Asociacioni jetim i Luginës
Vështrime

Asociacioni jetim i Luginës

20.Sep.2015 23:14
0
Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare në Serbi është një dëshirë e shqiptarëve, e shkruar në një deklaratë të miratuar në një takim, të bojkotuar madje edhe nga partitë opozitare të Luginës, para dhjetë ditësh. Si dëshirë e kanë jo veç shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Por, qoftë nga përçarjet, mosinteresimi apo ngathtësia udhëheqësve shqiptarë në rajon u mungon strategjia politike për ta realizuar atë.

Shkruan: Brikenda Rexhepi

Nusja që morëm në familje para disa vjetësh ma mësoi një histori për të cilën as nuk u shkrua as nuk u dëgjua sa do të duhej. Ndoshta që kishte ndodhur menjëherë pasi u çlirua Kosova. Në një kohë kur shqiptarët e Kosovës ishin të ekzaltuar me fundin e së keqes dhe fillimin e ri për ta. Kur bashkësia ndërkombëtare kishte bërë një hap shumë të madh për të ndalur krimin ndaj shqiptarëve dhe spastrimin etnik të tyre, dhe tani donte t’i jepte një fund ndërhyrjeve duke mbyllur sytë ndaj një spastrimi tjetër që kishte nisur. Kur mediat botërore ishin përqendruar në raportet e fundit përmbledhëse për luftën e Kosovës. Kur Serbisë i kishte mbetur vetëm Lugina për ta shfryrë mllefin ndaj “dajakut ndërkombëtar” që e hëngër shkaku i Kosovës.

Ankthi që ne e hoqëm qafe u përqendrua në Luginë. Bashkëkombësit atje vazhduan ta jetonin atë që ne më nuk po e përjetonim nga serbët – diskriminimin, përçmimin, arrestimin, përzënien, dhunën... Dhe për këtë, jo bashkësia ndërkombëtare, por as Prishtina e as Tirana nuk bënë gjë. As më 1999 kur forcat serbe që po tërhiqeshin nga Kosova po e vazhdonin zullumin në Luginë; as pas Marrëveshjes së Konçulit të vitit 2001 pas kryengritjes së UÇPMB-së; as ndërkohë kur politika diskriminuese e shtypëse e Beogradit po vazhdonte t’ua bënte jetën e vështirë shqiptarëve; as tani kur Serbia po i betonon strukturat e veta nëpër Kosovë duke u thirrur në të drejtat e serbëve që jetojnë këtu, leksion ky që as Shqipëria as Kosova nuk po kanë kapacitet ta kuptojnë, e as ta mësojnë.

Nusja, një ditë tek po bënim muhabet për luftën, nisi të tregonte se çka kishte përjetuar familja e saj, të përshkruante bastisjen e shtëpive, përndjekjen e njerëzve, ndarjen e burrave dhe grave, ikjen nëpër mal, ankthin e rrugëtimit me ditë të tëra për një vend të sigurt... E pyetëm: “Ke qenë në Kosovë gjatë luftës?” Tha: “Jo, në Luginë, pas luftës në Kosovë!”

Ajo për të cilën sot flasin udhëheqësit politikë të shqiptarëve atje është përgjysmim i numrit të nxënësve nëpër shkolla fillore. Flasin për lëvizjet demografike, ilustruar nga rasti më i keq: Medvegja, e cila nga 5 mijë e 500 shqiptarët që ka pasur, sot i ka vetëm diku pak mbi 500. Dhe në këtë situatë, ku më nuk kemi të bëjmë me vlerësime politike, por ku flasin numrat vetë, Beogradi jo që nuk arsyetohet por edhe e pengon pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhje – të atyre që i ka dëbuar nga shtëpitë e nga prona, por që ende figurojnë në listat e votuesve. Këtë e bën për t’u siguruar që politika serbe e 1999-s të mos shkojë huq. Një vazhdimësi për të cilën përkujdesen figurat politike të ngritura po ashtu gjatë viteve nëntëdhjetë.

Ato edhe sot e udhëheqin Serbinë me të njëjtën mendësi, por të kamufluar me fjalët e integrimeve evropiane. Një situatë absurde të cilën po e lejon dhe madje edhe po e përkrah bashkësia ndërkombëtare, ngase ka të bëjë me një vend të cilin dikur e ka rrahur e tash po e merr me të mirë. Një vend që megjithatë di ta luajë lojën shumë mirë, krahasuar me Kosovën e Shqipërinë që, përveç përrallave për Kosovën Lindore, nuk kanë treguar kurrfarë aftësie politike e strategjike në mbrojtje të interesave të shqiptarëve. Kjo madje, jo veç të atyre në Luginë.

Në këtë situatë, udhëheqësit e komunave të Luginës vendosën ta bëjnë vetë një potez. Këshilli Kombëtar Shqiptar javën e kaluar miratoi një deklaratë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare. Deklarata parasheh që Asociacioni të ketë fuqi të njëjtë juridike me Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë dhe që në çdo rast do të aplikohen parimet e reciprocitetit.

Nuk janë të paktë zërat që këtë shpikje e shohin si një potez të duhur. Në teori edhe është i tillë – i duhur dhe i vonuar madje. Por, brenda kontekstit, ai nuk mund të shërbejë për asgjë më shumë se për të ilustruar dallimet, thënë më mirë të kundërtat, e dy asociacioneve.

Asociacioni i komunave serbe në Kosovë është një projekt i planifikuar nga Beogradi, me një vizion e interes të qartë për të shtuar e përforcuar praninë e vet në Kosovë. Ndonëse si ide thirret në të drejtat e serbëve, në të vërtetë taktizon e manipulon me ta, siç ka bërë edhe më herët, me sukses, në procese të tjera. E për të garantuar suksesin edhe këtu, ka përfshirë bashkësinë ndërkombëtare dhe natyrisht institucionet e Kosovës, në atë që quhet normalizim i raporteve mes dy vendeve, e ku, fatkeqësisht, Asociacioni përbën veç një element. Në këtë garniturë të Beogradit, institucionet kosovare po shërbejnë për t’i miratuar dhe përligjur interesat e Serbisë, kurse bashkësia ndërkombëtare për t’i vulosur ato.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare në Serbi është një dëshirë e shqiptarëve, e shkruar në një deklaratë të miratuar në një takim, të bojkotuar madje edhe nga partitë opozitare të Luginës, para dhjetë ditësh. Si dëshirë e kanë jo veç shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, por edhe ata që jetojnë në Kosovë e Shqipëri. Madje po t’i pyesësh edhe ata në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe ata në diasporë.

Dallimin gjejeni vetë!

 

Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin mendimin e Portalit Informativ-TITULLI   

Bizneset e Kosovës mund ta krijojnë fondin gjerë në 4 milion në vit për Luginën e Preshevës
Ndryshimi përmes tri "P-jave""“ Propagandë, Premtime dhe Pallavra
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration