Të rinjtë e politikës me një vizion modern për komunën e Bujanocit
Janë tre të rinj ambiciozë, të cilët kanë vendosur që në këto zgjedhje të hyjnë në politikë, siç thonë ata për të ndryshuar gjendjen në komunën e Bujanocit dhe të punojnë për të mirën e qytetarëve të kësaj komune.Mësuesja Feride Salihu - Shemsedini, ish aktivisti i shoqërisë civile Egzon Lakna dhe Ermal Rexhepi-jurist i diplomuar janë kandidatë për këshilltarë në listën zgjedhore të koalicionit PVD – UDSH Shaip Kamberi.
Portali Informativ Titulli.com ka realizuar një intervistë të shkurtër me këta tre kandidatë të rinjë që i kanë hy politikës lokale.
Çfarë duhet ndryshuar në qeverisjen e ardhshme të komunës së Bujanocit?
Feride Salihu – Shemsedini: Kur shqiptohet fjala "ndryshim" çdonjëri do të thoshte se fillimisht duhet ndryshuar ata që kanë qenë. Kështu që të rinjëve t'u jepet më shumë hapësirë sepse ata sjellin inovacione, por kjo nuk nënkupton se më të vjetrit politikisht të anashkalohen sepse kur gërshetohen inovacioni dhe përvoja, gjithsesi do të sjellin të mira. Unë besoj që me shumë punë e përkushtim, gjithmonë në ekip, do të mund të përparohet, pra për të sjellur ndryshime, fillimisht duhet ta kapim mundësinë për këtë gjë. Ndërkaq, nuk do të thoja se çdo qeveri nuk ka sjell as edhe nje gjë të mirë, por them se nuk është punuar sa ka pasur mundësi. Prandaj, asnje forcë politike nuk duhet të lejoj që të zhgënjej popullatën fillimisht duke punësuar njerëz jo profesionist në një vend të caktuar, pasi që popullatën më së shumti aktualisht e preokupon punësimi, të ardhurat. Një mobilizim urgjent na duhet që të angazhohemi për një arsimim cilësor, për ekonominë, shëndetësinë. Gjithashtu duhet të rigjallërohet kultura sepse kemi kapacitete, pra na duhet një rigjenerim. Mendoj se është koha për të reflektuar e korrigjuar.
Biografia: Feride Salhu ka mbaruar fakultetin e Mësuesisë në Universitetin e Prushtinës. Pas kësaj kam vazhduar me studimet Master në Universitetin e Nishit, përkatësisht Fakultetin e Mësuesisë në Vranjë. Në vitin 2003 në Bujanoc filloi punën si gazetare në RTV “Spektri”. Anëtare e Fondacionit Nermin Vlora Falaski dhe Rrjetit Global të Gruas. Aktualisht punon me shumë dashuri mësimdhënëse në shkollën fillore “Muharrem Kadriu”në Tërnoc.
Ermal Rexhepi: Parimisht komunës së Bujanocit i nevojitet një qeverisje krejt më ndryshe nga kjo që është tani, e cila do angazhohej shumë më tepër për qytetarët e saj. Avancimin e drejtave të shqipëtarve përmes përfaqësimit dinjitoz në institucione shtetërore, arsim cilësor dhe të moderuar, zhvillimin ekonomik i cili do të prekte drejtpërdrejt çdo ndërmarrës përmes subvencioneve dhe ulte të tatimeve, subvencionimin e bujqësisë dhe blegtorisë, shëndetësi të mirëfilltë e efikase, ndërtimi i urave të bashkëpunimit me diasporën tonë etj.
Biografia: Koordinator në Paralen e fakultetit ekonomik të Suboticës-dega në Bujanoc. Më herët qenë praktikant në Ministrinë e drejtave të njeriut dhe pakicave, bashkëpunëtor profesional për avancimin e raporteve ndëretnike në Trupin koordinues, koordinator në shumë projekte vendore dhe ndërkombëtare, pjesëmarrës në tribuna shkencore vendore dhe ndërkombëtare, hulumtues etj.
Egzon Lakna: Partia për Veprim Demokratik vjen me një format të ri dhe modern të të bërit politikë konstrutive. Katër vite i ka munguar Bujanocit një forcë e tillë, vizionare, progresive dhe konceptuale për të ndryshuar një realitet, që sot, fatkeqësisht na prek të gjithëve. Bujanoci i ka të gjitha mundësitë dhe shanset për të ndryshuar, do të kemi një Bujanoc krejt ndryshe nga kjo e sotmja e zezë. Nuk do të ketë shqiptarë të copëtuar, por të bashkuar, nuk do të ketë poste të përjetshme por mandate të kufizuara. Këndvështrimi ynë, i përkthyer në përkushtim për të ndryshuar Bujanocin. Bashkimi i shqiptarëve kërkon dinjitet të forcuar, ekonomi të konsoliduar, si dhe një qytet ballëlartë.
Biografia: Aktivist për njëkohë të gjatë në sferën e të drejtave të njeriut dhe pakicave, anëtar i Iniciativës së të rinjëve për të drejtat e njeriut, organizatë kjo e cila aktivitetet e veta i zhvillon në vend dhe rajon. I certifikuar nga Ministria e Rinisë dhe Sportit për koordinator për zyrën e të rinjëve, ndërsa nga organizata amerikane NDA për trajnues politik.
Arsyeja pse janë futur në listën për këshilltar të mundshëm në kuvendin komunal të Bujanoc?
Egzon Lakna: Unë gjithmonë kam qenë ithtar i një liste me njerëz të pavarur një kohë shumë të gjatë. Për të çuar përpara vendime duhet të jesh i përfshirë nga brenda, kuptohet për atë edhe nuk mund të rrija më indiferent ndaj vendimeve qe me reshin në emër të të rinjëve . Me këtë formacion të bashkuar PVD-UDSH që po garojmë në këto zgjedhje lirisht mund të konstatoj se jemi të grumbulluar rrethë një ideje, një programi për ta çuar këtë vend përpara.
Ermal Rexhepi: Për një arsye të vetme ndryshimin e kësaj gjendje në të cilën ndodhemi tani, po nuk u angazhuam tash, dhe të gjithë bashkarisht kam frikën se mbas disa viteve cdo përpjekje për ndryshim të situtës në komunën tonë do të jet e kotë.
Feride Salihu – Shemsedini: Sigurisht që oferta ka ardhur nga subjekti politik, i cili propozoi që edhe unë të jem kandidate potenciale për këshilltare. Arsyet mbase mund të jenë të shumta pasi që e dimë të gjithë situatën, mirëpo më e rëndësishme është që secili kandidat i mundshëm duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë që do të marrim, për një të ardhme më të ndritur. Ndërkaq, secili prej nesh ka një forcë brenda vetes e cila forcë mund të çojë në progres. Asgjë nuk është e pamundur, por një individ i vetëm nuk do të mund të bëj mrekullira, por gjithmonë duhet një skuadër e frytshme.