Integrimi i Ballkanit dhe fqinjësia e mirë
Vështrime

Integrimi i Ballkanit dhe fqinjësia e mirë

23.Mar.2013 09:24
0
Të jetosh në harmoni dhe fqinjësi të mirë, të punosh nën moton e integrimit dhe zhvillimit, padyshim që është domethënëse dhe kuptimplotë. Në historinë e saj, Shqipëria ka treguar se di të jetë një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon e më gjerë. Me politikën e saj, ka motivuar shqiptarët, kudo që ata jetojnë e punojnë, të shndërrohen në faktorë të fuqishëm shtetbërës, të japin kontributin e tyre në drejtim të zhvillimit, fuqizimit dhe modernizimit të këtyre vendeve. T’i shërbejnë paqes dhe prosperitetit, të jenë shembull harmonie dhe bashkëjetese.   Shkruan:Edmond Panariti; EDMOND-PANARITI-Ky pozicion dhe kujdesi që ajo tregon në marrëdhëniet me fqinjët e saj ka qenë i vlerësuar me meritë të veçantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një partner strategjik, por dhe nga të gjithë vendet e Bashkimit Europian e më gjerë. “Të jetuarit në diversitet” ka qenë motoja e presidencës shqiptare e Këshillit të Europës që Shqipëria promovoi gjatë kohës së drejtimit të saj, duke treguar edhe një herë fuqishëm se të gjithë së bashku mund të zhvillojmë rajonin, por në mënyrë të veçantë Ballkanin që është shtëpia jonë e përditshme. Dëshiroj të ndalem në mënyrë të veçantë në rajonin e Ballkanit, pikërisht nga fakti i të cilësuarit si shtëpia jonë e përditshme. Një fqinj i fortë, i zhvilluar në çdo drejtim është i kudogjendur dhe për tjetrin. Duke iu referuar të shkuarës së historisë ballkanike, me keqardhje më duhet të pohoj se Ballkani ka vuajtur pikërisht nga konfliktet duke na lënë pas në drejtim të integrimit të vendeve tona drejt shtëpisë së madhe europiane. Në këtë realitet të ri, në këtë shpejtësi të ndryshimeve dhe zhvillimeve të proceseve gjithëpërfshirëse, Ballkani duhet sa më shpejtë të shpëtojë nga kthetrat e debateve, përplasjeve, sherreve dhe konflikteve ndëretnike. Në të gjitha çastet, në çdo takim apo qëndrim të shprehur nga Shqipëria, përmes shkëmbimeve diplomatike, politike, ekonomike e të çdo fushe tjetër, është bërë e qartë se vendi ynë është për një politikë të fqinjësisë së mirë, të qenët faktor paqeje dhe stabiliteti. Në vetë programin e qeverisë shqiptare është e shprehur qartë se politika jonë e jashtme vihet në shërbim të integrimit të Ballkanit dhe fqinjësisë së mirë. Aq qartë është e shprehur dhe është ndjekur ajo, sa asnjëherë nuk mund të mbetet vend për diskutime apo hamendësime. Për të gjithë është i vlerësuar fakti se Shqipëria përmes politikës së saj të jashtme i konsideron parësore dhe të një rëndësie të veçantë marrëdhëniet me fqinjët. Duke ndjekur këtë politikë sot Shqipëria mbetet një faktor pozitiv që ndikon fuqishëm në përmbushjen e objektivit të integrimit europian të Ballkanit. Është fakt që sot vendi ynë ka shënuar rritje dhe nivele të larta të bashkëpunimit politik, ekonomik, social apo dhe kulturor me të gjitha vendet e rajonit. Për Shqipërinë, një rëndësi të veçantë merr fusha e sigurisë, pasi në optikën dhe vlerësimin e saj në çdo çast rajoni ballkanik konsiderohet si një vatër që duhet të gjenerojë stabilitet, mirëkuptim dhe integrim të përbashkët. Marrëdhëniet me Italinë dhe Greqinë si dy vende anëtare të NATO-s vazhdojnë të mbeten strategjike dhe të natyrës së partnerëve kryesorë tregtarë dhe ekonomikë. Marrëveshjet e nënshkruara me rastin e ndërtimit të linjës së gazsjellësit TAP treguan qartazi sa të rëndësishme janë këto marrëdhënie dhe sa pozitive është klima e tyre. Përmes aktivitetit të saj, politika e jashtme synon të rrisë nivelet dhe kapacitetet e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit dhe rajonit me synimin e qartë të përmirësimit, zgjerimit dhe forcimit të marrëdhënieve të shumëfishta me të gjithë këto vende. Sa më e mirë të jetë klima e bashkëpunimit mes nesh, sa më të qëndrueshme dhe të ndërsjella të jenë këto marrëdhënie, aq më shumë integrim dhe zhvillim do të ketë për të gjitha vendet tona. Do të ndalem në dy takimet e fundit që zhvillova në Tiranë me homologun tim të Malit të zi ministrin z. Igor Lukshiç dhe atë të Kosovës, ministrin z. Enver Hoxhaj. Të dy këto vizita kanë qenë të rëndësishme jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe më gjerë. Aktualisht, marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Malit të Zi janë model në rajon, dhe se përveç vullnetit të konsoliduar politik ato mbështeten në një bazë substanciale e konkrete bashkëpunimi. Gjatë bisedës me homologun Lukshiç u nënvizua se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve tona i shërben njëkohësisht paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe aspiratës së përbashkët të integrimit europian dhe atij atlantik. Por nuk mbetemi vetëm në dëshira apo konstatime