Nën fatin e Vuçiqit

Nga Redaksia 30.12.2016 17:31

Në kushtet kur Lugina ka mbetur pothuajse vetëm se nën fatin eVuçiqit; organizimi, aktivizmi dhe bashkërendimi më efikas politik vendor mbetet alternativa e vetme ndaj shtypjes së qeverisë së tij. Alternativë ndaj nënshtrimit, në vend të nënshtrimit si alternativë

Shkruar nga: Belgzim Kamberi-Preshevë; 

Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj nga krijimi i qeverisë së re në Beograd dhe nga ndryshimi i pushteteve lokale në Preshevë dhe në Bujanoc. E nuk ka asnjë ndryshim thelbësor rreth të drejtave të shqiptarëve dhe zhvillimit ekonomik të rajonit me shkallën më të lartë të papunësisë në Serbi. Vazhdon shpërngulja e heshtur dhe e përshkallëzuar e qytetarëve. Paralelisht, së fundi, Serbia ka marrë vlerësime pozitive nga BE për plotësimin e kushteve në fushën e arsimit, pa zgjidhur çështjen e teksteve dhe planprogrameve për nxënësit shqiptarë, si dhe pa njohur diplomat e Kosovës sipas marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel.  Serbia mbase nuk është kushtëzuar me të drejtat e shqiptarëve të Luginës edhe në raportin e fundit të progresit (ku vetëm përmendet ‘problematika’ e mosintegrimit të shqiptarëve të Luginës). Me këtë trend, ajo me shumë gjasa do ta kaloj edhe “lehtësisht” kapitullin 23 dhe 24, në bisedimet për anëtarësim me BE, së paku në raport me Luginën e Preshevës. 

Pra, Beogradit zyrtar po i shpërblehen politikat e neutralitetit gjeopolitik dhe të presionit politik. Përderisa disa syresh besojnë naivisht në grackën se Serbia është para faktit të kryer për të zgjedhur "ose BE, ose Kosova"; Vuçiqi realisht po e vazhdon politikën "Edhe BE, edhe Kosova", “Edhe BE, edhe Rusia”, duke rritur presionin si jashtë, ashtu dhe brenda Serbisë. Një presion përmes të cilit po fiton më shumë hapësira për pretendimet e tij në Kosovë dhe në Bosnje; si dhe përbrenda Serbisë, për ta legjitimuar pushtetin e tij kundrejt kundërshtimeve politike dhe sindikaliste për pushtetin e tij autoritar dhe neoliberal.

Shantazhet e Qeverisë së Vuçiqit në rajon, neutraliteti i saj në marrëdhëniet midis Rusisë dhe NATO, si dhe pushteti i saj autoritar brenda Serbisë po ndikojnë drejtpërdrejtë në tolerimin e saj nga Brukseli dhe Uashingtoni, edhe lidhur me plotësimin e standardeve të të drejtave për komunitetet joserbe në Serbi. Ka kohë që çështja e demokratizimit të Serbisë nuk është prioritet ndërkombëtar lidhur me Serbinë. Mbase, vetë fakti se partneri i vetëm i mbetur i Brukselit dhe Uashingtonit për “evropianizimin” e Serbisë mbetet ish-krahu i djathtë i Sheshelit dhe ish-bashkëpunëtorët e Millosheviqit mbetet treguesi më i mirë i pasqyrës së Serbisë së sotme politike.

Roli “konstruktiv” i Vuçiqit në dialogun e Brukselit dhe në ruajtjen e “stabilitetit dhe integritetit territorial” të Bosnjes, ku angazhohet realisht për fuqizimin e Serbisë, përmes Republikës Srpska dhe Zajednicës, mbeten kartat e tij për pozicionimin e tij si faktor (de)stabiliteti dhe partner i nevojshëm ; në një Ballkan, që çdo ditë e më shumë po zhytet në interesat gjeopolitike të superfuqive më të pranishme në rajon, si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi.

Në këto rrethana të “paqes si mungesë lufte”, diku në lindje të Kosovës dhe në jug të Serbisë; Lugina e Preshevës po vazhdon të shtypet paqësisht nga qeveria “konstruktive” e Aleksandër Vuçiqit. Ndryshe nga Kosova; në Luginën e Preshevës, Serbia nuk paraqet vullnet të bisedojë me shqiptarët që jetojnë brenda integritetit teritorial të Serbisë. Jo vetëm ka bllokuar çdo dialog me përfaqësuesit politikë të Luginës, por nuk ka treguar asnjë vullnet për t’i integruar shtetasit e saj shqiptarë në sistemin shtetëror dhe publik të Serbisë, ku janë skajshmërisht të nënpërfaqësuar. Ky premtim i garantuar nga ndërmjetësuesit perëndimor gjatë negociateve për përfundimin e luftimeve midis forcave serbe të sigurisë dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc; ka mbetur i parealizuar pesëmbëdhjetë vjet pas asaj që u quajt Marrëveshje e paqes, të nënshkruar më 21 mars 2001 në Konçul të Bujanocit. Çmilitarizimi i UÇPMB-së nuk solli as largimin e premtuar të njësiteve të jashtëzakonshme policore dhe ushatarake serbe nga Lugina e Preshevës; por përkundrazi, në këtë zonë me shumicë shqiptare është ngritur në ndërkohë baza më e madhe ushtarake në Serbi dhe është shumëzuar së fundi prania e forcave ushtarake dhe policore në emër të luftës kundër trafikut të migrantëve dhe refugjatëve të Lindjes së Mesme.

