Ibrahim Rugova vazhdues i platformës së Lidhjes së Prizrenit
Vështrime

Ibrahim Rugova vazhdues i platformës së Lidhjes së Prizrenit

03.Feb.2013 18:19
0
Kryengritja ose lufta e fundit për Kosovën dhe përmbyllja e saj me sukses, nuk mund të përvetësohet nga ndonjë individ i veçantë dhe as t’i atribuohet si meritë vetëm një personi apo një grupi politik. Lufta e fundit e udhëhequr nga UÇK-ja është vetëm një segment, mbase ndër më të suksesshmit të një procesi të gjatë për lirí dhe krijim të shtetit shqiptar. Në këtë proces të gjatë për çlirim kombëtar morën pjesë të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh besimin fetar, orientimin politik, aspektin krahinor, vendndodhjen apo ndonjë veçori tjetër. Shkruan; Rrustem Mustafa; remiPjesëmarrja masive në kryengritje, si dhe refuzimi edhe më masiv i bashkëpunimit me regjimet sunduese të okupuesve, ka një traditë më të vjetër sesa që vlerësohet. Shumica e rrëfimeve për zhvillimin e kryengritjeve janë përshkruese të sakta, por jo edhe tërësisht të analizuara sa duhet. Mungon përkufizimi i burimit të vërtetë të këtij frymëzimi që nxiti organizimin e një vargu kryengritjesh për çlirim të territoreve të okupuara shqiptare, gjithandej ku ata jetonin. Të gjitha këto zhvillime morën hov dhe përmbajtje kolektive në kohën kur në skenën historike doli Lidhja e Prizrenit (1878 – 1881), si iniciativa më kulmore për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. . Në këtë kuvend gjithëkombëtar, që zhvillohej me pjesëmarrjen e 300 delegatëve nga të gjitha viset shqiptare, u morën disa vendime të cilat si atëherë, ashtu edhe sot dhe në të ardhmen, do të shërbejnë si busull orientuese historike për shqiptarët, kudo qofshin ata. Këshilli drejtues i Lidhjes së Prizrenit, i përbërë nga 60 anëtarë solli konkluzat që në trajtë të peticionit iu dërgua fuqive të mëdha. Si prezantues të peticionit u caktuan Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioni. Konkluzat e Lidhjes së Prizrenit përmbanin në vete po ato kërkesa që sot e gjithë ditën e përcaktojnë kornizën e veprimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve: 1. Shqiptarët nuk do të lejojnë që tokat e tyre t’u jepen shteteve fqinje; 2. T’u rikthehen të gjitha territoret e pushtuara nga fqinjët e tyre: Mali i Zi, Serbia dhe Greqia; 3. Të informohen të gjitha misionet diplomatike për këto kërkesa; 4. T’u njihet e drejta e shqiptarëve për pavarësi; 5. Të mos dërgohen më administratorë nga Porta e Lartë për të qeverisur me Shqipërinë, por ata të zgjidhen nga vetë populli shqiptar; 6. Të mos rekrutohen më shqiptarët dhe të mos paguhen taksat etj. Sot politikanët shqiptarë jashtë shtetit ámë ende veprojnë me platforma që burojnë nga gurra e Lidhjes së Prizrenit dhe jo vetëm në rrafshin e elaborimit politik, por edhe në segmentin e udhëheqjes. Njëri nga udhëheqësit më të lakuar në këtë kontekst historik, Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, programin e tij politik e kishte ndërtuar mbi premisat programore të Lidhjes së Prizrenit, duke shtuar dhe ruajtur me xhelozí orientimin e paluhatshëm të politikës properëndimore të shqiptarëve. Ai ishte udhëheqës politik dhe personifikim i përcaktimeve rilindase shqiptare. Prej fillimit deri në përfundim të jetës dhe të karrierës së vet politike, ai me devotshmëri e ruajti këtë kurs të suksesshëm strategjik, që dha kontribut të pamohueshëm në përkufizimin e drejtë dhe në perceptimin pozitiv të çështjes së Kosovës. . Ai, si pinjoll i frymës rilindase, zuri të ngecë në segmentin e përdorimit të mjeteve, pa të cilat nuk mund të arrihet liría. Ai mbeti në dimensionin e përkufizimit më shumë voluntarist, teorik, sesa praktik të çështjes së Kosovës. Mbase për shkak të karakterit të tij iluminist nuk arriti ta kapërcejë atë barrierë psikologjike dhe ta organizojë luftën nacionalçlirimtare. Këtë mangësi të politikës së tij e plotësuan të tjerët që kishin kapacitete morale, kombëtare dhe bindje racionale se liría nuk vjen me retorikë, sado që ajo të jetë efektive dhe homogjenizuese. Kosova në momente vendimtare nxori në skenën historike atë kategori të veçantë të njerëzve që kishin vetëbesim dhe gatishmëri që ta merrnin mbi supet e tyre përgjegjësinë e çlirimit të Kosovës, përmes organizimit të kryengritjes së armatosur. Me këtë konstatim hidhet dritë mbi një fakt