VV: Kosova dhe Lugina e Preshevës u poshtëruan sërish nga Serbia
Lidhur me tekstet e kthyera në Kosovë, dje ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila organizoi një konferencë për gazetarë, ku u paraqitën deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mytaher Haskuka dhe anëtari i kryesisë, Belgzim Kamberi.Deputeti Mytaher Haskuka, tha se negociatat në Bruksel nuk kanë sjellë asgjë të mirë për Kosovën edhe në sektorët ku u reklamua se ka rezultate si në sektorin e arsimit.
“Ne patëm thënë që në momentin që janë lejuar të hynë librat nga Serbia nga doganat, më një shkrim të një nëpunësi nga Ministria e Kulturës, në kundërshtim me vendimin e Ministrit të Arsimit, jo vetëm që është vepruar në mënyrë kundërligjore por janë humb gjasat që librat shqip të shkojnë tek nxënësit e Luginës”, theksoi Haskuka.
Ai shtoi se kjo na tregon që nuk ka ekzistuar ndonjë marrëveshje ndërmjet palëve për tekstet shkollore, dhe se përmes negociatave në Bruksel po shkatërrohet shtetësia e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës po mbesin populli më i diskriminuar në Evropë.
Anëtari i kryesisë së VV-së, Belgzim Kamberi tha se kthimi i teksteve mësimore paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Serbi.
“Sigurisht se mbajtja rreth gjashtëmuajshe të teksteve mësimore të Republikës së Kosovës në Serbi në doganën serbe që i kanë kushtuar mbi 70.000 euro buxhetit të Kosovës dhe kthimi i tyre është edhe rezultat i një farse të madhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit”, u shpreh Kamberi.
Ai theksoi se Kosova dhe Lugina e Preshevës u poshtëruan sërish nga Serbia, ndaj së cilës duhet bërë presioni për ndryshimin e planprogrameve dhe teksteve mësimore.
“Ministri i Arsimit u mundua që të vendosë masa reciprociteti vitin e kaluar, por kjo gjë ishte e pamundur ngaqë shkonte në kundërshtim me Ligjet e Kosovës. Këtu nuk mund të kemi reciprocitet sepse në njërën anë Republika e Kosovës si rezultat i Pakos së Ahtisaarit lejon përdorimin e teksteve mësimore dhe de facto pranon kurrikulat e Republikës së Serbisë për t’u përdorur në shkollat e Kosovës ndërsa Serbia nuk i pranon tekstet shqipe që burojnë nga kurrikulat e Kosovës dhe Shqipërisë”, tha në fund Kamberi./Titulli.com/