Këshilli i Evropës: Fushata parazgjedhore në Serbi kryesisht e qetë
Një delegacion i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës (KE) ka vizituar Serbinë prej datës 3 deri më 6 prill 2016, për të vlerësuar përgatitjet dhe klimën politike në garën parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të caktuara për datën 24 prill 2016, thuhet në një kumtesë të Asamblesë parlamentare të KE-së, njofton Titulli.com.Asambleja parlamentare (AP) vëzhgon zgjedhjet në Serbi prej vitit 2000. Asambleja parlamentare ka theksuar që shumica e zgjedhjeve të mbajtura në Serbi kanë qenë të parakohshme.
Delegacioni parazgjedhor i Asamblesë parlamentare ka konstatuar me kënaqësi që fushata parazgjedhore është e kryesisht e qetë, dhe të gjithë pjesëmarrësit mund të bëjnë fushatë të lirë.
Mirëpo, delegacioni është njoftuar mbi rastet e izoluara të dhunës ndaj përfaqësuesve të opozitës. Lidhur me këtë, delegacioni dënon të gjithë rastet e dhunës, duke përfshirë edhe rastet e izoluara, dhe mendon që këto raste duhet t’i dënojnë të gjitha forcat politike, thuhet ndër të tjera në kumtesën e AP të Këshillit të Evropës, raporton Titulli.com.
Delegacioni i AP të KE-së në këtë kumtesë ka analizuar edhe punën e Komisionit Republikan Zgjedhor, rolin e mediave gjatë fushatës parazgjedhore, financimin e fushatave nga partitë politike dhe rolin e parasë në politikë, respektivisht në procesin zgjedhor.
Ky delegacion është takuar me krerët më të lartë shtetëror të Serbisë, e gjithashtu edhe me përfaqësues të korit diplomatik në Serbi, si dhe me shoqërinë civile e mediat.
Asambleja parlamentare e KE-së do të dërgojë delegacionin prej 22 anëtarëve që do të vëzhgojnë zgjedhjet në Serbi më 24 prill 2016, thuhet në fund të komunikatës./Titulli.com/