Kremtohet 55 vjetori i themelimit të shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc (foto)
Me një aktivitet kulturoro-artistik të përgatitur nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj vatre arsimore, të martën, më 9 maj në shkollën tonë është shënuar Dita e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.
Në këtë eveniment më se gjysmëshekullor të vatrës së diturisë, drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu, para të pranishmëve në 55 vjetorin e themelimit dhe në 50 vjetorin e pavarësimit të këtij tempulli të diturisë, ka elaboruar për historikun e shkollës duke evokuar kujtime që nga themelimi, me problemet që është përballur, si dhe me sakrificat dhe të arriturat e një tradite në ecjen e proceseve përpara dhe për ruajtjen e harmonisë së kolektivit të kësaj shkolle.
Fejzullahu në fjalimin e tij përshëndetës rikujtoi edhe kontribuuesit e kohërave të vështira gjatë hapjes së kësaj shkolle – vatrës së diturisë duke shprehur njëherësh edhe mirënjohjen e thellë për veteranët e arsimit, si themelues të kësaj vatre të diturisë.
Ndërsa, kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, fillimisht përshëndeti mësimdhënësit pjesëmarrës të këtij manifestimi duke jua uruar 55 vjetorin e themelimit dhe 50 vjetorin e pavarësimit të kësaj vatre arsimore, duke evokuar kujtime që kur ishte nxënës i kësaj shkolle dhe për peripecitë që ka kaluar kjo vatër arsimore para më se dy dekadash, që kur ishte uzurpuar nga Ushtria Jugosllave serbo-malazeze e deri më largimin e saj.
Arifi, që edhe atëkohë ishte kryetar komune, theksoi se pas largimit të ushtrisë serbo-malazeze shkolla e mesme ka një hapësirë prej 50 mijë metrash katrorë dhe se fillimi i ndërtimit të objektit të ri të shkollës sonë, filloi më 2005, si një ndër objektet më të mira në rajon, duke sugjeruar që ta ruajmë këtë objekt dhe ta ruajmë arsimin shqip.
Drejtori i shkollës, Zejni Fejzullahu, në shenjë mirënjohjeje për nxënësit dhe profesorët e dalluar ndau edhe Mirënjohje në shenjë respekti e nderimi për sukseset e arritura nga nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës sonë, që arritën me prezantimin e tyre në garat rajonale, e që u kualifikuan më tej në garat republikane. Kështu mirënjohje iu nda nxënësit, Qetin Aqifit për vendin e parë që zuri në garat rajonale (ky ishte çmimi i tretë i Qetinit, që i solli shkollës sonë) dhe prezantimin më tejmë të tij në garat republikane.
Mirënjohje iu nda edhe mësimdhënësit të lëndës së Biologjisë, Hamdi Kamberit. Po ashtu, mirënjohje iu nda edhe mësimdhënësit të edukatës fizike Xhabir Halilit, me rastin e pensionimit të tij, kohë më parë.
Për të bërë edhe më të begatë kremtimin e ditës së kësaj vatre të diturisë, shkolla jonë shpalosi një program të begatshëm kulturoro-artistik të përgatitur nga mësimdhënësi i edukatës muzikore Musa Gjymshiti, i cili së bashku me mësimdhënësit e gjuhës shqipe, për herë të parë këtë vit, në 55 vjetorin e themelimit dhe në 50 vjetorin e pavarësimit të këtij tempulli të diturisë, kanë kompozuar edhe Himnin e shkollës sonë. Do theksuar se edhe nxënësit e kësaj shkolle; Ana Mustafa (moderatore), Olis Salihu, me këngën “Plagët e Lirisë” dhe Albin Duraku, me poezinë “Buzëqeshja e përgjakur”, të cilët me paraqitjen e tyre madhështuan këtë manifestim.
Manifestimin e ditës së shkollës e kanë madhështuar edhe prezantimi i valleve të përgatitura nga nxënësit e shkollës, si dhe ekspozita nga profesori i artit figurativ, me nxënësit e shkollës. Një falënderim nga shkolla edhe për Shoqërinë Kulturoro-artistike " Zëri i Luginës " pjesë e së cilës janë edhe nxënësit e shkollës sonë.
Me anë të një telegrami urimi edhe Hadije Morina – Surroi, motra e personalitetit që mban emrin shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, për kremtimin e 55 vjetorit përshëndeti me një telegram urimi ku shkruhet: DITA E SHKOLLËS „SEZAI SURROI“ BUJANOC
Të nderuar nxënës, arsimtarë dhe të gjithë të pranishëm. Ju përshëndes përzemërsisht me dëshirë për shëndet të mirë dhe ditë të lumtura. Sikur të mundesha me ardhur, do të isha shumë e lumtur me e përjetua atmosferën shkollore e me u kënaq me rezultatet e arritura në mësime e aktivitete të lira, në këto kushte shumë të mira që i keni.
Me këtë rast, si një motër në moshë, i dhashë vetes të drejtë me i cekë disa parime e dëshira për t’i nënvizuar përpjekjet për një jetë të lumtur. Përvetësimi i dijenive prej çdo lëmie si në shkollë edhe jashtë saj, kuptohet se është detyra e parë dhe obligimi kryesor. Sot mundësitë janë të shumta, andaj duhet të jetë kureshtja për dijeni të reja si nevojë e përditshme.
Çdo moment i humbur nuk kthehet më. Zhvillimi i përgjithshëm po ka hov të madh e me e përcjell atë kërkon punë intensive, që mos të na shkel koha. Ju, rinia jeni avangarda e përparimit dhe keni përgjegjësi për me u përpjek për zhvillim dhe një jetë më të lumtur. Para jush ekziston obligimi moral ndaj përpjekjeve shoqërore edhe të tjera që janë bërë e që kanë qenë të mëdha për këtë shkollë. Pengesat dhe problemet kanë qenë të shumëfishta, por vendosmëria për përparim dhe jetë të mirë për të gjithë, ka qenë e suksesshme.
Obligimet janë edhe ndaj prindërve që derdhin djersë për të ju siguruar kushte të volitshme për shkollim e jetë të mirë. Me rezultate të mira dhe punë me nderë, mund ta shpagoni, sadopak mundin e tyre. Marrëdhëniet e mira njerëzore, ndihma njëri-tjetrit, syri kritik e guximi janë elemente të bashkimit që bën fuqinë dhe mund të jetë orientim edhe për krijimtari.
Këtu presim shumë prej jush. Obligimet janë të mëdha, por forca e rinisë është edhe më e madhe për me u përpjekë për një jetë ma të lumtur. Kurrë nuk duhet të harroni se në çfarë kushte ka filluar punën kjo shkollë.
Së pari orët e mësimit janë zhvilluar në shkollën fillore, si mysafir. Pastaj në baraka ku edhe ditën është dashtë me i ndez dritat elektrike për përcjelljen e mësimit. Tash keni pallat; kabinete të ndryshme, hallën sportive e bahçen plotë lule.
Andaj, ruajtja e çdo pjese të shkollës është domosdoshmëri dhe detyrë e juaj. Nga pak jam e njoftuar me punën e përgjithshme në shkollë. Më gëzon energjia e vendosmëria e punës së udhëheqësisë së shkollës.
Gëzohem pa masë për sukseset. Sot, kur shënohet dita e shkollës me emrin SEZAI SURROI mund të them, me mall të pa shuar, që vëllai im le të pushojë i qetë. Jetën dhe rininë që ia dhuroi lirisë dhe përparimit, po realizohet. Kolektivit të shkollës, nxënësve, trupit arsimor dhe punëtorëve tjerë ju dëshirojë punë të mbarë dhe suksese të përhershme!
Një telegram tjetër urimi na përcjell edhe Shaban Xheladini, veteran i arsimit shqip në Luginë.
Shkruar nga Metali Krasniqi