Lokale
Haradinaj: Nuk u provokua Beogradi me lapidarin e UÇPMB-së
[caption id="attachment_55675" align="alignleft" width="300"] Ramush Haradinaj[/caption]
Lideri i AAK-së dhe ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se shqiptarët e Luginës nuk e kanë provokuar Qeverinë e Serbisë me lapidarin e vendosur në sheshin e Preshevës.
Gjatë qëndrimit në emisioni “Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan, Haradinaj ka thënë se shqiptarët në Luginë janë flijuar në kërkim të lirisë dhe kjo ishte e drejt universale.
“Unë besojë që vendosja e lapidarit të UÇPMB-së nuk ishte provokim. Qeveria serbe edhe nga aspektet legale kishte bërë një marrëveshje me UÇPMB-në, një marrëveshje të paqes dhe kishte pranu si një lloj pale UÇPMB-në. Nëse flasim nga ligjet e brendshme të Serbisë por edhe nga parimet e të drejtës dhe lirisë, është e drejt universale dhe njerëzit atje ishin fliju në kërkim të lirisë e cila iu mohua edhe popullit serb nga regjimet e mëhershme”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se shqiptarët në Luginë aspirojnë që të jenë pjesë e Kosovës dhe sipas tij është e drejtë e tyre për të kërku me i taku trungut amë ashtu si edhe në vendet tjera. Mirëpo Haradina tha se “ata me siguri e kanë pas edhe si opsion të vetin arritjen e më shumë lirive në vend të vet”.
“Edhe pse e kanë një aspiratë të bashkimit me trungun amë, ata sot politikisht kanë një listë të kërkesave për më shumë liri në vendin ku jetojnë”, ka shtuar kryetari i AAK-së.
Në pyetjen e gazetarit, se në qoftë se në veriun e Kosovës në zonat e banuara me serbë do të ngritet një monument kushtuar pjesëtarëve serb të vrarë në luftë kundër shqiptarëve,si do të ishte reagimi i Qeverisë së Kosovës, Haradinaj tha se Qeveria është shumë gjeneroze në trajtimin e specifikave të komuniteteve.
“Nuk mund të flasim politikisht për një rast të tillë, por jam i bindur se Kosova do të sillej në bazë të standardeve Evropiane dhe ne asnjëherë s’do të kishim me dëshmu forcën ndaj një përmendoreje”, ka përfunduar Haradinaj./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!