Çfarë po premtojnë partitë politike shqiptare të Bujanocit në fushatën parazgjedhore?
Fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 24 prillit në komunën e Bujanocit është duke vazhduar me tubime parazgjedhore të partive politike dhe në këto tubime qytetarët mund të dëgjojnë lëvdata, kritika por edhe premtime të partive pjesëmarrëse në zgjedhje, njofton Titulli.com.Partia që ka udhëhequr në mandatin 2012 – 2016 komunën e Bujanocit, Partia Demorkatike e Nagip Arifit në tubimin e mbajtur në Bilaç tha se ata kanë realizuar disa projekte në këtë fshat në infrastrukturë, në mbështetje të bizneseve dhe bujqësisë.
Kryetari i PD-së, Nagip Arifi premtoi në Bilaç ndërtimin e fushës sportive.
Koalicioni PVD-UDSH që ka bartës të listës Shaip Kamberin në këtë fushatë po premton bashkimin dhe faktorizimin e shqiptarëve në komunën e Bujanocit, sepse sipas tyre “pushteti aktual ka përbuzur shqiptarët”.
Kandidati për kryetar të komunës, Shaip Kamberi në tubimin e mbajtur në Bujanoc kritikoi pushtetin aktual që nuk ka mbajtur premtimet, duke thënë se “premtimi për 2.000 vende pune nga pushteti aktual ishte mashtrim”.
Ai tha se PVD-UDSH do t’i kthej dinjitetin shqiptarëve dhe do të parandalojë ikjen e të rinjve nga komuna e Bujanocit.
Edhe në këto zgjedhje fushata parazgjedhore e Lëvizjes për Progres Demokratik të Jonuz Musliut po karakterizohet me tone patriotike.
Kryetari i LPD-së, Jonuz Musliu, në tubimin e mbajtur në Breznicë u shpreh kështu “ne kemi mision, ne kemi amanetin, këta dëshmorë që kanë rënë këtu kanë pasur vetëm një qëllim, qëllimi i tyre është bashkimi kombëtar”.
LPD në Breznicë kritikoi edhe pushtetin lokal për mos investime, edhe pse dihet që ka qenë pjesë e këtij pushteti prej vitit 2013.
Ndërkaq, Partia republikane, e cila për herë të parë po merr pjesë në zgjedhje lokale në komunën e Bujanocit në tubimet e mbajtura në Malësi të Bujanocit kritikoi pushtetin aktual që nuk ka realizuar asnjë projekt në këto fshatra.
Ramiz Rashiti, kandidat për këshilltar nga lista e republikanëve premtoi se “në kuvendin e ardhshëm të Bujanocit zëri i malësorëve do të jetë më i fuqishëm dhe më vendimmarrës”./Titulli.com/