Vështrime
Falja e mëkateve dhe e mëkatarëve për lehtësundim
Njeriu me tiparet dalluese nga qeniet tjera, në vrojtimin pamor e dëgjimor e ka vetëm gjuhën si mjet komunikimi. Ai me këtë mjet ka arritur aq shumë të bëjë dallimin cilësor me të gjitha krijesat e kësaj bote, sa në shumë raste vendos edhe për fatin e tyre jetësor.
Shkruan: Sabri Morina
Pra, ai vendos ku ato duhet të jetojnë, në natyrë të hapur, të prangosura në kafaze apo të izoluara në burgjet fushore, të cilat ne i quajmë « kopshte zoologjike » ! Njeriu vendosë edhe sa ato duhet të jetojnë ! Por shtrohet pyetja vallë, se pse njeriu ndaj njeriut është edhe më pak njerëzor se ndaj kafshëve ?!
Dëshmitë nga trashëgimia arkivore e historike janë trishtuese ! Kështu kanë dëshmuar e rrëfyer edhe librat e shenjtë, kështu kanë rrëfyer të vuajturit, kështu ka folur historia e njerëzimit !
Kështu shumë tmerrshëm ka folur edhe historia e brezit tonë, ku ne lexonim se si një rexhim kmeruzh i Kamboxhes-Kampuçias e kishte një sundimtar kanibalist të paparë- Pol Potin , por kështu ndodhi në luftërat kroato-serbe, boshnjako-serbe dhe së fundmi shqiptoro-serbe !
Ne Evropa Juglindore e kishim Pol Potin tonë, ai ishte populisti SM, nuk ma ka ëndja t’ia them emrin ! Qasja e polpotiste ishte shumëfish më antinjerëzore dhe më e egër se sa ndaj kafshëve ! Keqtrajtimeve më të tmerrshme iu nënshtruan popujt të cilët, ishin pengesë për jetësimin e synimeve plotësisht dominuese të një race që në asnjë mënyrë numerikisht nuk ishte më e madhe se ajo e jona, por edhe sikur të ishte, nuk ishte popull dominant as numerikisht, bile së bashku me ne bie në grupin e të vegjëlve !
Po të ishin vetë serbët të mëdhenj (ata thonë për vetveten se janë popull hyjnor ) do të njiheshin për fitore të mëdha, të paktën të një beteje me ndonjë perandori ! Ata sulmuan pjesën më të pafajshme më të pambrojtur, pleqtë, fëmijët, ndërsa gratë i dhunuan (nuk them se i ç’nderuan, sepse mendrisht e shpirtërisht nuk iu nështruan dhunës fizike e seksuale) !
Këto sjellje kaq të egra kaq kundërnjerëzore, te ne në Kosovë por edhe tek pjesa e mbetur jashtë shtetit amë, filloi të krijojë një frymë të fuqishme qëndrestare, e cila krijoi një bashkim shpirtëror ndërshqiptar të paparë ! Fjala e popullit se shqiptarët i bashkon lufta, apo tjetra që është më popullore dhe më e drejtpërdrejt se, « shkau mbi krye, shqiptarët i bën krye për krye » u dëshmua në epokën e mbijetesës e cila kulmoi me aksionin e paparë gjithëkombëtar për pajtimin e ngatërresave dhe gjaqeve!
Pak më herët vitet e tetëdhjeta, ishin vite të demonostrimit dhe të kalitjes, ndërkaq fundvitet e kësaj dekade u shënuan me një shpërthim të gjithanshëm gjithëpopullor ! Aq të shumta janë vuajtjet, sa nuk ka laps që mund t’i arrijë ato !
Sa brez fatkeq që ishte ky brezi ynë, por edha sa krenar ! Megjithatë edhe në këtë kohë kur hapur dihej rruga e popullit, shtrohet pyetje se vallë a pati në mesin tonë soditës, dyshues e mosbesues në ëndrrën tonë të lirisë dhe të mëvetësisë ? përgjigjia dihet ! Por, ata sot po na dalin më të mençurit, sepse kur i pyesnim përse ne kur ngremë zërin ndaj kanosjes së hapur ?! Ju nuk flisnit ! Përse heshtnit ? Përse votuat për ndryshimet kushteuese serbe, përse u bëtë masha e diferencimeve dhe fushatave tjera ?!
Përgjigjet e tyre janë të çuditshme, sepse thonë, ne kemi heshtur për t’i mbrojtur shokët, ne kemi punuar më shumë se ju por fshehtë, ose ne nuk e kemi përkrahur as burokracinë tonë ! Përgjigje të çuditshme bastarde, sepse nuk kishte më arsye kur koha e heshtjes kishte marrë fund, kishte nevojë për zë mbështetës të të drejtës ; me heshtje e aprovim të synimeve gjenocidiste shumë të hapura të gjithë ishim në përballje të hapur, pra a kështu mbroheshin shokët vallë ?!
Neve e as minatorëve të Trepçës as rinisë shkollore e studentore, nuk i dhimbsej as Azemi e as Kaçusha por Kushtetuta! Eh tash vallë ku i kemi këta njerëz sot? Përgjigjia është e dhimbshme, sepse këta janë të privilegjuarit në punë, e punësim e ku jo?
Por sikur të ishin më të mirë të paktën profesionalisht hallall! Këto veprime nuk janë falje e mëkatit dhe e mëkatarëve por shpërblim për lehtsundim! Për çfarë morali kombëtar e vizionar flasin bosët e partive tona politike, ato tash janë parti e jo lëvizje!
Profilizimi i tyre po ecën jo rrugës së idealit dhe të parimeve, por synim i tyre është pushteti me puthadorë! Sepse me ta më lehtë manipulojnë e abuzojnë! Secili bashkëpartiak i tyre që ngre zërin kundër anomalive të pa përballueshme shpallet heretik! Ne heretikëve që nuk guxoni të na shpallni publikisht, sepse nuk e keni kurajon të ballafaqoheni me ne!
Duhet ta dini, se rreth jush që silleni si pronar të një partie a të një institucioni, fundin do ta keni të mjerë, sepse keni dashur të rrethoheni me njerëz të tillë! Jam i bindur se po vie fundi i pabesimtarëve dhe i sundimtarëve të vegjël e të mëdhenj! Kështu më inspiroi e kaluara dhimbshme e krenare (shpalosa pak ditarin tim pesëvjeçar), kështu më tha zëri i revoltës së kohës që sot po e jetojmë!
(Autori është përgjegjës lëndor i lëndëve shoqërore-gjuhësore. Nënkryetar i LDK-së për Kamenicë)
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!