Ky diskriminim shtetëror me format e « padukshme » bashkëkohore të shtypjes, të maskuar me një diskurs « demokratik » dhe « evropian », po vazhdon të kombinohet edhe me instrumentalizimin mashtrues të Qeverisë së Kosovës, që manipulon me Luginën e Preshevës, për ta legjitimuar procesin e saj negociues të disfavorshëm me Serbinë. Më se pesë vjet negociata me Beogradin në Bruksel nuk kanë mjaftuar që Qeveria e Kosovës të ndikojë as me njohjen e diplomave të Kosovës në Luginën e Preshevës dhe mos të flasim për ndonjë rezultat tjetër në përafrimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi me ato të serbëve në Kosovë. Të parëve ju tkurren vazhdimisht, të dytëve ju zgjerohen. Qeveria e Edi Ramës nuk ka arritur gjithashtu të sjellë ndonjë rezultat konkret nga marrëdhëniet e saj të fundit bashkëpunuese me Qeverinë e Vuçiqit. Përjashtuar iniciativën simbolike për zgjidhjen eventuale të disa teksteve mësimore të shkencave ekzakte për nxënësit shqiptarë të Luginës, nuk ka pasur asnjë veprim tjetër konkret nga qeveria shqiptare që ka ndikuar në avancimin e pozitës të të drejtave kombëtare shqiptare në Luginën e Preshevës.

Të shtypur nga Beogradi dhe të harruar nga Prishtina, Tirana dhe Brukseli; gjendjen në Luginë nuk e ndihmon as edhe organizimi i dobët i brendshëm politik. Me një potencial politik të tkurrur, si pasojë e shpërnguljeve të vazhdueshme të popullatës, përfshirë edhe të kuadrove më politike; organizimi politik në Luginë lëngon edhe nga përçarjet dhe sidomos nga mungesa e zhvillimit të politikave cilësore dhe aktive; që do të mund të ndikonin në Qeverinë e Serbisë që t’i plotësojë obligimet e saj ndaj Luginës së Preshevës. Në kushtet kur Lugina ka mbetur pothuajse vetëm se nën fatin eVuçiqit; organizimi, aktivizmi dhe bashkërendimi më efikas politik vendor mbetet alternativa e vetme ndaj shtypjes së qeverisë së tij. Alternativë ndaj nënshtrimit, në vend të nënshtrimit si alternativë. /zeri/

Nga Redaksia 30.12.2016 17:31
Shkruaj Koment

Asnjë koment

Ende nuk ka komente!

Më lejoni tju them një histori të trishtuar! Ende nuk ka komente, por mund të jeni i pari që e komentoni këtë artikull.

Shkruaj një koment
Shiko të gjitha komentet

Shkruaj Koment

Hyrje

Fushat e patjetërsuara janë të shënuara me *

Nëse nuk jeni të regjistruar, atëherë klikoni Regjistro!

Para se të dërgoni komentin Tuaj ju lutemi që t’i përmbaheni rregullave të mëposhtme:

Mendimet e shprehura në komente janë opinione private të autorëve të komentit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet e redaksisë së portalit informativ Titulli.

Gjithashtu lusim lexuesit e portalit Titulli që gjatë shkruarjes së komentit t’i përmbahen drejtshkrimit.

Redaksia mbanë të drejtën e mos aprovimit të komenteve me përmbajtje fyese, që janë vulgare, kërcënuese, raciste si dhe ato të cilat bëjnë thirrje në urrejtje etnike dhe nuk kontribuojnë në komunikim normal mes lexuesve të këtij portali.

Komentet që nuk kanë të bëjnë me temën dhe kanë përmbajtje të papërshtatshme rreth jetës private të personit në artikull, apo fyerje në autorët e tekstit si dhe anëtarët e redaksisë, nuk do të aprovohen.

Vërejtje: Për të dërguar komentin së pari duhet të regjistroheni me emrin (pseudonimin), me të cilin pas aprovimit nga redaksia, këtë emër unik (pseudonim) mund ta shfrytëzoni për dhënien e opinionit tuaj në hapësirën për komentim.