Kamberi: Problemi nuk është në Bujanoc por në Beogradin që i ka bllokuar shqiptarët (video)
Ish kryetari i komunës së Bujanocit dhe tani deputet popullor në parlamentin e Serbisë në fjalimin e tij pas zgjedhjeve te organeve të reja komunale në Bujanoc është shprehur se problemi nuk është në Bujanoc por në Beogradin që e ka bllokuar dialogun për integrimin e shqiptarëve, barazi në të drejta dhe zhvillimi socio-ekonomik.
Kjo është deklarat e tij e plotë:
Përgëzime për themelimin e institucioneve lokale të qeverisjes së re në komunën e Bujanocit. Si partnere bashkëqeverisëse, Partia për Veprim Demokratik do të kontribuojë në vazhdimlin e qeverisjes së mirë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Bujanocit.
Atyre që trumbetojnë për problemet e qeverisjeve monoetnike të cilat mund të ndikojnë negativisht në investime nga qeveria republikane, ju kujtojmë se mirë do të ishte ta analizojnë se sa multietnike janë institucionet që janë nën kompetenca të qeverisë republikane, apo sa multietnike është sot qeverisja e Medvegjës ?
Qeverisja lokale e Bujanocit ka qenë « multietnike » që 18 vite, por kjo nuk ka ndikuar që qeveria republikane t’i integrojë shqiptarët në institucione ku ata mungojnë pothuajse tërësisht dhe as të investojë seriozisht që ta sanojë gjendjen e rëndë socio-ekonomike.
Pa e harruar edhe Preshevën. Çfarë përfitojnë sot substancialisht preshevarët nga fakti që e ka qeverisjen lokale drejtpëdrejtë të varur nga partia në pushtet në Serbi?
Le të dëshmohet Qeveria e Serbisë në Preshevë, me më shumë të drejta politike dhe zhvillim ekonomik, meqë kriteri qenka që partia në pushtet në Beograd të ketë pushtet përcaktues në qeverisjen lokale. Apo edhe në Medvegjë, ku qeveris vetëm partia në pushtet në Beograd dhe ku pothuajse nuk ka më “shqiptarë problematikë”.
Pastaj, vallë shteti qenka vetëm i serbëve ? Që kur serbët nuk qenkan në pushtet lokal, atëherë shteti nuk përkujdeset per shtetasit e saj?
Ka vite të tëra që Partia për Veprim Demokratik kërkon rifillimin e dialogut me Qeverinë e Serbisë, nën lehtësimin e bashkësisë ndërkombëtare, për implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara edhe nga Beogradi zyrtar, për integrimin e shqiptarëve të nënpërfaqësuar, për avancimin e të drejtave të tyre kolektive të diskriminuara dhe për zhvillimin socioekonomik të rajonit të margjinalizuar.
Është pushteti në Beograd i cili e ka bllokuar dialogun dhe nuk e dëshiron integrimin e minoriteteve, barazi në të drejta midis qytetarëve dhe zhvillim të rajoneve të margjinalizuara.
Adresa parësore e përgjegjësisë është në Beograd, jo në Bujanoc.
Beogradi duhet të heq dorë nga bllokimi dhe refuzimi i dialogut për integrimin e shqiptarëve dhe për zhvillimin socioekonomik të rajonit.
Ne jemi të hapur dhe të gatshëm për dialog.
Çdo ditë.
Shaip Kamberi,