Thaçi të iniciojë reciprocitet
Lokale

Thaçi të iniciojë reciprocitet

14.Jan.2013 09:51
0
hashim_thaci_-_ivica_dacic_-_montazha_e_zeritMiratimi i rezolutës serbe për Kosovën, përmes së cilës këmbëngulet se autonomia për veriu s’ka alternativë, heq dilemat se çështja e veriut të Kosovës përfundimisht do të negociohet në takimin e 17 janarit në mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Dacic. Aprovimi i rezolutës serbe ka ngjallur reagime në Kosovë, për çka vlerësohet se nëse veriu shtrohet në tavolinën e bisedimeve ndërmjet dy kryeministrave, atëherë duhet kërkuar zgjidhje reciproke edhe për Luginën e Preshevës. Vetëm katër ditë para se të mbahet takimi i radhës në mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit, Kuvendi i Serbisë ka miratuar një rezolutë për Kosovën përmes së cilës Beogradi synohet të nxirret autonomi për veriun e Kosovës, pjesë kjo që banohet nga shumica serbe dhe e cila tash e sa vite nuk i nënshtrohet kontrollit të Prishtinës zyrtare, shkruan “Zëri”. Derisa Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar bisedime në nivel kryeministrash nën ndërmjetësimin e Brukselit zyrtar, tashmë janë hequr dilemat se çështja e veriut do të shtrohet në takimin e 17 janarit, edhe pse kjo është në kundërshtim me deklarimet e deritashme të kryeministrit Thaçi dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët kanë përsëritur refrenin e tyre të njohur se “në asnjë rrethanë me Beogradin nuk do të diskutohet për çështjet e brendshme të Kosovës”. As autoritetet e Bashkimit Evropian në Bruksel dhe as Prishtina zyrtare nuk kanë pranuar ta komentojnë aprovimin e Rezolutës serbe për Kosovën, të miratuar nga Kuvendi i Serbisë. “Nuk kemi kurrfarë komenti as për Platformën as për Rezolutën”, ka thënë zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic, për disa media, duke shtuar se për baroneshën Ashton është më e rëndësishme që të dy palët të mbesin të përkushtuara për dialogun. Pavarësisht së vetëm edhe katër ditë na ndajnë nga takimi i radhës në mes dy kryeministrave, Rezoluta e Parlamentit serb për Kosovën definon qartë politikat me të cilat Beogradi zyrtar do t’i qaset Kosovës dhe dialogut, në anën tjetër Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi s’ka hartuar asnjë propozim-dokument për veriun që pritet të shtrohet në raundin e ardhshëm. Numri dy i ekzekutivit, Hajredin Kuçi, vazhdimisht ka përsëritur deklaratën e tij se krejt çka do të prezantohet në këtë raund të bisedimeve do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe pakos së presidentit Ahtisari. Megjithatë, sipas tij, kryeministri Hashim Thaçi nuk do të shkojë në Bruksel me duar në xhepa në takimin e 17 janarit për t’u takuar me homologun e tij Ivica Dacic, derisa ka sqaruar se pse në takimin e ardhshëm duhet të bisedohet për veriun, duke thënë se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton edhe mosndërhyrjen e njërit shtet në punët e brendshme të shtetit tjetër. “Procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve nënkupton edhe procesin e mosndërhyrjes së njëri-tjetrit në punë të brendshme. Serbia në 13 vitet e fundit ka ndërhyrë në atë pjesë, ka ndërhyrë me financimin e strukturave ilegale. Bisedat do të jenë se si Serbia do të heqë ato struktura dhe po ashtu të mos i mbështesë dhe të mos krijojë iluzion se do të ketë situatë tjetër atje”, ka thënë Kuçi. E nga ana tjetër, jo rrallëherë politikanë nga Kosova, sikurse edhe njohësit e rrethanave politike, kanë ndërlidhur veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës si probleme që kërkojnë zgjidhje reciproke, në dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Analisti politik nga Kosova Lindore, Belgzim Kamberi, konsideron se “topi” është në anën e Prishtinës zyrtare dhe, sipas tij, kryeministri Thaçi duhet të marrë përgjegjësinë politike për të parashtruar problemin e Luginës së Preshevës në bisedimet që po i zhvillon me Serbinë. “Është momenti i fundit që Prishtina zyrtare të tregohet më e përgjegjshme politikisht në raport me Kosovën Lindore. Vetë autoritetet e Prishtinës e kanë faktorizuar veriun e Kosovës në një pozitë më të favorshme se sa Luginën e Preshevës, edhe pse tash është momenti që Kosova ta përdorë parimin e reciprocitetit, ndonëse është vonuar në këtë drejtim, por në takimin e 17 janarit kryeministri Thaçi nuk duhet ta humbasë hapin për ta krijuar parimin e barazisë në mes veriut dhe Luginës së Preshevës”, ka thënë Kamberi. Edhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, i cili vjen pikërisht nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, vlerëson se veriu dhe Kosova Lindore kërkojnë zgjidhje reciproke. “Në qoftë se kërkohet të dilet përtej planit të Ahtisarit, atëherë Hashim Thaçi duhet kërkojë që e njëjta gjë t’i sigurohet edhe Luginës së Preshevës”, ka thënë ai. /Titulli.com/
Dialog, para armëve!
Diaspora: Mos e lëvizni lapidarin
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration