5 km ngase lidhja telefonike, ishte shkatërruar nga bombardimet e forcave të NATO-s . Rafet Ibrahimi nga Tërnoci për të ia lehtësuar punën këtyre të rinjve në mënyrë vullnetare me ekskavatorin e vet i ndihmoi shumë për hapjen e këtij kanali famëkeq. Me ta ishin edhe eprorët rezervë shqiptarë si: Hajrush Sadriu, Muzafer Ismaili, Daut Limani, Shenasi Shabani, Vullnet Ramadani, Xhemail Salihi, Sulejman Sulejmani dhe Dr. Mustaf Adili. Me një maj, duke i falëderuar vëllezërve Rafetit dhe Avniu me ekskavatorë, të rinjtë e Tërnocit kishin përfunduar pjesën e vetë deri në Cakanovc, ndërsa për ditën e nesërme kishte mbetur vetëm të mbulohej kablloja e telefonit. faqe 278. Rreshti 32-39 Të dielën me 2 maj kishte përfunduar puna e kanalit ku të mobilizuarit dhunshëm kishin shkuar për të mbyllur kanalin dhe për t'i dhënë fund këtij provokimi të rëndë në Preshevë dhe Bujanoc. Të gjithë banorët e Tërnocit u janë shumë mirënjohës Rafet dhe Avni Ibrahimit- shoferit të ekskavatorit- i cili shumë ua kishte lehtësuar dhe shkurtuar punën që në këtë kohë ishte një rrezik nga bombardimet e NATO-s përskaj kufirit me Maqedoninë dhe nga formacionet e ndryshme militare dhe paramilitare serbe që ishin prezent në Preshevë dhe Bujanoc VIII. Libri “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë” faqe 68, rreshti 12-20 Të hënën, me 3 maj, të mobilizuarit prapë u lajmëruan në mëngjes te stadiumi i Tërnocit, por askush nga eprorët nuk kishte ardhur, bile sot nuk kishin prurë as ushqim nga komuna. Të gjithë shkuan në shtëpitë e tyre pa asnjë lajm nga eprorët kompetent. Të mërkurën më 5 maj në mëngjes, pas 12 ditë mobilizimi u dha urdhër që të mobilizuarit të qëndrojnë në shtëpitë e veta dhe uniformën ta mbajnë me vete deri atëherë kur të ftohen. Me kaq mori fund edhe drama e mobilizimit të të rinjve nga Tërnoci, ndërsa të rinjtë e Preshevës kishin vazhduar edhe disa ditë më vonë. Artikulli “Mobilizimi i të rinjve Tërnocas në Kohën e luftës në Kosovë-provokim i rëndë për Tërnocin” i autorit Sali Salihu, faqe 279, rreshti 1-9 Të hënën detyrimisht, më 3 maj të mobilizuarit prapë u lajmëruan në mëngjes tek stadiumi i Tërnocit, por askush nga eprorët s kishte ardhur. Të gjithë të mobilizuarit shkuan nëpër shtëpitë e tyre pa asnjë urdhër nga eprorët e tyre kompetent. Të mërkurën më 5 maj në mëngjes, pas 12 ditë mobilizimi u dha urdhër që të mobilizuarit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre ndërsa uniformat t'i mbajnë me vete deri atëherë kur të thirren. Me këtë mori fund drama e mobilizimit të të rinjve nga Tërnoci, ndërsa të rinjtë e Preshevës kishin vazhduar edhe disa ditë më vonë. IX. Libri: “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë” Në faqen 68 , 69 dhe 70 Figuron Regjistri i ushtarëve dhe eprorëve shqiptarë të mobilizuar i cili në tërësi është marrë dhe është bartur në artikullin “Mobilizimi i të rinjve Tërnocas në Kohën e luftës në Kosovë- provokim i rëndë për Tërnocin” i autorit Sali Salihu Të nderuar lexues, vlerësojeni se çfarë autorësh kemi, e që mbase nuk është i vetmi! -Kërkoj nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore me seli në Preshevë, përkatësisht nga kryetari i Shoqatës, z. Xhemaledin Salihu që është edhe një ndër autorët e këtij libri, të reagojë ndaj kësaj dukurie negative të autorit të këtij artikulli, që njëherësh është edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së juaj, dhe në mbledhjen e radhës së kësaj Shoqate të informohen anëtarët e shoqatës me reagimin tim. -Kërkoj që Shoqata të formojë një Komision, dhe ta shpallin të pavlefshëm artikullin në fjalë, i botuar në librin Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë, si dhe të informohet opinioni rreth pavlefshmërisë së artikullit në fjalë. -Kërkoj nga autori që të kërkojë falje publike për gjestin e gabuar, për të mos filluar ndonjë procedurë gjyqësore për mbrojtjen e të drejtës së autorësisë. Artikujt e këtillë të botuar në këtë apo cilindo libër tjetër, ia ulin vlerën vetë librit, ndërsa autorët e këtillë janë të dëmshëm dhe nuk i nevojiten asnjë shoqërie. Mbrojtja e të drejtës së autorit është e rregulluar me ligjet e secilit shtet. Në Republikën e Serbisë, mbrojtja e të drejtës së autorit është e rregulluar me Ligjin për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta (G. Zyrtare e RS nr. 104/09, 99/11 dhe 119/12) neni 204-216 … Në Republikën e Kosovës me Ligjin Nr. 04/L-065, për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta etj…. Me respekt, Emrullah Lutfiu, autor i librit “Lugina e Preshevës mburojë e shqiptarisë” Bujanoc, 28.10.2013