28 Qershori
Miti i 28 Qershorit i cili është paraqitur si histori, ka luajtur një rol të rëndësishëm për Ballkanin, e sidomos për serbët. Ringjallja e mitit të 28 Qershorit, ka qen gjithherë arsye për të inkurajuar hapa me përmasa tragjike për popujt e Ballkanit, por edhe për gjithë botën.
Shkruan: Albinot Maloku
Ky mit është fuqizuar deri në atë mas, sa edhe është shenjtëruar, mirëpo ky shenjtërim nuk i ka shërbyer së mirës dhe paqes, por të kundërtës. Fillesa e ndërlidhjes së ngjarjeve të mëpastajshme, ka ndodhur me 28 Qershor të vitit 1389, kur Perandoria Osmane në Fushën e Mëllenjave në Kosovës e goditi deri në mundje koalicionin e ushtrive të Gadishullit Ilirik, i cili më pastaj u njoh si Gadishulli Ballkanik.
Këtë betejë të humbur të ushtrive Ballkanike e përvetësoi Kisha Ortodokse Serbe, e cila e futi në analet e historisë serbe si betejë të tyre, duke e ngritur deri në sakralitetin më të lartë të besimit.
Nga ky moment data e 28 Qershorit, e njohur edhe si Dita e Shën Vitusit ose Sveti Vidov Dan është imponuar gjeneratë pas gjenerate te çdo serb si ditë e kujtimit për Betejën e Kosovës dhe vrasjen e princit Lazar. Ky kujtim gjithherë ka shërbyer dhe është përdorur jo për të kujtuar sakrificën, por për të sulmuar të tjerët.
Dita e Shën Vitusit, 28 Qershori, më pastaj për çdo ngjarje ku serbët patën dorë filloj të veçohet në histori si ditë e kobshme. Me 28 Qershor të vitit 1914, anëtari i formacionit Bosna e Re, serbi Gavrillo Princip në Sarajevë vrau Arkidukën Franz Ferdinand, trashëgimtarin e fronit të Hapsburgëve dhe vuri në lëvizje ngjarje që quan deri te shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Kur Kongresi i Berlinit mbështeti perandorin Austro-Hungareze për ta pasur të drejtën e qeverisjes mbi Bosnje dhe Hercegovinën, Serbia u nda e pa kënaqur nga se kjo shkonte në kundërshtim me interesat e tyre, dhe nga kjo rrjedh se terroristi Gavrilo Princip pati mbështetjen e fuqishme të kryetarit të qeverisë serbe, Nikolla Pashiq. Serbët ishin mos-mirënjohës kur perandoria Austro-Hungareze i doli në mbrojtje të pavarësisë së tyre, në vitet 1885-86 kundër okupimit të Serbisë nga Bullgaria. Sot, 100 vite pas atentatit të Sarajevës, historia serbe dhe politika zyrtare e mbrojnë Gavrillo Principin si hero i cili luftoi kundër perandorive pushtuese, sikurse edhe princin Lazar, duke harruar se ishin po këto perandori që e ruajtën Serbin çoftë si principatë, çoftë si shtet.
Në Ditën e Shën Vitusit, me 28 Qershor të vitit 1920, Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve miratoi Kushtetutën e saj, e emërtuar si e Shën Vidovitit. Trajektorja e piketimit të datës 28 Qershor për ngjarje specifike në historinë politike serbe u ripërtëri në përmasa tragjike, me 28 Qershor të vitit 1989, kur Sllobodan Millosheviçi mbajti fjalimin para pothuajse një milion serbëve në Fushë-Kosovë.
Nga ky moment Ballkani u përpi nga një tragjedi deri në gjenocid. Filluan luftërat e një-pas njëshme nga Kroacia, Bosnja deri në Kosovë, ku edhe filloj shkërmoqja e shtetit të Jugosllavisë. Që të gjitha betejat e nisura, serbët i shfrytëzuan gjoja për paqe në Ballkan, por nën dominimin e tyre. Princi Lazar i ftoj të gjitha ushtritë e popujve të Ballkanit për ta ruajtur Ballkanin nga okupimi i barbarëve Osman, Gavrillo Principi u deklarua që luftoi për lirin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Ballkanit nga perandoria Austro-Hungareze, po ashtu edhe Sllobodan Millosheviçi luftoi nën arsyen e ruajtjes së Jugosllavisë.
Serbët kombin e tyre e kanë parë e vazhdojnë ta shohin në qendër të ngjarjeve botërore, mirëpo gjithherë nga çdo 28 Qershor ata kanë dal të humbur. Princi Lazar u vra, Gavrillo Princip u dënua me burg, nga se nuk mund të ekzekutohej për shkak të moshës, por vdiq në burg nga tuberkulozi, Sllobodan Millosheviç me 28. Qershor 2001 iu dorëzua Tribunalit të Hagës, ku edhe vdiq pa i mbaruar gjykimi.
28 Qershori dhe mistika e kësaj date më së shumti u ka sjell dëme serbëve dhe për këtë fajtor është Kisha Ortodokse Serbe e cila kurrë nuk ka tentuar t’i largohet tragjedisë që i ka shkaktuar popullit serb kjo datë.