Amnesty International thirrje Serbisë: Mos i shit më armë Kamerunit
Pasi në një video ekzekutimesh në Kamerun u shfaqën ushtarë që përdornin armë të prodhuara në Serbi, Amnesty International i ka kërkuar Serbisë të mos i eksportojë më armë këtij vendi.Amnesty International tha për BIRN se Kameruni ka përdorur armët serbe në një “shkelje sistematike” të të drejtave të njeriut dhe i ka bërë thirrje Serbisë të pezullojë eksportin e armëve në shtetin afrikan.
“Duke pasur parasysh dëshminë e besueshme të një Zastava M21 që u përdor nga ushtarët e Kamerunit për të kryer ekzekutimet e tmerrshme jashtëgjyqësore të dy grave dhe dy fëmijëve të vegjël, Serbia – një furnizues kryesor i armëve të vogla në Kamerun – duhet të pezullojë furnizimet e mëtejshme,” tha për BIRN Patrick Wilcken, hulumtues i kontrollit të armëve në Amnesty International.
“Kjo nuk është hera e parë që Amnesty International ka dokumentuar abuzime të të drejtave të njeriut nga forcat kamerunase duke përdorur armë të vogla serbe. Përkundrazi, kjo tregon një model shkeljesh sistematike,” shtoi Wilcken.
Komenti erdhi pasi Amnesty dhe Bellingcat deklaruan se kishin vërtetuar se arma që shihej në videon e ekzekutimit të grave dhe fëmijëve, të akuzuar se i përkisnin grupit terrorist islamik Boko Haram, ishte një Zastava M21 i prodhuar në Serbi.
Arma është prodhuar në kompaninë shtetërore të armëve Zastava në qytetin qendror të Kragujevacit.
Ministria e Tregtisë e Serbisë, e cila jep leje për eksportin e armëve, dhe Ministria e Mbrojtjes, nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN për shitjen e armëve në Kamerun deri në kohën e publikimit të lajmit.
Sipas të dhënave nga Traktati i OKB-së për Tregtinë e Armëve, Kameruni ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të armëve serbe që nga viti 2013.
BIRN raportoi në shtator të vitit të kaluar se në Kamerun dhe Nigeri ishin kapur pamje mitralozash serbë Coyote, mesa duket, të marra nga luftëtarët e Boko Haram.
Më 12 korrik, Amnesty raportoi se një hetim “kishte mbledhur prova të besueshme se ishin ushtarë të Kamerunit ata që shfaqeshin në një video ku kryheshin ekzekutimet e tmerrshme jashtëgjyqësore të dy grave dhe dy fëmijëve të vegjël”.
Issa Tchiroma Bakary, Ministri i Komunikimit i Kamerunit, e hodhi poshtë këtë video si lajm të rrem, por tha se autoritetet do të zhvillonin një hetim.
“Edhe pse ne kemi treguar se ajo është e rreme, kreu i shtetit ka udhëzuar ministrin e mbrojtjes të hapë një hetim të detajuar në të cilin asnjë gur nuk duhet të lihet pa lëvizur,” citoi ITV në Mbretërinë e Bashkuar të ketë thënë Bakary.
Amnesty, megjithatë, deklaroi se “si armët ashtu edhe uniformat e ushtarëve në video janë tregues të Ushtrisë së Kamerunit dhe detajet e shfaqura përputhen me një numër njësish të mundshme, përfshirë këmbësorinë të rregullt dhe Batalionin e Ndërhyrjes së Shpejtë (BIR), forcat speciale të Ushtrisë së Kamerunit.”
“Pretendimi fillestar i autoriteteve të Kamerunit se kjo video tronditëse është e rreme thjesht nuk qëndron,” tha Samira Daoud, zv/drejtoreshë e zyrës së Amnesty International për Afrikën Perëndimore, në raportin e Amnesty.
“Provat që kemi ofruar përbëjnë një bazë të fortë për të sugjeruar fuqimisht se individët që kryejnë këto mizori janë anëtarë të forcave të armatosura të Kamerunit.”
Paul Biya, i cili ka qenë president i Kamerunit për 36 vjet, po përballet me akuza për abuzime brutale të të drejtave të njeriut.
Më 13 korrik, Associated Press raportoi se Biya është “një nga liderët që ka ndenjur më gjatë në krye të vendit” dhe se “ai mbikëqyr një vend afrikan që po përballet me një lëvizje separatiste anglofone dhe kërcënimin nga ekstremistët e Boko Haram që kalojnë kufirin nga Nigeria.”
CNN raportoi më 14 qershor, duke cituar një raport të Amnesty International, se anglishtfolësit në vend po shënjestroheshin nga ushtria e Kamerunit dhe separatistët në një dhunë që Amnesty e përshkroi si “të paligjshme, të tepruar dhe të panevojshme”./birn/a.m.