Vështrime
Individualizmi i shqiptarëve: Një kontekst problematik social
“Ç’është e vërteta, njeriu është i prirë të jetë i padurueshëm. Pse kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi, ndërkaq kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac…”!?
Shkruan: Fadil Maloku;
1. Individualizmi si kontekst problematik social
Individualizmi si një kontekst, por padyshim edhe si një vlerë e njohur e stimuluar dhe e pa kontestuar nga neoliberalizmi dhe të gjithë ata që e dëshirojnë dhe e ushtrojnë fuqizimin e kapitalizmit pa rregulla të duhura nga ana e aparatit të shtetit në sferën sociale dhe atë kulturore, është dëshmuar se ka sjellë një dobësim tejet të theksuar tek institucionet sociale, siç janë ai i familjes dhe ai i kohezionit farefisnor, që ndër shqiptarët ishte një model tejet interesant për t’i tejkaluar si situatat individuale ashtu edhe brengat kolektive të komunitetit. Tani, në kushtet dhe rrethanat e një ndryshimi rapid të sjelljeve tona, që deri dje ishin disi të mjaftueshme për ta ndërtuar jetën sociale të komunitetit, kemi filluar si shoqëri t’i ndjejmë pa dyshim efektet e modernizimit (apo procesit të globalizimit) të shpejtuar, ku vlerat e “pranuara” devijuese në mënyrë tejet vullnetare (!) po sjellin pasojat e (pa)pritura në shoqërinë tonë kosovare.
Themi kështu, ngaqë jemi dëshmitarë të shumë shëmtive që janë duke ndodhur në ne dhe midis nesh, që po i sjellin buzë greminës ish institucionet sociale që me shekuj ditën të mbahen. Ky proces i transformimit të shoqërisë kosovare, nga një shoqëri homogjene dhe mirë të integruar në rrafshin social e moral, në një shoqëri heterogjene dhe tejet të shpërndarë si në vendimmarrje sociale e morale, pa mëdyshje që do të prodhojë edhe koston e vetë jo vetëm në rrafshet e sipërpërmendura, por edhe atë ekonomik dhe sidomos kulturorë. Për këtë konstatim se kemi asnjë dilemë, edhe për shkakun se të njëjtin proces “emancipues” e provuan pothuajse të gjitha shoqëritë postkomuniste, ku më shumë e ku më pak.
Ajo çka gjykojë se duket shqetësuese në gjithë këtë kontekst të “emancipimit” për shoqërinë tonë, ka të bëjë më shumë me faktin e mundësisë së një çorientimi të mundshëm, apo ndoshta edhe një vonimi të skajshëm që mund të prodhojë në të ardhmen procesi i këtillë i shpejtuar i akulturimit që synim të vetëm e ka vetëm konsumin e vlerave kontestuese devijuese nga bota perëndimore. Po ashtu, si shoqëri që kultivoi shumë gjatë dhe me një xhelozi të habitshme jetën dhe kohezionin tradicional social e atë kulturor (kisha thënë edhe të veçanta, për shkak të rrethanave dhe trysnisë që ushtronte me aparatin e vetë represiv regjimi serb, në të gjitha rrafshet e mundshme sociale, politike, ekonomike dhe kulturore) ekziston rreziku shumë i madh i pamundësisë, apo pse jo edhe mosdijes, së bashku me mjeshtërinë, për t’u akomoduar tani me këtë sistem ende të pa provuar ndonjëherë.
Kjo “mosdije” se ka kuptimin e mosdijes ne kontekst të njohjes, por në kuptim të një pengese në kontekstin e mentalitetit tonë social që si pasojë e rrethanave dhe proceseve historike është ngulitur në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit shoqëror.
2. Nevojat dhe mundësitë si agjentë të socializmit
Pra, një shoqëri që nuk i ka të sinkronizuara sa dhe si duhet si nevojat, ashtu edhe mundësitë, mund të ketë probleme serioze të akomodimit me rrethanat e reja që hyjnë furishëm në përditshmërinë sociale, siç është rasti me neve shqiptareve.
Në fakt, kujtoj që si shoqëri tipike e gatuar, kështu siç jemi akoma, do të kemi probleme serioze edhe në kooptimin apo më mirë me thënë transplantimin artificial (edhe për shkak se imitimi gjithnjë është më i dobët se sa origjinali!) të këtyre vlerave në sistemin tonë të ri të vlerave të sjelljeve dhe qetësimit social e kulturor. Së këndejmi, nuk janë edhe të habitshme gjithë këto sjellje asociale (shtimi i vetëvrasjeve, rritja e prostitucionit, kriminalitetit, krimit të organizuar etj.) që janë duke ndodhur në shoqërinë kosovare, pikërisht si pasojë të mos seleksionimit dhe mos dallimit të mjaftueshëm midis asaj se çka njëmend është vlerë e çka devijim.
Kësaj, kur t’i shtojmë edhe proceset jo të natyrshme të zhvillimit të formës së parë të kapitalizmit në shoqërinë kosovare, që është tipik grabitqar, atëherë është e kuptueshme që edhe produktet devijuese dhe ato kulturore shumë lehtë mund të prodhojnë efekte negative dhe sjellje tipike devijuese “Made in Kosova”. Natyrisht, një studim empirik do t’i plotësonte të gjitha hipotezat tona të ngritura me këtë rast, e për këtë ndërmarrje lipset një eksplorim më i gjerë dhe më shumëdimensional.
3. Desocializimi dhe determinizmi social kosovar
Tani, meqë mekanizmi i demarkacionit midis asaj se çka është vlerë e çka devijim në shoqërinë kosovare po hetohet gjithnjë e më shumë, është duke humbur busulla e vet identifikimit, ose thënë në gjuhën sociologjike: po ndodhë një “ikje” apo largim i qytetarit kosovar nga vija e vlerave shoqërore tradicionale – pra largimit nga faktorët që atë e ngritën dhe e bënë “shqiptar”, ”kosovar” “ballkanas , “evropian” e kështu me radhë. I gjithë ky proces i shndërrimit të këtij tipi qytetari në një sui generis, apo në një rend prishës të normës së vet standarde sociale që e kishte socializuar individualitetin dhe personalitetin e tij gjatë situatave dhe proceseve të ndryshme të ndodhura në historinë e qenësimit, ka bërë që tashmë transplantimi i normave të reja në kodin identifikues të sjellë edhe procese të reja kontestuese sociale.
Themi kontestuese në kuptimin që të njëjtat janë gjithnjë në thumb të eksploruesve socialë, kudo në shkencat sociale, ndërsa në rastin tonë ato pretendimin e tyre për një amalgim të sigurt dhe afatgjatë janë duke e ndërtuar jo përmes një sistemi vlerash të pranuara kudo, por përmes atyre sjelljeve “periferike” që sjellin vetëm tëhuajësim dhe degjenerim të plotë nga vetvetja.
Shikuar nga ky këndvështrim, duket që “marrja” apo pranimi i vlerave të reja sociale nga të tjerët dhe margjinalizimi i atyre autoktone nga sfera kulturore, sot për sot në Kosovë është duke ndodhur me një shpejtësi marramendëse, gjë që nga disa kulturologë dhe punëtorë shkencorë socialë (të cilët mjerisht akoma s’i kemi!?) me siguri do të mund të cilësohej si një “ikje” nga liria e trungut në “robërinë” e periferisë së re sociale.
Në anën tjetër, ngjarjet shoqërore dhe dukurit sociale të cilat bëhen shkaktare për procesin e “ndërlikimit” të raporteve midis procesit fillestar që e shkaktojnë agjentët, siç janë ai i familjes, trashëgimisë dhe rolit të aktivitetit, mund të ndryshojë fal faktorëve tjerë ambientues që gjenerojnë pashmangshmërisht pasoja të parashikueshme. Së këndejmi, tendenca kah masivizimi i standardeve globale sociale e kulturore, pa dyshim do të prodhojë reperkusionet e veta të një tipi të ri të shoqërisë të identifikuar nga shumica e sociologëve si “shoqëri e rrjetëzuar”. Thënë më ndryshe, kjo nënkupton një proces tjetër të kombinimit të rrjeteve shoqërore e mediale, ku strukturat dhe pothuajse shumica e aktiviteteve sociale organizohen përmes rrjeteve informative të proceduara në mënyrë elektronike.
Pra, kemi të bëjmë me një fenomen të ri të rrjetëzimit social që domosdoshmërish procedon dhe menaxhon informatën si të tillë dhe shfrytëzojnë teknologjitë e bazuara në mikro-elektronikë. E themi kështu, ngaqë shekulli ynë është shekull i teknologjisë dhe inovacioneve, ku organizimi social – përveç mënyrës së rrjeteve sociale – imponohet dhe fuqizohet edhe përmes rrjeteve mediale duke zëvendësuar ose plotësuar gradualisht rrjetet shoqërore të komunikimit ballë për ballë. Në fakt, këtu lirisht mund të themi se kemi filluar të bëhemi shoqëri rrjetëzuar, sepse ai sot është bërë pjesë konstituive e përditshmërisë sonë në të gjitha poret e jetës sociale, kulturore, politike, ekonomike, e bile-bile kohëve edhe kulturore. Nuk është e rastësishme që rrjetet e tilla sociale si Facebook, Twitter, MySpace, AIM, IChat etj. ishin arma më e fuqishme që tronditën edhe tiranitë më të paskrupullta në Lindje. Të përkujtojmë “revolucionin” në Tunizi, Egjipt dhe vendet tjera arabe që pikërisht përmes përdorimit të këtyre rrjeteve sociale i transformuan vendet e tyre.
Tani, kur këto ndryshime rrënjësore që janë duke ndodhur në mënyrën tonë të sjelljes sociale, pikërisht përmes këtyre rrjetëzimeve sociale ne si shoqëri e re demokratike duhet padyshim që të provojmë jo vetëm t’i shfrytëzojmë ato në favorin tonë social, por edhe atë ekonomik, kulturor etj. Ngase, ky është një shans ideal që imazhin për individualizimin tonë tradicional, si një kod identifikues të kultivuar gjatë gjithë historisë, ta materializojmë në favor të dobisë së përgjithshme. E themi kështu edhe për shkak se kështu sot është duke funksionuar bota e civilizuar. Për këtë favor tonin i kemi paradispozitat e identifikuara: demografinë më të re në Evropë, dijen e servuar pikërisht përmes këtyre rrjetëzimeve, si edhe rrethanat e krijuara për të komunikuar dhe bërë gara me të tjerët.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!