Jo përkohësisht, por përjetësisht!
Vështrime

Jo përkohësisht, por përjetësisht!

11.Dec.2012 09:50
0
Kur dikujt provojmë t’i tregojmë sesi është kjo puna e marrëdhënieve tona me serbët e Kosovës, atyre që kanë pranuar institucionet e Republikës së Kosovës por edhe atyre (sidomos përtej lumit Ibër) që s’duan t’ia dinë për këtë shtet që tashmë është realitet i përjetshëm, e kemi të vështirë të mos i kujtojmë imazhet e së kaluarës: nga inskenimet e tmerrshme për “dhunimet” që shqiptarët gjoja u bënin atyre (i kujtohet dikujt ende Gjorgje Martinoviqi?!), vërshimi në Fushë- Kosovë tek Milosheviqi në kohën e Vllasit e Kolgecit, heqja e autonomisë dhe ndihma që i dhanë regjimit të Beogradit në shtypjen dhe shkeljen brutale të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës për dhjetë vite me radhë. Shkruan: Beqë Cufaj; Pa lënë anash këtu as refugjatët, bashkëkombasit e tyre nga Kraina e Kroacisë a fushëbetejat e Bosnjë e Hercegovinës, të cilët në vitet 90 zbrisnin në Kosovë: për të ndërtuar një ekzistencë të re me qëllimin e ndërrimit të strukturës së popullsisë në këtë nënqiell. Pa harruar miliona e miliona euro-t që u merrnin shqiptarëve të Kosovës për të “ndërmjetësuar” në marrje pasaportesh, lirime të burgosurish nga kazamatet serbe, rrahje e përndjekje, përgjime e torturime të shqiptarëve të Kosovës për më shumë se një dekadë me radhë. Kulmi i krejt kësaj u arrit në vitet 1998-99 kur shumica absolute e serbëve të Kosovës jo vetëm që nuk provuan të ndalonin paramilitarët dhe forcat e “rregullta” të Milosheviqit të përndiqnin, përdhunonin e vrisnin shqiptarët e Kosovës, por ata u prinin atyre në marshimin drejt fushave të vdekjes në Dukagjin e Drenicë, Gjakovë e Pejë! Kur në qershor të vitit 1999 heroi i tyre Milosheviqi nënshkroi kapitullimin në Kumanovë, botës iu servuan imazhet e përndjekjes së këtyre serbëve të Kosovës nga vendlindja e tyre. Fakt është që ka pasur hakmarrje dhe vrasje të civilëve serbë: por edhe sot e kësaj dite, secili shqiptar i vetëdijshëm i Kosovës e di që krejt ato akte o ishin për arsye pronësore apo motive plaçkitjeje o kishin të bënin me një iracionalitet i cili edhe ashtu nuk kishte të bënte me hakmarrje masive të shqiptarëve as me koordinim për politikë spastrimi të Kosovës nga serbët. Në këtë mes nuk kemi si të mos e përmendim politikën perverze të KB-së dhe konkretisht UNMIK-ut me numrat: kur na flisnin sesi nga vendi kanë shkuar 200.000 serbë, kurse sot, në Republikën e Kosovës, bashkë me veriun e dimë që vazhdojnë të jetojnë 150.000 serbë. Sidoqoftë, fakti sesi shqiptarët, elitat e tyre intelektuale dhe politike bashkë me opinionin e gjerë e kuptuan dëmin që mund të shkaktohej nga një politikë e tillë, edhe bëri që serbët e Kosovës shpejt, shumë më shpejt sesa në rajone tjera të ish-Jugosllavisë të jenë pjesë e institucioneve dhe jetës publike të Kosovës. Dhe ja ku jemi: ka mbetur vetëm xhepi i madh i Republikës, të padëgjueshmit, serbët e veriut, rreth 40.000, prej tyre që të ndërsyer e koordinuar nga dikur opozita dhe sot pozita e Nikoliqit e Daçiqit që na kthejnë tek kohërat e rënda, kur nuk zgjedhin mjete as arsye për të pranuar realitetin dhe rregullat e lojës demokratike- në bashkëjetesë dhe paqe. Dhe pozicionimi i tyre, nga sot, me datën 10 dhjetor të vitit 2012, do të fillojë të luhatet. Sepse me Marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të kufijve, të cilën e kanë zor të mos e pranojnë, sepse para dhe urdhëdhënësit e tyre më nuk janë Tadiqi as Koshtunica, por shefat e tyre Nikoliqi, Daçiqi e Vuçiqi e kanë pranuar, ata duhet të bëjnë një hap të madh prapa: duhet ta pranojnë që Kosova dhe Serbia kanë një kufi që paraqet ndarje të qartë mes dy shteteve dhe republikave. Ec e mos i kujto kohërat e vjetra kur ata mblidhen dhe deklarojnë që “përkohësisht” e pranojnë këtë marrëveshje. E shprehja në fjalë atyre as që do t’u binte ndërmend të formulohej ashtu. Ua kanë shkruar dhe mësuar shefat e tyre në Beograd. Që ta kenë si karrem për kapitullin tjetër, atë të vështirin të negociatave të vitit që vjen: bisedimet për menaxhimin dhe administrimin e pjesës veriore të vendit nën ambrellën e Prishtinës dhe Republikës së Kosovës. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është që situata e tashme e lënë gjysmëpezull me marrëveshje e negociata dhe karremin e serbëve të veriut u shërben Nikoliqit e Daçiqit që të kenë hapësirë më të madhe për ta marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në. Me apo pa këtë datë: prej sot serbët e veriut do të fillojnë ta kuptojnë që, jo përkohësisht por përjetësisht: do jenë pjesë e Republikës së Kosovës!   (Opinioni është marrë nga mediumet tjera)
21-23 dhjetori, NASA dhe fundi i botës
Lojërat pa kufij
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration