Kamberi: Po presim kandidatët e APN-së, të fillojmë procesin e nënshkrimeve
Kryetari i partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi njëherit edhe i nominuar i parë i listës së përbashkët për pjesëmarrje në zgjedhjet Parlamentare të Serbisë më 21 qershor theksoi se sipas marrëveshjes protokollare të Tiranës, pesë subjekte politike do të duhet të garojnë në listën e përbashkët për zgjedhjet parlamentare.
“Marrëveshja e Tiranës ka precizuar edhe radhitjen e listës sipas subjekteve politike, shumica e subjekteve kanë caktuar edhe kandidatët për listën e përbashkët, ndërkohë që detajet e tjera duhet të rregullohen me një marrëveshje Koalicioni në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e deputetëve popullorë. Fakt që shpallja e Gjendjes së jashtëzakonshme ka ndërprerë procesin e nisur zgjedhorë, por tash me heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme duhet rinisur procesi aty ku ka mbetur. Ne jemi në pritjen të caktimit të kandidatëve për listë nga APN, në mënyrë që me një marrëveshje Koalicioni të verifikuar te Notari, të mundemi të nisim procesin e grumbullimit të nënshkrimeve”, u shpreh Kamberi për Titulli.com.
Sipas tij gjithë ideja e listës së përbashkët ka pasur për qëllim rritjen e numrit të përfaqësuesve shqiptarë në Parlament.
“Nëse gjithë subjektet japin angazhimin e duhur edhe të sinqertë këtë edhe do ta arrijmë. Procesi do të tregojë se kush sa serioz i qaset kësaj ideje. Duhet të kemi para sysh edhe rrethanat e reja në të cilat, për shkak të rrezikut nga Covid 19, do të zhvillohet fushata zgjedhore, me gjasë për tubime të mëdha, por kjo na imponon gjetjen e ideve kreative për fushatë që do të përmbushte pritjet e përbashkëta”, tha Kamberi.
PVD ka nominuar dy kandidatë për deputet në listën e përbashkët shqiptare, Shaip Kamberin dhe Edita Asllanin.
Në Tiranë më 16 janar të vitit 2020 mes subjekteve politike në Luginë të Preshevës dhe me mbështetje të ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj është nënshkruar marrëveshja për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë./Titulli.com/