Vuçiq në alarm: Jam përgjuar, kam prova dhe e di kush fshihet pas!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka ngritur alarmin për shërbimet sekrete, pasi deklaroi se është përgjuar prej më shumë se një viti. Kreu i shtetit serb tha për “Kurir“ se e dinte kush qëndron pas, ndërsa theksoi se ka edhe bisedat.
“Unë kam prova se jam përgjuar. Unë kam bisedat e mia të regjistruara, sepse disa njerëz menduan se mund t’i fshijnë, t’i fshehin. Por mos harroni se ka një numër të madh njerëzish që duan ta bëjnë punën e tyre me ndershmëri dhe profesionalizëm dhe nuk do të pajtohen me gjëra të tilla", theksoi Vuçiq.
Vuçiq u shpreh se beson se autoritetet kompetente do ta hetojnë atë dhe se, nëse ka pasur një shkelje të qartë të ligjit, ata që shkelën ligjin do të mbajnë përgjegjësi.
Kur u pyet nëse ai e dinte kush po e përgjonte, apo me urdhër të kujt, Presidenti i Serbisë tha “Unë nuk i di direkt emrat e njerëzve që më përgjuan. Por, po, mendoj se e di kush qëndron pas saj. E kuptoj si duhet dhe gjithçka është e qartë për mua”.
Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin deklaroi se shërbimet janë duke punuar në hetimin e kësaj çështje.
“Vuçiq nuk e tha për politikë, por sepse është e vërtetë. Presidenti tha të vërtetën dhe na takon ne ta konfirmojmë atë të vërtetë” tha Vulin.