Bota në 2019 dhe Ballkani Perëndimor
Vështrime

Bota në 2019 dhe Ballkani Perëndimor

30.Dec.2018 08:34
0

Retro

Viti 2019 do të mundë ta rikthejë historinë. Bota do të sfidohet nga rinuklearizimi bipolar dhe nga vakuumi në lidershipin evropian pas zbehjes së “Treshes-M” të BE-së, e cila deri më tash funksionoi duke u  bazuar në imagjinatën franceze, vendosmërisë gjermane dhe shmangien britanike.

Viti 2019 do të jetë shumë sfidues për marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjysma e parë e tij do të jetë me shumë të panjohura. Gjysma e dytë, ndërkaq, do të kalojë me marrjen me pasojat e tyre.

Në vitin në të cilin po hyjmë tri çështje do ta dominojnë agjendën botërore.

Në shkurt do të dihet nëse do të shfuqizohet Traktati Amerikano-Sovjetik mbi Reduktimin e Armëve Bërthamore (INF,1987). Kur duket se marrëdhëniet e tyre bilaterale filluan të zbuten pas paralajmërimit për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria ultimatumi dymujor amerikan ndaj Rusisë sikur paralajmëroi rikthimin e vokabularit të nxehtë të luftës së ftohtë. Marsi pritet të përfundojë enigmën dyvjeçare nëse Britania e Madhe përfundimisht do të dalë nga BE-ja, kurse maji i vitit 2019 do të japë përgjigjen për konfigurimin e ri politik në BE, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Rinuklearizimi bipolar?

Nëse nuk ndodh skenari i dëshiruar - ai i rinegocimit të Traktatit Amerikano-Rus të Denuklearizimit, shfuqizimi i tij do të mundë ta sjellë botën para rinuklearizimit bipolar. Ndoshta është e tepërt të thuhet se njerëzimi do të rrezikohej nga ndonjë përplasje bërthamore, por pa këtë traktat me siguri paqja dhe siguria botërore do të rrezikohen dukshëm. Vakuumi i tillë i pakontrolluar i armatimit global do ta kërcënojë më së shumti Evropën, ku Rusia ka qasje më të përafërt tokësore për vendosjen e sistemeve të saj raketore, duke krahasuar nga SHBA-ja (që pos në Gjermani), përgjigjen ndaj sfidave të tilla ruse mund ta bëjnë në vijë detare - përmes Mesdheut. Por edhe këtu në një kontekst të ndryshuar gjeostrategjik pas vendimit amerikan për tërheqjen ushtarake nga Siria. Sidomos pas penetrimit rus në Detin Azov dhe me kontrollit de facto rus të Detit të Zi. Pa përjashtuar këtu as retron e krizës raketore në Kubë pas paralajmërimit rus për vendosjen e sistemeve raketore në Venezuelë. Në Oqeanin e Qetë ndërkaq Kina pritet të jetë shumë më aktive ushtarakisht, në veçanti në detet që ajo i konsideron “kineze”.

Në vitin 2019 amerikanët do të jenë para dilemës së dyfishtë strategjike: t’i rikthehen Evropës (boshtit Atlantik) - përballë Rusisë apo të pozicionohen në Azi, (boshti paqësor), pas avancimit ushtarak të Kinës?

Zgjedhja e opsionit të dytë do të mundë të ishte me pasoja për sigurinë evropiane. Sidomos kur në mandatin (mbase të fundit presidencial) Putini pas rikthimit të pozitave sovjetike (në Ukrainë, Gjeorgji dhe Siri) do të vazhdojë edhe në pika tjera strategjike të fqinjësisë së ish-Bashkimit Sovjetik, duke mos përjashtuar as Ballkanin, (ku tashmë është në Serbi dhe Republika Serbe).

Kërkesa e presidentit Trump (në samitin e fundit të NATO-s) drejtuar aleatëve evropianë për dyfishimin e buxheteve të tyre nacionale për aleancën veriatlantike inauguroi një logjikë të re në boshtin 70-vjeçar transatlantik: “No free lunch”. Pra, pse taksapaguesit amerikanë dashkan të paguajnë më shumë se ata evropianë - për sigurinë e këtyre të fundit?

Vakuumi i lidershipit evropian

Dobësimi i boshtit të Atlantikut në Evropë në vitin që vjen do të ndodhë nëse Brexiti edhe jetësohet. Nëse nga marsi i vitit 2019 Britania e Madhe përfundimisht del nga BE-ja kjo do të shënojë edhe dobësimin e amerikanizmit në Bruksel. Sidomos nëse pas daljes britanike nga BE-ja do të procedohej me iniciativën franceze (të përkrahur nga gjermanët) për ushtrinë evropiane. Mirëpo kjo ka pak gjasa të ndodhë pas dobësimit “të treshes evropiane M”: paralajmërimi i kancelares Merkel për tërheqjen nga politika; shpëtimi nga mocioni i mosbesimit të kryeministres britanike May dhe dobësimin e presidentit francez Makron pas protestave të jelekëve të verdhë.

Dhjetë vjet më parë Bourlanges shkruante: “BE-ja funksionon duke u bazuar në imagjinatën franceze, vendosmërinë gjermane dhe shmangies britanike”. Po në vitin 2019 a do të korrespondojë fuqia politike e kësaj treshe të madhe evropiane me fuqinë e saj financiare (prej rreth 70% të GDP-së së BE-së)? Apo dobësimi i treshes evropiane do të ndikojë edhe në rikonfigurimin e përgjithshëm evropian?

Këtë vakuum lidershipi evropian do të gjejë zgjedhjet evropiane të majit të vitit që vjen kur forcimi i krahut populist dhe i të djathtës ekstreme në Evropë do të mundë ta ristrukturonte BE-në për pesë vjetët e ardhshme.

Nëse fitoret e para të forcave anti-BE në zgjedhjet nacionale të disa shteteve anëtare do të përsëriteshin edhe në zgjedhjet paneuropiane ideja për Evropën e bashkuar do të zbehej dukshëm. Edhe para këtyre zgjedhjeve evropiane qeveritë në Itali, Hungari, Poloni, Rumani, Sllovaki, Çeki, qartë u pozicionuan si mbrojtëse të sovraniteteve nacionale ndaj ndërhyrjeve unioniste të Brukselit.

Zgjerimi i BE-së, viktima e parë e përplasjes sovranistët vs. unionistët

Përplasja midis sovranistëve dhe unionistëve do ta dominojë edhe fushatën e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe humbja eventuale e këtyre të fundit do të ndryshonte edhe politikat strategjike të BE-së.

Viktima e parë e fitores eventuale të euroskeptikëve do të mundë të jetë politika e zgjerimit të BE-së, e cila pas status quo-së 15-vjeçare në Ballkanin Perëndimor tek në vitin 2018, sikur u ringjall. Qasja mohuese ndaj zgjerimit të mëtjemë të BE-së do të mundë ta rikonfiguronte edhe Komisionin Evropian dhe eventualisht të hiqte edhe atë gjysmëportofol të komisionarit aktual për Zgjerim, me çka perspektiva evropiane për rajonin do të mbeste vetëm një floskulë filozofike - pa themel institucional.

Një zhvillim i tillë krahas perëndimit të karrierës politike të kancelares Merkel - lideres së pashpallur evropiane - do të dobësonte dukshëm edhe procesin e saj për Ballkanin Perëndimor - atë të Berlinit - të inaugurua në vitin 2014.

Duket se 2019-a mund të shënojë një rikthim të historisë ose të asaj që kemi menduar se i takon së kaluarës: luftës së ftohtë, rivalitetit bllokist, Evropës Lindore kundër BE-së ose “Evropës së Re vs. Evropës së Vjetër”.

Retrovizori historik mbase nuk do ta pasqyrojë vetëm atë që menduam se është pas nesh.

Mirë se vini në vitin retro!

Shkruar nga Blerim Reka: (Autori është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike dhe ish-ambasador në BE)

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration