Vështrime
Divorci dhe çrregullimet familjare!
Temat me karakter social siç janë familja, divorci (shkurorëzimi), martesa dhe tema të tjera, ku do në botën bashkëkohore sot, kanë zëne vend qendror në kërkimet shkencore, debate dhe të tjera, si pasoj e ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në shoqëri. Me këtë rast, do të ndalim në trajtimin e përgjithshëm të fenomenit të shkurorëzimit.
Shkruan: MSc. Besim Gollopeni
Si në çdo vende të zhvilluar, po ashtu edhe në vendet në zhvillim, numri i shkurorëzimeve përgjithësisht është në rritje. Por ç’tregon kjo rritje? Dobësim të lidhjeve familjare apo krizë të martesës dhe marrëdhënieve martesore, rënie të prestigjit shoqërorë të martesës dhe familjes? karakterin e ngushtë të motiveve mbi bazën e të cilave lidhet martesa dhe krijohet familja? shkallë të lartë të emancipimit të marrëdhënieve martesore e familjare apo mosbesim për të ardhmen e vetë familjes? Në të vërtetë nëse themi se kjo apo ajo është arsyeja, do të gabojmë, sepse, arsyet janë aq të përgjithshme saqë ndryshojnë nga vendi në vend dhe në kohë. Studiuesit social, prej kohësh, janë vënë në kërkim të një përgjigje sa më të plotë e të argumentuar të pyetjes. Pse ndodhin shkurorëzimet? Si pikënisje e studimeve mbi shkurorëzimin, të kryera thuajse gjatë gjithë shekullit XX, ka shërbyer teza se niveli i shkurorëzimeve është i lartë atje kur niveli i integrimit social është i ulët. Ndër treguesit e shkallës së integrimit social dhe që, për këtë arsye, ndikon mbi shkurorëzimin, sipas studiuesve, është shkalla e ndryshimit të popullsisë, stabiliteti, ose e kundërta, mos stabiliteti i saj, migrimi, niveli i urbanizimit etj.
Tranzicioni nëpër të cilin po kalon shoqëria kosovare, sikur lehtë u shëndrruam nga një shoqëri tradicionale në një shoqëri të hapur dhe konsumuese të vlerave perëndimore pa pasur vëmendje të shtuar në selektimin e vlerave pozitive në njërën anë, dhe në anën tjetër, pa qenë të përgatitur ekonomikisht si familje - shoqëri dhe gjithashtu, sikur shoqëria e në veçanti familja kosovare thuajse ishte ngopur me vlerat tradicionale madje, qofshin edhe ato (vlerat) më të mirat se gjëkundi, gjë të cilat me kënaqësi do të duhet ti ruajmë, kjo e fundit nuk ndodhi dhe sot dita ditës dukurit apo fenomenet shoqërore po zënë vend në familjen kosovare duke bërë që të kemi çrregullime familjare (shkurorëzime në rritje, martesa të vonuara, lindja të vona, lindje të pakta, etj), e që për pasoj vijnë ndryshimet familjare dhe demografike disfavorizuese për të ardhmen.
Në të kaluarën (në familjen tradicionale), roli i familjes ishte kyç në zgjidhjen e problemeve bashkëshortore ndërsa tani, sikur zgjidhja e problemeve bashkëshortore të cilat qojnë deri tek ndarja, thuajse janë bërë përgjegjësi e vet qiftit bashkëshortor. Pra, roli i familjes është zbehur në masë të madhe në zgjidhjen e problemeve, sidomos në viset urbane e veçanërisht te çiftët me shkallë të lartë të shkollimit dhe emancipimit, etj. Ndryshimet e këtilla kanë bërë që të vihet shumë më lehtë deri te marrja e vendimit përfundimtar për tu shkurorëzuar. Me këtë rast, krijohen zbrazëtira në familje dhe pasoja të pashlyeshme në jetën familjare. Pra, shkurorëzimi është një proces i tërë, i gjatë dhe i ndërlikuar që kalon në një sërë fazash ose etapash (paranderja, ndarja, ambientimi, riorganizimi, dhe rimartesa), secila paraqet probleme të ndryshme për të shkurorëzuarit dhe familjet e veçanta që vazhdojnë për periudha kohe, të varura nga shumë faktorë.
Me realizimin e studimit në vitit 2007, kemi arrit të kuptojmë se pasojat e shkurorëzimit janë të shumta e të ndryshme, varësisht nga gjendja ekonomike e qiftit të shkurorëzuar dhe mosha e tyre.
Gjendja e rënd sociale – ekonomike në vend edhe më tej e rëndon jetën e të shkurorëzuarve dhe fëmijëve të tyre, përkatësisht gjininë femërore kur dihet niveli i ulët i shkollimit, shkalla e lartë e papunësisë e cila sjellë një perspektiv të zymtë për të shkurorëzuarit posaçërisht për gjininë femërore. Ndërkaq, pasojat që më së shumti vijnë në shprehje pas shkurorëzimit janë: zvogëlimi i aftësisë reproduktive të femrës, heqja dorë nga rimartesa, heqja dorë nga lindjet në rimartesë, paraqitja e stresit, mërzisë, kujdesi i pamjaftueshëm i fëmijëve, suksesi i ulët në mësime i fëmijëve të prindërve të shkurorëzuar dhe krejt në fund përhapja e dukurive negative si prostitucioni, droga, alkooli e dukuri tjera.
Sipas studimeve sociologjike grat janë ato që vuajnë më shumë sa i përket pikpamjes ekonomike, gjë që kjo është më se evidente për shoqërinë kosovare dhe në të shumtën e rasteve gruaja e shkurorëzuar shkon në gjini duke u bërë kështu barrë e familjes, ndërsa nga pikpamja psikologjike e sociale studimet e shumta kanë treguar se përshtatja është e njejtë për të dy sekset.
Në dekadën e fundit në Kosovë, shkurorëzimi ka shënuar një rritje të theksuar madje nëse bëjmë një krahasim me fillimin dhe fundin e dekadës që lamë pas është trefishua (në vitin 2000 ishte 3.33%). Gjatë studimit të realizuar (me 2007), kemi ardhur në përfundime se në vitin1970 çdo i 44 çift i kurorëzuar shkurorëzohej ndërsa, në vitin 2007 çdo i 11 çift i kurorëzuar shkurorëzohet. Këto rezultate tregojnë se sa në të vërtet ka shënuar rritje shkalla e shkurorëzimit në Kosovë. Studimet janë fokusuar dhe në të tjerë tregues të cilët qojnë deri te shkurorëzimi respektivisht ndarja siç janë : hyrja në moshë të re në martesë, diferencat për nga mosha dhe niveli i shkollimit, niveli i punësimit te burrat dhe gratë, të ardhurat personale, alternativa martesore, simptomat e depresionit, mënyra e jetesës para dhe pas martesës për burrin e posaçërisht për gruan etj.
Shkurorëzimi si dukuri është pjesë e çdo shoqërie, ku më pak e ku më shumë e theksuar mirëpo, siç e kemi cekë më lartë, arsyet e shkurorëzimit dallojnë nga vendi në vend, ta marrim shembull SHBA-në, një ndër vendet më të mëdha të industrializuar, ku numri i shkurorëzimeve është shumë i madh, e që ka ndikim zhvillimi i lartë ekonomik e social.
Ndërsa, vendet tjera si Kanadaja etj, të cilat me anë të ligjeve kanë mundësuar shkurorëzim më të lehtë, gjë që ka ndikuar në rritjen e numrit të shkurorëzimeve. Por, nuk janë vetëm këta faktor të cilët kanë ndikuar në rritjen e numrit të shkurorëzimit. Ndikim të madh kanë edhe luftërat. Lufta e Dytë Botërore, p.sh. Shkatërroj shumë familje. Në Britani, në vitin 1974, shkurorëzimet u rritën dhjetë herë në krahasim me paraluftën.
Ndërsa në shoqërinë kosovare, studimi i kryer ka treguar se shkaqet kryesore që qojnë te shkurorëzimi janë: tradhtia bashkëshortore paraqitet si një ndër shkaktarët kryesor që qon drejt shkurorëzimit, mospërshtatja e karaktereve, implikimet familjare (përzija e anëtarëve tjerë në jetën bashkëshortore), ndikim jo të vogël ka edhe emigracioni, situata e pavolitshme ekonomike dhe raste të tjera. Një ndër shkaqet mjaft prezentë dhe me rëndësi që qon në shkurorëzim të qifteve në Kosovë në kohët e tanishme është edhe prezenca e dhunës familjare, posaçërisht e dhunës së ushtruar ndaj gruas nga ana e bashkëshortit apo anëtarët tjerë të familjes së bashkëshortit.
Duke pasur parasysh gjendjen jo të volitshme sociale – ekonomike në vend, edhe më tej kjo gjendje rëndon në jetën e të shkurorëzuarve dhe fëmijëve të tyre, përkatësisht gjininë femërore kur dihet niveli i ulët i shkollimit, shkalla e lartë e papunësisë sjell një perspektiv të zymtë për të shkurorëzuarit posaçërisht për gjininë femërore. Kujtoje jetën e rëndë sociale – ekonomike para shkurorëzimit, një indikator që sjell konflikte në familje e shpesh herë qon deri te ndarja por kur ja shtojmë edhe ndarjen, jeta e tyre edhe më tej përkeqësohet, raste të tilla mund të sjellin deri te dukurit patologjike. Ndërkaq, vihet re se burrat e shkurorëzuar kanë mundësi 2 – 3 herë më të madhe për të zgjidhur problemet e tyre ekonomike. Fakti që grat vuajnë ekonomikisht më shumë në Kosovë, shpjegohet me kushtet e veçanta, me vështirësi ekonomike të cilat rëndojnë më tepër mbi gratë.
Jeta e personave të shkurorëzuar në kontekstin e shoqërisë sonë përcillet edhe me një ndikim të madh të stigmës dhe izolimit social të tyre dhe familjeve të tyre, posaçërisht ndaj gruas. Gruaja, në familjet tradicionale, e më pak në kohët e sotme, është privuar nga e drejta e kontaktimit të fëmijëve të saj, ndërsa është mohuar nga shumë privilegje sociale, kështu duke u izoluar brenda shtëpisë pjesën më të madhe të kohës. Ndërsa, familja e saj është etiketuar në forma të ndryshme nga rrethi për një kohë të gjatë.
Si përfundim, përshtatja në jetë pas shkurorëzimit është një hallkë që përjetohet rëndë nga të shkurorëzuarit, posaçërisht nga gjinia femërore e sidomos atyre prindërve që kanë lënë fëmijët e tyre. Ndarja nga fëmijët për të dy prindërit është shumë e rëndë, e veçmas nga gjinia femërore ajo përjetohet rëndë. Kush do të përkujdeset për fëmijët? A kanë për të ngrënë e për të pirë? etj. të gjitha këto sa vijnë e dobësojnë shëndetin e nënave dhe në të shumtën e rasteve jetën e tyre e bëjnë të pa perspektivë. Kjo ndodhë në Kosovë, për faktin se gjendja e rënd sociale dhe ekonomike e në raste të veçanta edhe mentaliteti patriarkalist ja pamundëson gruas të marrë përgjegjësinë e kujdesit të fëmijëve të saj.
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!