Vuçiq i reagon Haradinajt: Nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare në Uashington
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të enjten se në Uashington mund të ketë bisedime mes Kosovës dhe Serbisë vetëm për temat e përcaktuara më herët dhe se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare atje.
Duke komentuar deklaratën e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, përgjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, se Kosova duhet të shkojë në Uashington më 2 shtator për një marrëveshje përfundimtare dhe për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, Vuçiq ka thënë se Haradinaj mund ta kthejë avionin e tij menjëherë dhe të mos shpenzojë kerozinë nëse shkon në Uashington për një marrëveshje përfundimtare, sepse ai nuk do të jetë aty.
"Ne po shkojmë në Uashington për të diskutuar tema të përcaktuara. Mund të flasim për çdo temë, por ata të marrin të gjitha e ne asgjë, dhe t’i njohim, atë film nuk do ta shohin", ka thënë Vuçiq për televizionin Pink të Serbisë.
Vuçiq ka thënë mes tjerash se "gjithçka është e mundur", por derisa ai është i vetëdijshëm - diçka e tillë nuk do të ndodhë.
Megjithatë ai ka pranuar se bisedimet e ardhshme nuk do të jenë të lehta.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, më 14 gusht njoftoi se më 2 shtator, Kosova dhe Serbia do të takohen në Uashington. Kësaj ftese i janë përgjigjur pozitivisht kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Administrata amerikane ka konfirmuar për REL se në këtë takim do të bisedohet për çështjet ekonomike.
Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rinisur në Bruksel më 16 korrik të këtij viti.
Ky proces ishte pezulluar nga nëntori i vitit 2018, meqë autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në importet e Serbisë.
Kjo masë ka qenë e papranueshme për autoritetet serbe, derisa heqjen e saj më vonë e ka mirëpritur edhe faktori ndërkombëtar, me qëllim të rikthimit të dialogut./REL/