U mbajtë festivali folklorik "Presheva 2017"
Në Preshevë u mbajtë Festivali i Shoqërive Kulturore Artistike "Presheva 2017" me pjesëmarrës nga Tirana, Shkupi, Prishtina, Gjirokastra, Kaçaniku dhe Presheva.Nëpër rrugët kryesore të qytetit defiluan grupet e vallëtarëve dhe instrumentistëve pjesëmarrëse në këtë Festival, duke i dhënë një pamje të mrekullueshme qytetit.
Më pas përfaqësuesit e çdonjërësës nga grupet pjesëmarrëse të këtij Festivali të shoqëruar edhe nga drejtori i Shtëpisë së Kulturës "Abdulla Krashnica, Gani Veseli u pritën në kabinetin e kryetares së komunës, Ardita Sinani.
Drejtori i Shtëpisë së Kulturës "Abdulla Krashnica", Gani Veseli e shpalli të hapur festivalin duke vlerësuar lartë gatishmërinë e pushtetit lokal për bashkëpunim në organizimin e kësaj ngjarje.
Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, përshëndeti fillimin e festivalit duke uruar gjithashtu mysafirët dhe të gjithë qytetarët e komunës së Preshevës, sidomos bashkëatdhetarët tanë të cilët po i kalojnë pushimet e tyre në vendlindje.
Sinani vlerësoi lartë rëndësinë e artit dhe kulturës për krijimin e urave lidhëse dhe të bashkëpunimit mes qyteteve dhe rretheve shqipfolëse në rajon, duke u shprehur se ky bashkëpunim nuk do të mbetet vetëm kulturorë por do të thellohet edhe në sfera tjera.
Programi kulturor i pasur artistik me këngë e valle i grupeve pjesëmarrëse të festivalit u mbajtë në ambientë të hapur të shtëpisë së kulturës në Preshevë./kkp/