Lokale
Tërnocasit kujtojnë dëbimin, vendosin pllakë në shënimin e 15 vjetorit (foto)
Në vendin kur para 15 viteve nga ushtria atëhershme Jugosllave ishin dëbuar dhe grumbulluar mbi 6.000 shqiptarë të fshatit më të madh në këtë rajon, sot është bërë përurimi i pllakës përkujtimore.
Shiu që binte nuk pengoi banorët e fshatit Tërnoc të komunës së Bujanocit që të shënojnë një datë të rëndësishme, e cila falë kujdesit të udhëheqësisë së fshatit por edhe banorëve nuk u shndërrua në një masakër të ngjashme me ato të Bosnjës e Kosovës.
“Pikërisht më 23 prill të vitit 1999, 15 vite më parë, në orën 16:50 minuta me ultimatumin e ish komandantit të kazermës së Bujanocit, Vidoje Millosheviq dhe gjeneralit të ushtrisë Jugosllave - Nikolliq, u dëbuan të gjithë banorët e Tërnoci nga shtëpitë e tyre, fëmijë, gra, pleq e burra”, tha para masës së grumbulluar iniciatori për ngritjen e kësaj pllake përkujtuese, Emrullah Lutfiu, raporton Titulli.
Edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Tërnocit Agimi Haliti foli për ate se çfarë përjetuan tërnocasit para 15 viteve në dalje të këtij vendbanimi, buzë maleve kur u përzunë nga shtëpitë e tyre.
“Në ditën e sotme kujtojmë atë që përjetuan banorët e Tërnocit në kohën e pushtetit të atëhershëm. Ngjarja në fjalë nuk do të harrohet kurrë”, u shpreh mes tjerash kryetari Agim Haliti.
Në zbulimin e plakës përkujtimore gjithashtu u tha se qëllimi i vetëm i kësaj dhune dhe terrori ishte spastrimi i Luginës së Preshevës nga elementi shqiptar.
“Kjo dhunë ndaj popullatës shqiptare imponoi formimin e UÇPMB-së e cila mbrojti pragun e shtëpisë dhe identitetin kombëtar”, u tha në shënimin e 15 vjetorit të dëbimit.
Gjatë kësaj kohe tërnocasit përveç dëbimit u torturuan edhe në forma të ndryshme, si bastisje nga forcat speciale të policisë dhe ushtrisë ndërsa nuk munguan edhe ftesat dhe marrja e 145 qytetarëve të këtij vendbanimi për mobilizim në ushtrinë e atëhershme Jugosllave.
Këta të rinj u përdorën si mburojë njerëzore në vendet ku qëndronin forcat në fjalë, e ku pritej që të jenë shënjestra të bombardimeve të NATO-së.
Në këtë torturë nuk u lanë anash as objektet fetare, kur në minaren e xhamisë së Strukarëve u vendosë flamuri i Serbisë.
Pllaka përkujtimore e vendosur në shënim të kësaj date me rëndësi u mundësua nga Bashkësia Lokale e fshatit Tërnoc /Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!