Lokale
Koalicioni i Mediave: “Pushteti po manipulon me mediat”
“Koalicioni i Mediave” për shkak të keqpërdorimit të parasë publike dedikuar mediave ka kërkuar nga Ministria për Informim dhe vetëqeverisje lokale që të ndërpresë këtë praktikë.
Përmes shkresës paralajmërohen shumë komuna dhe qytete të cilat paranë e taksapaguesve ia ndajnë “vetëm mediave të cilat janë të gatshme që pozitivisht të raportojnë për punën e pushtetit”, duke vlerësuar informimin në nivel lokal si “zgjatje e dorës” së shërbimit të tyre për shtyp.
Veçanërisht është treguar në praktikë se disa qytete “i keqpërdorin prokurimet publike në mënyrë që t’ia ndajnë ato mjete mediave të dëgjueshme”.
Në këtë dokument ndër vendet që përmenden së kanë bërë këto shkelje janë Nishi, Pozharevci, Novi Varoshi etj.
Lidhur me shkeljet në fjalë nuk mund të lihet anash as komuna e Bujanocit e cila praktikon dhënien e mjeteve për “mediat e dëgjueshme” private, ndërsa ‘Koalicioni i Mediave’ kërkon që ndarja e mjeteve të taksapaguesve të bëhet në bazë të konkursit, ku mediat do të aplikonin me projekte dhe jo në mënyrë paushalle.
Komuna e Bujanocit ka bërë shkelje të tilla të cilat mjetet e parapara për mediat e kësaj komune gjatë vitit 2013-të ia ka ndarë edhe asaj të Vranjës, duke derdhur mjetet e taksapaguesve të kësaj komune në një komunë tjetër.
Shkelja më e madhe është bërë kur pushteti i ka ndarë të holla ueb portalit të pa regjistruar në llogari fizike bankare, që është e ndaluar me Ligj, pasi këto të holla kanë qenë të dedikuar për mediat e regjistruara dhe jo për persona fizikë.
“Koalicioni i Mediave pret nga Qeveria e re që në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe sistematike të luftojë këtë dukuri dhe apelon që ligjet mbi mediat në afat sa më të shpejtë të aprovohen”, thuhet në kumtesë, transmeton Titulli.
Vlen theksuar se komuna e Bujanocit edhe mjetet e vitit 2014-të të parapara për mediat private i ka ndarë pa kurrfarë kriteriumi.
Lidhur me këtë dukuri, një paralajmërim për pasojat e të ashtuquajturës “censura e butë” e ka bërë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi.
“Koalicionin e Mediave” e përbëjnë shoqatat më të mëdha të mediave dhe gazetarëve si: Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike (ANEM), Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS), Shoqata e Gazetarëve të Serbisë (UNS), Lokal Press si dhe Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Vojvodinës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!