për hartimin e projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, energjisë, turizmit, mjedisit dhe projektet ndërkufitare. Kjo vizitë u shoqërua me nënshkrime marrëveshjesh konkrete si: marrëveshja në kuadër të arsimit, marrëveshja për çështjet e shkëmbimeve të informacionit të klasifikuar, marrëveshja për njohjen reciproke të patentave dhe marrëveshje të tjera. Kjo padyshim i shërben materializmit të frymës së vullnetit të mirë dhe dëshirës për të çuar përpara axhendën e përbashkët. Veçanërisht u përqendruam në fushën e energjetikës ku tashmë kemi të materializuar projekte shumë të rëndësishme, siç është linja katërqind kilovoltshe midis Elbasanit dhe Podgoricës, që kërkohet të vendoset në operativitet të plotë. Ajo që është më thelbësore, unë i propozova z, Lukšić që vendet tona, Shqipëria dhe Mali i Zi dhe ndoshta edhe vende të tjera të rajonit, konkretisht Kroacia, të nënshkruajmë një memorandum të përbashkët të mirëkuptimit për të mbështetur projektin TAP. Aktualisht, vendet e rajonit po i japin njëra pas tjetrës një mbështetje këtij projektit duke treguar në këtë mënyrë rëndësinë e vënies në jetë të tij. Synimi ynë është që në kuadër të bashkëpunimeve si vende fqinje t’i japim mbështetje të gjerë rajonale projektit për gazsjellësin TAP. Po ashtu vizita e ministrit Hoxhaj, përveç shkallës maksimale të marrëdhënieve mes dy vendeve, vazhdon të materializohet në marrëveshje konkrete, të cilat i shërbejnë mbi të gjitha rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të popujve të dy vendeve. Institucionalizimi i marrëdhënieve qeveritare mes dy vendeve është një hap tjetër i rëndësishëm që i shërben këtij qëllimi jetik. Së bashku kryesuam Sesionin e Parë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin, Shqipëri-Kosovë në përfundim të të cilit, ne nënshkruam edhe Protokollin e këtij sesioni. Është për t’u gëzuar fakti që marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe të karakterit strategjik. Në pesë vjet të pavarësisë, ne kemi nënshkruar 52 marrëveshje, memorandume, protokolle bashkëpunimi. Në këtë linjë është edhe nënshkrimi i këtij protokolli, i cili nuk është i pari në rajon, pasi ne kemi nënshkruar edhe me vendet e tjera të rajonit protokolle të ngjashme. Padyshim nënshkrimi i një protokolli të tillë me Kosovën merr një rëndësi të veçantë. Në 7 vitet e fundit shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve tona janë shtatëfishuar, nga 23 mln euro në vitin 2005 kemi arritur afërsisht në 164.7 milionë euro në vitin 2012. Por, bashkërisht kemi vlerësuar se ka ende rezerva dhe potenciale të shumta të pashfrytëzuara mes dy vendeve tona, për t’i bërë të dy ekonomitë tona komplementare, drejt një tregu më të gjerë mbarë shqiptar në rajon. Sfida e të gjithë vendeve të rajonit, madje bashkimi i vërtetë të tyre, është krijimi i hapësirave sa më të mëdha të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve. Në funksion të këtij qëllimi, Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet e angazhuar. Jemi të bindur se ky protokoll me mekanizmat e tij operatorë, do t’u japë zgjidhje të shpejtë problemeve që lindin në bashkëpunimin tonë të suksesshëm ekonomiko-tregtar dhe, njëkohësisht, do të përgatisë, e përshpejtojë nënshkrimin e marrëveshjeve, protokolleve të tjera dypalëshe në fushat e interesit të përbashkët, si në bashkëpunimin ekonomik e tregtar, teknologjisë, industrisë minerare, pyjeve, ujërave, sigurimet shoqërore, arsimit etj. Pozitive cilësohen marrëdhëniet e vendit tonë me Maqedoninë fqinje ku vitet e fundit janë shënuar hapa të rëndësishëm në drejtim të ekonomisë. Dy vendet janë të interesuara për bashkëpunim në fusha të tilla si: energjia, infrastruktura dhe turizmi. Rëndësi merr përparimi në konkretizimin e projekteve të Korridorit pan-europian VIII. Por nuk duhen lënë pas dore dhe fusha të tilla si ajo e arsimit si investimi i domosdoshëm për të ardhmen e brezit të ri. Janë një sërë projektesh të realizuara që e bëjnë të qëndrueshme këtë marrëdhënie mes dy vendeve. Për mendim tim, ka ardhur koha që marrëdhëniet mes vendeve tona fqinje të shkojnë përtej retorikës së marrëdhënieve pozitive dhe dëshirës për të pasur fqinjësi të mirë. Në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë mbetet ende shumë për t’u bërë. Shqipëria ka një vullnet të fortë për t’i çuar ato përpara. Është koha që këto marrëdhënie të materializohen në fusha konkrete bashkëpunimi, të nënshkrimit të marrëveshjeve konkrete, të cilat i hapin dritën jeshile përafrimit mes vendeve tona dhe misionit të përbashkët; integrimin euroatlantik. (Autori është ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë)  
Myftiun Muamer Zukorliq do ta përcjellë fati i Gjinxhiqit?
Pirgu i shëndoshë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration