Lokale
Vizita e policëve në “Ditët e Komandant Lleshit” (foto)
Festivali i filmit të metrazhit të shkurt “Shkurt, Shqip për Vajën” që u mbajt të shtunën në mbrëmje, ka nisur me vizitën e uniformave blu
Dy policë, me urdhër të stacionit policor në Bujanoc, pak para se të fillojë festivali që mbahet në kuadër të manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit” kanë qëndruar në sallën e madhe të shtëpisë së kulturës në Bujanoc.
Me këtë rast në këtë vizitë të “rëndomtë” për ta, uniformat blu kanë shtruar pyetje rreth organizimit në të cilat është përgjigjë drejtori i shtëpisë së kulturës Arsim Asllani, për të cilin këto pyetje janë absurde.
“Deri kur më kështu”, shtroi pyetjen Asllani. Nga ana tjetër edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Tërnocit, Agim Haliti, që njëherit është organizatore e këtij manifestimi, tha se “policia nuk ka nevojë të vijë dhe pyes njerëzit për organizimin kur të njëjtit janë njoftuar për këtë manifestim”.
“E kemi njoftuar në formë të shkruar stacionin policor lidhur me organizimin e ‘Ditëve të Komandant Lleshit’ edhe ate në gjuhën serbe (Dani Komandanta Lleshija) me tërë agjendën, si dhe shtyrjen e aktiviteteve për shkak të tre ditë zie që u mbajtën në Serbi me rastin e përmbytjeve”, i tha portalit informativ Titulli, Agim Haliti, i cili matej shtoi i habitur se nuk e di se çfarë kërkojnë tani policët kur manifestimi është i paraqitur në stacionin e policisë serbe në Bujanoc me tërë agjendën.
Përndryshe manifestimi “Ditët e Komandant Lleshit” sot do të vazhdojë me vizitën në muzeun e Ridvan Qazimit-Komandant Lleshit në Tërnoc nga ora 14:30 – 15:30 dhe më pas do të bëhen homazhe tek lapidari i dëshmorit.
Në shtëpinë e kulturës në Bujanoc me fillim në orën 17:30 deri në orën 19:00 mbahet manifestimi qendror ku bëhet edhe ndarja e mirënjohjeve për filmat shqip të metrazhit të shkurt (Shkurt, Shqip për Vajën), ndërsa në orën 19:00 me një program të radhës përmbyllet manifestimi tradicional “Ditët e Komandant Lleshit”./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!