Lapidari, politikani dhe politika
Vështrime

Lapidari, politikani dhe politika

05.Aug.2013 02:43
0
Kriza e lapidarit ishte dashur, më së paku, të na qartësoj përfundimisht, se jemi duke dështuar si politikë, pavarësisht përgjegjësive, moralit dhe fatit të politikanëve; e se kemi shumë çështje që duhet t’i rishikojmë dhe t’i rimendojmë në mendimin dhe veprimin tonë politik.
Shkruan: Belgzim Kamberi Belgzim Kamberi Kaluan tanimë më se gjashtë muaj që nga “kriza e lapidarit” në Luginën e Preshevës. Një periudhë e tërë heshtjeje nga faktori politik vendor, lidhur me krizën, që tronditi opinionin politik dhe mediatik rajonal, mbase pjesërisht edhe ndërkombëtar. Krizën që riktheu për një çast “çështjen e Luginës së Preshevës” në agjendat politike dhe mediatike. Këtë falë të njëjtëve. Dëshmorëve, të cilët pa qenë fare fizikisht në mesin tonë, reflektuan përsëri se kemi qenë dhe mbetemi të paaftë për ta ngritur realisht, konkretisht dhe politikisht “çështjen e Luginës së Preshevës”. E mos të flasim për ta orientuar atë drejt një të ardhme më të ndrritur. Por, ndonëse pati “krizë lapidari”, nuk pati “post-lapidar”. Qëllimshëm. Sepse, të gjithë subjektet politike dhe institucionale vendore, të cilët e menaxhuan atë, duke marrë përgjegjësinë nën petkun e të ashtuquajturit « Grup të Unitetit », kanë bërë të pamundurën, për të rrënuar çdo mundësi për diskutim dhe analizë, rreth përgjegjësive dhe angazhimeve të ndërmarra rreth “çështjes së lapidarit”. Duke e shfrytëzuar veprimin e strukturave shtetërore të sigurisë, të cilët e morën lapidarin, aktorët politik vendor shqiptar ngulfatën çdo debat të mundshëm, lidhur me mënyrën se si u ngrit lapidari dhe si u menaxhua i tërë procesi i ngritjes/largimit të tij. Mbase duke krijuar përshtypjen se më shumë i konvenonte largimi i lapidarit nga forcat e sigurisë, se mbrojtja e tij nëpërmjet ndonjë rezistence paqësore, apo edhe ndonjë kompromisi me autoritetet shtetërore, më të cilët vazhduan të bashkëpunojnë edhe pas largimit të lapidarit. Edhe ata pak zëra, të cilët kërkonin dhe nënkuptonin ndonjë dhënie llogarie nga ana e politikanëve; ngulfatëshin, etiketoheshin dhe shantazhoheshin nga politikanët dhe militantët e tyre. Jo që ata qytetarë paraqitnin ndonjë kërcënim serioz për karrierën e tyre politike; por thjesht, hapja e diskutimit publik dhe politik, rreth “çështjes së lapidarit” ishte dhe mbetet ajo që e pengon klasën politike shqiptare në Luginën e Preshevës. Kjo, sigurisht se jo vetëm për shkak të rikujtimit të premtimit publik të parealizuar të kryetarit të Komunës së Preshevës, se do të jep dorëheqje të parevokueshme nëse largohet lapidari nga forcat e sigurisë serbe, meqë nuk duket se mërzitet për moralin politik; por nga mosdëshira e politikanëve vendor shqiptarë që të hapet çfarëdolloj diskutimi lidhur me gjendjen aktuale politike dhe përgjegjësitë e tyre në Luginën e Preshevës. Viktimizimi mbetet ende mburoja par excellence e tyre për t’u legjitimuar si përfaqësues politik dhe institucional. Si në rastin e lapidarit, që e karakterizon pothuajse një nga turpërimet më të mëdha me ndjenjat kombëtare të popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore; edhe në rastin e gjendjes së përgjithshme politike aktuale, politika vendore shqiptare vazhdon të përpiqet që të fshihet pas « dhunës dhe terrorit serb » për t’u arsyetuar në dështimet e tyre të vazhdueshme politike, të cilat simbolizohen më së miri me mosjetësimin e asnjë synimi të tyre prioritar politik, të cilat i proklamojnë që më shumë se njëzet vitesh. Për më keq, prirjet për të mos i kërkuar llogari politikanit janë në rritje e sipër. Kjo nuk do të paraqiste ndonjë shqetësim nëse nuk do të dëmtohej politika dhe interesi i përgjithshëm. Prandaj, mos asgjë tjetër, kriza e lapidarit ishte dashur, më së paku, të na qartësoj përfundimisht, se jemi duke dështuar si politikë, pavarësisht përgjegjësive, moralit dhe fatit të politikanëve; e se kemi shumë çështje që duhet t’i rishikojmë dhe t’i rimendojmë në mendimin dhe veprimin tonë politik. (Autori është kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut për Luginën e Preshevës. Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com)  
Lugina po zbrazet...!
Mos ikni nga realiteti!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration