Lokale
Dialog, para armëve!
Dalja në skenë e Armatës Kombëtare Shqiptare (AKSH) dhe deklaratat e tyre për të hyrë në luftë me Serbinë, nuk priten mirë nga opinioni kosovar.
Ligjvënësit dhe analistët politikë konsiderojnë se Luginës së Preshevës nuk i duhet forcë guerile “kaçake” por i duhen veprime konkrete politike nga Prishtina dhe Tirana. Sipas tyre, çështja e Luginës së Preshevës është problem politik dhe duhet të zgjidhet me mjete politike.
Ish-përfaqësuesi politik i UÇPMB-së, Jonuz Musliu konsideron Lugina e Preshevës ka mbetur pas dore, ndonëse sipas tij, Kosova i ka pasur edhe hallet e problemet në këtë 10-vjetorin e fundit. “Që pas përfundimit të luftës së UÇK-së, Kosova ndoshta nuk ka mundur të merret me hallet dhe problemet e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, por tash pas 5 vjetëve shtetësi, besoj që duhet ta tregojnë atë shtetësinë”, ka thënë Musliu. Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria, janë shtete, i kanë ushtritë e tyre, mirëpo njëherë duhet të ndiqen rrugët institucionale e pastaj të tjerat. “...megjithatë kur “s’ka shi bën edhe breshër”, ka thënë Musliu.
Ndërkaq, anëtari i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi thotë se pamjet e njerëzve të maskuar dhe pjesërisht të armatosur, ndonjëherë pavarësisht qëllimit që kanë, efektin e kanë të keq. “Presheva ka nevojë të mbrohet, shqiptarët në Preshevë t’i mbrojnë dhe sendërtojnë trojet e veta, por kjo që pashë mbrëmë më tepër m’u duk si një skeç qesharak që i duhet preshevarëve në këtë kohë. Shqiptarët kanë luftuar gjithmonë për liri, por nganjëherë pa dashje mund ta vrasin qëllimin e vet, para se ta vrasin armikun”, ka thënë Selimi.
Daljen në skenë të AKSH-së, ai e sheh më tepër si goditje ndaj qëllimit, sesa ndaj armikut. “Presheva, shqiptarët e Preshevës në fakt ndjehen si të thuash si një jetim, por kur është për të marrë nga ata edhe Prishtina edhe Tirana merr, kur është për t’i dhënë distancohet edhe Prishtina edhe Tirana, por sidoqoftë Prishtina edhe Tirana në këtë rast janë dy qeveri, kurse populli e kombi është një”, vlerëson Selimi.
Ai ka thënë se Presheva dhe shqiptarët në Preshevë në tokat e tyre etnike po vazhdojnë të mbeten nën dhunën, represionin, okupimin dhe gjithsesi nën terrorizimin që i bëhet atyre nga forcave dhe politikës serbe.
“Pra, ai është vend i pushtuar i Shqipërisë dhe si e tillë duhet të çlirohet. Ne duhet të ruajmë diçka, që po e humbëm nuk mund ta fitojmë më”, ka thënë Selimi.
Nga ana tjetër, analisti nga Lugina e Preshevës, Belgzim Kamberi thotë se Lugina ka nevojë për mbështetje institucionale. Ai nuk sheh asnjë arsye për grupe të armatosura duke pasur parasysh që Kosova i ka institucionet e saj të sigurisë dhe me mbështetje institucionale duhet të kontribuojë rreth zgjidhjes së çështjes së Luginës, si dhe ta shtrojë çështjen e Luginës edhe në Bruksel. “Sa më shumë që institucionet dhe Qeveria e Kosovës e injorojnë Luginën aq më shumë u jepet hapësirë për veprime tjera politike jashtë-institucionale”, ka thënë Kamberi.
Analisti Halil Matoshi konsideron se AKSH si një "formacion ushtarak" virtual është shfaqur në internet me komunikata dhe me pamje të maskuara edhe gjatë luftës në Luginë të Preshevës edhe asaj në Maqedoni. Mirëpo sipas tij, roli i tyre në këto dy luftëra është i pasqaruar, i dyshimtë apo i mosqenë!. “Sepse në Luginë u krijua atëbotë UÇPMB e në Maqedoni UÇK. Kjo organizatë është në Listën e Zezë të Presidentit George W. Bush e pasuar nga Presidenti Barack Obama. Kosova dhe Shqipëria duhet të sillen me përgjegjësi shtetërore e jo me 'kaçakllëk', sepse shteti krijohet dhe njihet në marrëdhëniet ndërkombëtare për të mos u lënë hapësirë veprimi grupeve joformale dhe bandave të ndryshme të maskuara”, ka thënë Matoshi./Fadil Sertolli/Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!