Xhamia e Bujanocit, shembull i kontributit për ndihmë refugjatëve (foto)
Xhamia e Bujanocit ka ndihmuar dhe po vazhdon të ndihmojë refugjatët nga Lindja e mesme, që në rrugën drejtë shteteve të Evropës perëndimore, po kalojnë nëpër rajonin tonë.“Kur filloi të shtohet fluksi i refugjatëve në Bujanoc nisën të paraqiten nevojtarët në xhami. Fillimisht ne patëm një takim me përfaqësuesit e OSBE-së, të cilët kërkuan prej nesh të mobilizohemi dhe të ndihmojmë”, thotë për portalin Titulli.com, Ulvi Fejzullahu, imam i xhamisë në Bujanoc.
Fejzullahu thotë se ata u mobilizuan dhe pasi bënë publik apelin për ndihmë, qytetarët, respektivisht xhemati i xhamisë, filluan të paraqiten dhe të sjellin ndihma.
“Filluam me veshmbathje dhe këpucë. Gjatë seleksionimit, kemi grumbulluar dhe regjistruar 267 pako dhe thasë me ndihma, veshmbathje dhe këpucë, për fëmijë e për të rritur, për femra dhe meshkuj”, thotë Fejzullahu.
Imami i xhamisë në Bujanoc thotë se qytetarët kanë grumbulluar edhe ndihma në të holla.
“Gjithashtu njerëzit e vullnetit të mirë ofronin ndihmë edhe në mjete, kështu që janë grumbulluar 1397 euro. Me këto mjete kemi blerë jakne për shi dhe i kemi shpërndarë refugjatëve, pasi ishin ditët me shi, e me një pjesë të mjeteve kami siguruar pako ushqimore që i kemi shpërndarë nëpërmjet Zyrës për të rinj në Bujanoc”, thekson hoxhë Fejzullahu.
Grumbullimi i ndihmave ende vazhdon në xhaminë e Bujanocit. Qytetarët sjellin rrobe, batanije e këpucë, që sistemohen në xhami, ndërsa imami Fejzullahu kontakton Zyrën për të rinj në Preshevë, të cilët vijnë i marrin dhe i shpërndajnë tek refugjatët./Titulli.com/