Lokale
Kamberi: Serbia është e shurdhër ndaj çdo kërkese reale politike të shqiptarëve (video)
Ish kryetari i komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, njëherit kryetar i degës së Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Bujanoc, gjatë një qëndrimi në emisionin ‘Interaktiv’ të KTV-së ka folur për diskriminimin që po i bëhet shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Rreth gjysmë ore sa zgjati ky emision, Kamberi ka numëruar shkeljet që Beogradi po i bënë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, duke diskriminuar në mënyrë institucionale, që sipas tij, këtë së fundmi e dëshmoi edhe me ligjin për gjykatat, respektivisht territoret e institucioneve gjyqësore.
“Me këtë veprim Serbia dëshmoi se është e shurdhër ndaj çdo kërkese reale politike të shqiptarëve, ndaj çdo kërkese jetike për shqiptarët edhe pse viti i kaluar ishte fillimi i një dialogu të ri me Beogradin zyrtar, prapë se prapë vendimet e fundit që u morrin rreth gjykatave dëshmojnë se Serbia ende nuk është e gatshme dhe nuk ka nivelin e mjaftueshëm të demokracisë. Ajo nuk ka kapacitetin e mjaftueshëm të demokracisë që çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ta trajtojë në frymën e standardeve të Bashkimit Evropian”, u shpreh Shaip Kamberi, transmeton Titulli.
“Absolutisht ne si parti dhe partitë tjera me faktin që e kemi ndërpre dialogun apo e kemi ngri nuk d.m.th se jemi kundër dialogut, mirëpo me atë që doli në shesh se Beogradi zyrtar konteston shifrat reale të shqiptarëve në këto tri komuna”, tha matej kryetari i PVD-së në Bujanoc.
Sipas Kamberit, Beogradi, zyrtarisht një parametër që e ka aprovuar, e kanë përdorë në çështjen e gjykatave, prokurorive por edhe gjykatave për kundërvajtje, ky ka qenë rezultati i regjistrimit të fundit, që shqiptarët e Luginës e kanë bojkotuar, e ku sipas të cilave në Bujanoc jetojnë 460 shqiptar, Preshevë 244 dhe në Medvegjë 516.
“Qëndrimi ynë ka qenë nëse vërtetë besojnë se aq shqiptarë ka atje, atëhere cila është esenca e një dialogu”, shtroi pyetjen Kamberi.
Ai tha se deri më tani kanë kërkuar që Beogradi të deklarohet, dhe deri më tani ende s’kanë marrë asnjë përgjigje.
“Ne tentojmë që problemet e tona ti zgjidhim me dialog, edhe pse tanë kohën kemi kërkuar që edhe Prishtina të jetë më proaktive, ashtu si Tirana”.
Sipas Kamberit do të kishte qenë më së miri që në frymën e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, të ishte trajtuar si temë çështja e gjykatave apo ndonjë çështje konkrete me të cilat shqiptarët e Luginës ballafaqohen.
“Mendojmë se mundësia e vetme e përmirësimit afatgjatë të të drejtave të shqiptarëve do të duhet të jetë reciprociteti në të drejta, sepse, është jostabile për Ballkanin perëndimor nëse në këtë pjesë të Ballkanit krijojmë pakica të privilegjuara, çfarë janë serbët në veri.”
Kamberi shprehu brengën se nëse i mundësohen atyre (serbëve në veri) instrumente të tilla juridike apo institucionale, që nuk përmenden as në standardet aktuale të Bashkimit Evropian, ndërkaq shqiptarëve në Luginë i mohohen ato të drejta të cilat janë të garantuara edhe me legjislaturën e Serbisë edhe me standardet e BE-së.
“Kjo situatë pak a shumë e ruan një gjendje jostabile në Luginë të Preshevës që domosdo reflekton edhe në pjesë tjera të Ballkanit”.
Gjatë qëndritmit në studio të KTV-së , ish kryetari i Komunës së Bujanocit, për mbledhjen e Prizrenit tha se si iniciativë është parimisht e qëlluar.
“Unë nuk do ta kisha vlerësu vlerën e asaj iniciative në bazë të lartësisë së shumës e cila është premtuar për maternitetin në Preshevë, sepse ajo ka të bëjë vetëm me ndihmën e financimit të një projekti konkret, dhe pesha reale do të duhet të shihet nga Fondi për Zhvillim, i cili me kohë besojë se do të duhet të fuqizohet dhe në bazë të projekteve të caktuara të financohen drejtpërdrejtë që ndihmojnë zhvillimin ekonomik, që ndihmojnë krijimin e vendeve të reja të punës, sepse në këtë formë largimi i rinisë, largimi i kuadrove dhe boshatisja në tërësi e Luginës së Preshevës, rrezikon vet substancën kombëtare shqiptare në këto tri komuna”, u shpreh Kamberi./Titulli.com/
http://youtu.be/7GyY92kFbn0
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!