që shpesh anashkalohet: strategjia kompensuese e faktorit politiko-ushtarak shqiptar ose korrigjimi i ndërsjellë i gabimeve që shfaqeshin në planin politik dhe ushtarak. Ky ndërveprim kompensues funksiononte edhe kur marrëdhëniet ndërmjet faktorit politik dhe atij ushtarak ishin të ndera. Antagonizmi ndërmjet faktorit politik dhe atij ushtarak nuk prodhoi luftë të brendshme, por u shndërrua në një strategji të veprimit komplementar, përmes së cilës korrigjoheshin gabimet ose kompensoheshin mangësitë. Pra, ideja rreth së cilës po mblidheshin djemtë e UÇK-së, ishte ide e vjetër që u skalit nga rilindësit tanë dhe që u përurua nga Lidhja e Prizrenit. Rrënjët e politikës kombëtare shqiptare duhen kërkuar te Lidhja e Prizrenit. Kjo platformë shërbeu dhe vazhdon të shërbejë si fanar orientues, si frymëzim i vazhdueshëm, si strumbullar rreth të cilit, përgjatë gjithë historisë sonë të re, grumbulloheshin kapacitetet kombëtare. Programi i saj ishte i rëndësishëm në disa aspekte: - shënonte vazhdimësi me organizimet e ngjashme paraprake për çlirim dhe formim të shtetit shqiptar, sidomos me epopenë e Skënderbeut; - u jepte legjitimitet angazhimeve të reja për çlirim nga zgjedha e huaj; - krijonte vazhdimisht unitetin mbi baza kombëtare që i përfshinte të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare: fetare, krahinore, qytetëruese, etj; - rrënonte argumentin “historik” serb për Kosovën. Lidhja e Prizrenit është dëshmia kapitale, se filli historik i përpjekjeve shqiptare për çlirim nga zgjedha osmane nisi në Kosovë. Parë nga ky aspekt mund të përfundojmë se në Kosovë nuk është zhvilluar asnjë aksion i rëndësishëm për çlirimin dhe krijimin e shtetit modern serb. Pra, as nga aspekti real historik Kosova nuk ka qenë serbe (djep i Serbisë), sepse në territorin e saj nuk është zhvilluar asnjë aktivitet, madje as politik, në favor të kauzës serbe. Së këndejmi, Kosova është territor i pushtuar nga serbët, jo për shkaqe mitike religjioze, por thjesht pragmatike. Pushtimi i Kosovës ishte parapërgatitje për pushtim të Shqipërisë Veriore. Në atë kohë, sidomos gjatë luftërave ballkanike, serbët, grekët dhe bullgarë bënin plane për zgjerim të territorit të shteteve sapo të pavarësuar ballkanike, kryesisht në dëm të shqiptarëve. Propaganda e këtyre shteteve i paraqiste shqiptarët si instrumente të turqve, si ushtarë të paskrupullt në aspektin qytetërues. Kjo propagandë shpifëse e kishte indoktrinuar aq keq opinionin, saqë shqiptarët perceptoheshin si turq, kështu që mllefin e hakmarrjes e zbraznin mbi ta, madje sot e kësaj dite. Së këndejmi, UÇK-ja e ditëve tona u formua nga kjo edukatë kombëtare që ndërlidh periudhën e Lidhjes së Prizrenit me ngjarjet vijuese. Fëmijët shqiptarë lindnin dhe rriteshin në këtë atmosferë që krijonte një klimë të sfidimit të vazhdueshëm të pushtetit të huaj. Rekrutimi i të rinjve shqiptarë dhe anëtarësimi i tyre në lëvizjet ilegale për çlirim të tokave shqiptare zhvillohej lehtë dhe pa ngurrim. Me këtë konstatim mund të shpjegohet rritja e pabesueshme e radhëve të UÇK-së, sidomos pas rënies së kullës së Jasharajve dhe rezistencës së tyre heroike dhe të veçantë. Djemtë që inkuadroheshin valë-valë në radhët e UÇK-së ishin të formuar kombëtarisht dhe të motivuar mirë për misionin e ri. Ata dinin se ku shkojnë dhe çka i pret. Rinia shqiptare ishte përgatitur me vullnet të lirë që të përballet me përvojën e re, madje mezi priste që të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj Kosovës, duke luftuar kundër një force ushtarake të armatosur deri në dhëmbë që funksiononte si bashibozukët e periudhës osmane. Nga kjo që u tha më lart, mendoj se duhet shpjeguar dilema dhe dhënë përgjigjja se kush e krijoi UÇK-në. Përpjekja për të emëruar apo gjetur ideologët e kryengritjes në fund të viteve të shekullit të kaluar është e kotë dhe natyrisht e pasuksesshme. Përpjekjet për vetëvendosje e pavarësi të shqiptarëve janë të pareshtura, por analiza duhet nisur me një shembull paradigmatik, me Lidhjen e Prizrenit, ngaqë ajo ngjarje shënon kthesë në historinë shqiptare. Deri në Lidhjen e Prizrenit shqiptarët nuk vepronin si një komb, por në mënyrë fragmentare./Titulli.com/
Vandalizmi, o njerëz na lini të qetë!
Oliver Jens Schmitti versus Kombit shqiptar
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration