Lokale
“Thyhet” uniteti politik në Luginë, pjesëmarrja në zgjedhje opsion i mundshëm (video)
Spektri politik shqiptarë i Luginës në takimin e fundin të mbajtur sot në Preshevë ka dalë me qëndrime të kundërta lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare më 16 mars në Serbi.
Kundër pjesëmarrjes janë deklaruar Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Partia Demokratike (PD) , Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD), Unioni Demokratik Shqiptarë (UDSH), dhe Bashkimi Demokratik i Luginës (BDL), raporton Titulli.
Ndërsa, Riza Halimi nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) është deklaruar se pavarësisht qëndrimit të partive tjera shqiptare për bojkot , kryesia e kësaj partie do të vendosë të hënën e ardhshme.
“Brenda subjektit tonë ka qëndrime të larmishme rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare, andaj besoje se organi më i lartë i partisë do të vendosë ditën e hënë”, tha Halimi.
Halimi shtoi se PVD ka marrë pjesë në tre mandate në zgjedhjet parlamentare sepse vetëm në atë formë konsiderojmë se mundë të ndikojmë në qëndrimet tona proaktive.
“Ne jemi të vetëdijshëm për diskriminimin e vazhdueshëm që po i bëhet shqiptarëve në komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë, dhe PVD është aktive në proceset e përfaqësimit dhe ushtrimit të ndikimit për të realizuar të drejtat e shqiptarëve, theksoi Halimi.
Ragmi Mustafa, lider i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë bojkotin e arsyetoi duke thënë se deri më tani nuk është përfillur deputeti popullor dhe kërkesat e tij nga qeveria e Serbisë andaj nuk është e arsyeshme të jemi pjesë e këtyre zgjedhjeve.
Qëndrim të njëjtë për bojkot ka edhe Nagip Arifi, lider i Partisë Demokratike në Bujanoc i cili përmendi edhe rastin e fundit me gjykatat në Bujanoc e Preshevë.
“Me sigurimin e faktorit ndërkombëtar dhe sugjerimin e Prishtinës kemi hyrë në biseda me qeverinë e Serbisë lidhur me masat urgjente të aprovuar në janar të vitit 2013 për të zgjidhur problemin e shqiptarëve në Luginë, mirëpo nuk kemi pasur rezultat”, tha Arifi.
Ish lideri i UҪPMB-së, Jonuz Musliu përsëriti qëndrimin e partisë së tij se marrëveshja e Konҫulit nuk ka gjet zbatim tek qeveria e Serbisë andaj nuk ka arsye pse të jem pjesë e parlamentit të Serbisë.
“Shqiptarët janë arrestuar, janë burgosur për terrorizëm janë mbajtur në burg pa arsye, është hequr lapidari në Preshevë është ndu lapidari mbi Lluçan dhe Serbia prapë kërkon që ne të dalim në zgjedhje parlamentare dhe t’i bëhem për qejfi Serbisë në integrimet evropiane”, deklaroi Musliu.
Deri më tani në Luginë ka shpallur kandidaturën për deputet, Kujtim Sadriu nga Partia Liberale Demokratike e Serbisë dhe Nexhemedin Saqipi nga Bujanoci.
Gjatë këtyre dy jave të fundit faktori ndërkombëtarë në Serbi është i pranishëm në Luginë duke i preferuar spektrit politik shqiptarë këtu për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare dhe proceset integruese evropiane.
Vlen të theksohet se e vetmja parti shqiptare që është duke udhëhequr politikën e integrimit dhe pjesëmarrjes në proceset integruese është PVD, e cila përbën gati një të tretën e votuesve shqiptarë në Luginë.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!