Shoqata e Shkrimtarëve të Preshevës: Librat të sillen edhe nga Shqipëria
Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Preshevës "Feniks", Bilall Maliqi, ka thënë për lajmi.net se çështja e librave në gjuhën shqipe, duhet të dialogohet në nivelet shtetërore për t'u gjetur një zgjidhje.Maliqi thotë se Lugina e Preshevës, konkretisht nxënësit kanë nevojë për libra shqip, për tekste mësimore nga Kosova, nga Shqipëria në mënyrë që të jenë të lidhur shpirtërisht dhe kombëtarisht me dy shtetet.
“Mendoj që për të ardhur deri te zgjidhja e kësaj çështjeje, duhet në bisedimet e niveleve shtetërore me Serbinë të futet në agjendë edhe kjo problematikë e ndjeshme për popullatën dhe nxënësit tanë, ose të ushtrohet reciprociteti, në mënyrë që të arrihet marrëveshja që edhe nxënësit shqiptar të kenë të drejtë të mësojnë me tekste të shteteve amë siç mësojnë nxënësit serb në Kosovë me planprogram të Serbisë”, ka deklaruar Maliqi.
Ai e përshëndet iniciativën për furnizimin me tekste mësimore nga Ministria e Arsimit të Kosovës dhe konsideron se ndalesa e librave nga Dogana e Serbisë, është shkelje e të drejtave elementare të nxënësve shqiptar
“Andaj mendoj që Bashkësia Evropiane ka shikuar si të thuash në mes gishtave këtë akt të mohimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve”, ka shtuar ai.
Por Maliqi një pjesë të fajit ua drejton edhe autoriteteve kosovare, pasi sipas tij, kanë neglizhuar këtë çështje.
“Në anën tjetër shihet edhe neglizhenca e autoriteteve kosovare për ta senzibilizuar këtë çështje në qarqet ndërkombëtare dhe të bëj reciprocitet me nxënësit serb në Kosovë, kjo nuk u realizua, siç nuk janë realizuar shumë premtime të qeveritarëve shqiptar e kosovar lidhur me ngritjen e zërit për shkeljen e të drejtave tona”, është shprehur kreu i “Feniks-it”.
“Nxënësit shqiptar prapë pa tekste mësimore edhe përkundër angazhimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe qeverisjeve lokale të dy komunave tona, me protesta të ndryshme dhe kjo e fundit ishte edhe para terminalit doganor, por pa ndonjë rezultat konkret”, përfundoi Maliqi.