Lokale
UÇPMB apel Qeverisë së Kosovës që edhe Lugina të jetë pjesë e bisedimeve
Kryetari i OVL-së së UÇPMB-së në Bujanoc, Edmond Isufi, kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të futen edhe përfaqësuesit e Luginës, me mënyrë që të zgjidhen problemet jetike të shqiptarëve të këtyre trojeve.
Isufi për Titullin ka thënë se Kosova duhet ta kushtëzoj Serbinë që në bisedime të jetë pjesë edhe Lugina.
“Serbia po bënë përpjekje që në bisedime të hyjë edhe Veriu i Kosovës, prandaj edhe Kosova duhet që ta kushtëzoj Serbinë që të futet edhe Lugina e Preshevës në bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Isufi.
Ai ka shpjeguar edhe arsyet se pse Lugina duhet bërë pjesë e këtyre bisedimeve, duke thënë se shqiptarët e këtyre tri komunave po përballen me shumë probleme, duke u nisur nga arrestimet që po i bëhen vazhdimisht shqiptarëve, simboleve kombëtare etj.
“Ne si OVL, duke e parë që Beogradi as pas shumë viteve nuk ndërmori asgjë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, për vec shumë padrejtësive që iu janë bërë shqiptarëve të këtij rajoni. Padrejtësitë janë të shumta duke filluar nga burgosja e ish ushtarëve të UÇPMB-së që me vite me radhë burgosen, pasandej mos lejimin e përdorimin e simboleve kombëtare e kështu me radhë”, tha për Titullin Isufi.
“Ne mendojmë që alternativa e vetme që na ka mbet është që përfaqësuesit tonë të bëhen pjesë e bisedimeve Prishtinë – Beograd”, ka nënvizuar Isufi duke thënë se përfaqësuesit tanë nuk duhet të kërkojnë tjetër përveç bashkimit me Kosovë.
“Kjo ishte edhe vullneti i popullit me vite, ky është edhe amaneti i dëshmorëve tanë të cilët luftuan, dhe ranë dëshmorë në përpjekje për ti bashkuar trojet shqiptare”, përfundon Isufi.
Përveç OVL së UÇPMB-së, ditëve të fundit me deklarata për përfshirje në bisedime Prishtinë – Beograd edhe të Luginës, kanë dalë edhe shumë udhëheqës të partive shqiptare që veprojnë në Bujanoc dhe Preshevë si dhe të institucioneve lokale./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!