Kultura letrare në Luginë të Preshevës lihet në harresë
Lokale

Kultura letrare në Luginë të Preshevës lihet në harresë

17.May.2015 09:24
0
Të jetosh në Luginë të Preshevës është e vështirë e të krijosh atje është edhe më e vështirë.

Pushteti qendror gati se ka harruar tërësisht kulturën në këtë pjesë të trungut shqiptar, pushteti lokal është i pafuqishëm, kurse Shqipëria e Kosova fare ose rrallë i dalin në ndihmë kulturës së këtushme.

Lugina e Preshevës ka traditë kulturore, ngase pikërisht katër dekada më parë në këto anë ishte themeluar Shoqata me emrin “Feniks” një emër shumë domethënës, e cila ishte një dritë shprese për kulturën letrare të asaj pjese të ndarë padrejtësisht.

Tashti, në Luginë të Preshevës ekziston Shoqata e Shkrimtarëve të Luginës.

Bilall Maliqi, kryetar i Shoqatës kujton se Klubi Letrar “Feniks” ishte themeluar në vitin 1975 nga disa krijues të cilët atëbotë e mbanin gjallë kulturën letrare në Preshevë, si: Mexhid Mehmeti, Gani Misini, Demir Behluli, Sadete Presheva, Hasan Emërllahu, Xhemaludin Rexhepi e disa të tjerë entuziastë, të cilët punuan dhe e promovuan kulturën letrare të asaj kohe.

Sivjet shoqata kremton 40-vjetorin e themelimit të saj, dhe siç thotë Maliqi do të mundohen që ta kremtojnë këtë jubile me rëndësi për kulturën letrare të Preshevës në veçanti dhe të Luginës në përgjithësi.

Maliqi kujton se si për shkak të rrethanave të njohura politike dhe të luftës, ish-Klubi “Feniks” i ndërpreu aktivitetet e saj, sepse ishte gati i pamundur zhvillimi i aktiviteteve letrare.

“Nga viti 2005, unë dhe poeti Demush Berisha e riaktivizuam Klubin dhe nga viti 2006 e zgjeruam aktivitetin edhe në dy komunat tjera, në Bujanoc dhe në Medvegjë. Ndërsa nga viti 2011 Klubin Letrar “Feniks” si themelues e shkriva në Shoqatën e Shkrimtarëve “Feniks” që tubon krijues nga tri komunat. Jemi të regjistruar në agjencinë e regjistrimeve në Beograd, kemi aktet normative, xhirollogarinë dhe vulat”, thotë Maliqi, që shton se nga riaktivizimi e deri më tani Shoqata ka pasur aktivitete të shumta të cilat janë të shënuara në procesverbalin e Shoqatës, kurse kanë edhe edicionin e botimeve të “Feniksit”, ku është botuar një numër i konsiderueshëm i librave të zhanreve të ndryshme letrare, nga ato më tepër poezi.

Brenda Shoqatës ekziston edhe “Karvani i Shkrimtarëve të Luginës”, ku i vizitojnë të gjitha shkollat e Luginës së Preshevës dhe më gjerë, mbajnë orë letrare, promovime librash të zhanreve të ndryshme, si dhe shënim të ndonjë date me rëndësi jetike për kombin tonë. Bilall Maliqi ka treguar se shoqata që ai e drejton ka mbi tridhjetë anëtarë, të shtrirë në tri komunat e Luginës.

“Edhe më krenar na bën fakti se dita ditës po dalin krijues të rinj nga tri komunat, kjo si rezultat i mbajtjes së orëve edukative letrare, dhe kjo është njëfarë nxitje për nxënësit të merren edhe me artin e bukur letrar”, thotë kryetari Maliqi, që shton se brenda shkrimeve të tyre krijuesit nga Lugina trajtojnë motive e tematika të llojllojshme.

“Ne si Shoqatë e Shkrimtarëve kemi bashkëpunim të frytshëm me të gjitha Shoqatat e Shkrimtarëve, Klubet dhe Asociacionet letrare kudo në Kosovë dhe gjetiu si: me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubin “Beqir Musliu” të Gjilanit, Klubin letrar “Nositi” të Dardanës, “De Rada” nga Ferizaj, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë, me Klubin Letrar “Oenium” të Tetovës, Klubin e Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” të Kumanovës dhe shoqata të tjera”, thotë kryetari Bilall Maliqi, i cili me gjithë këtë veprimtari, thotë se Shoqata e tyre nga pushtetet lokale në Luginë nuk përkrahet as materialisht, as moralisht. “Ne veprojmë dhe punojmë në baza vullnetare. Nuk kemi përkujdesje as shoqërore, as institucionale. Ky anashkalim material nga pushtetet lokale ka ndodhur vetëm se ne nuk kemi rënë në asnjë ndikim politik dhe nuk kemi dashur që kultura të politizohet”, thotë Maliqi, shkruan "Zeri".

Me gjithë këto zhvillime, në Luginë të Preshevës ka një gjallëri kulturore. Dikur, gjatë viteve të tetëdhjeta aty mbaheshin “Takimet e krijuesve preshevarë” dhe kishin jehonë të madhe, por ato nuk zgjatën shumë për shkak të kushteve materiale nuk janë mbajtur, ka shumë vite.

Vitin e kaluar në mbështetje të projektit nga Ministria e Kulturës dhe e Informimit e Republikës së Serbisë, u organizua manifestimi i madh kulturor me titull “Kultura na bashkon”, tribunë dhe orë të madhe letrare për poetin tonë të njohur Qerim Arifin, ku kishte poetë nga të gjitha viset e banuara shqiptare, me ç’rast u ndanë për herë të parë katër çmime letrare me emrin e Qerim Arifit.

“Në të ardhmen synojmë që ky manifestim të jetë tradicional, por kjo varet nga mundësia materiale dhe nga donatorët e mundshëm… Presim kohë më të mira”, thotë Bilall Maliqi. /Titulli.com/

Materniteti gati, gjinekologët nuk paraqiten për punë?!
Ku mbeti panairi tradicional i Bujanocit?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration