Koalicionet e ardhshme në komunën e Bujanocit 
Lajme

Koalicionet e ardhshme në komunën e Bujanocit 

01.Oct.2019 08:27
0

Jemi vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale dhe parlamentare që do të mbahen në gjithë Serbinë dhe rrjedhimisht edhe në komunën e Bujanocit. Shumë nga subjektet politike tanimë kanë filluar kalkulimet për koalicione para zgjedhore por dhe ato pas zgjedhjeve, por deri më tani për Titulli.com përfaqësuesit e partive politike në Bujanoc nuk kanë bërë të ditur për koalicione të mundshme, por ka edhe nga ato të cilat kanë treguar “vijat e kuqe” sa i përket koalicioneve. 

Ajo që deri tani kemi mësuar nga intervistat e marra është që partitë në përgjithësi janë të hapura për koalicione e kjo me shpresë për të ardhur në pushtet zgjedhjet e ardhshme.   

Shqiprim Musliu, kryetarë i LPD-së në intervistë pati thënë se është e rëndësishme unifikimi i faktorit shqiptarë në komunën tonë. “Zgjedhjet e ardhshme i konsiderojmë si jetike për shqiptaret e Komunës se Bujanocit. Unifikimi i faktorit politik shqiptar ne Komunën e Bujanocit do te jete i domosdoshëm, i patjetërsueshëm. LPD është e hapur per bashkepunim me te gjitha partitë politike shqiptare te Komunës se Bujanocit. Bashkëpunimi i faktorit politik shqiptar do te jete shume i dobishëm dhe i rëndësishëm për ruajtjen e substancës kombëtare ne këtë vend” – deklaronte Musliu.

Kryetari i degës së APN-së në Bujanoc, Arbër Pajaziti ka deklaruar për Titulli.com se është e rëndësishme që koalicionet të bëhen me partit shqiptare, por ka përjashtuar Stojança Arsiqin. “Pas zgjedhjeve do të varet nga numrat se me kë do të bëjmë koalicion, por për neve është e rëndësishme që koalicioni të behet nga partitë shqiptare, nuk kemi të preferuar dhe nuk kemi vija të kuqe me askënd, përveç asaj që kemi deklaruar më herët, me Stojança Arsiqin nuk do të bëjmë koalicion. Në politikë nuk ka urrejtje ose dashuri, ka përputhje të ideve dhe të programeve. Por jemi kategorik kundër të bëjmë koalicione me ata që janë pasardhës të Millosheviqit dhe atyre që Mira Markoviqin e kanë shpallur qytetare nderi” – deklaroi Pajaziti.

Ndërsa, Driton Rexhepi, anëtar i kryesisë së përgjithshme të PVD-së në intervistë deklaroi se unifikimi i faktorit politikë shqiptarë në PVD nuk zënë vend vetëm në zgjedhje. “PVD është për unifikim, sidomos këto momente dhe momentet që pritet të vendosin për të ardhmen e rajonit.  Hapin e parë e kemi bërë me ofertën për themelimin e shumicës në Këshillin Nacional e cila është refuzuar nga Partia Demokratike, kemi vazhduar me ftesën për unifikim të shqiptarëve në Medvegjë, ftesë kjo e refuzuar edhe nga PD dhe nga APN. PVD ka koncept dhe formulë për unifikim të faktorit politik shqiptar qoftë për zgjedhjet e përgjithshme, qoftë për ato lokale në Bujanoc. Por, kjo ide duhet të bisedohet në mënyrë serioze dhe të ndërtohet një unifikim i shëndoshë duke eliminuar kalkulimet personale dhe grupore” – theksonte Rexhepi për Titulli.com.

Sali Salihu, antar i kryesisë së PD-së duke folur për zgjedhjet tha se subjekti në fjalë do të garojë e vetme pa koalicione para zgjedhore, por do të jetë e hapur për to pa deklaruar “vija të kuqe” – tha ai. “Partia Demokratike do të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhme lokale, pra nuk do të ketë koalicione parazgjedhore. Kurse, sa i përket koalicioneve pas zgjedhore jemi te hapur për të gjitha partitë. Ne nuk kemi vija të kuqe për asnjërën parti” – deklaroi Salihu.

 

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration