Lokale
Tekstet: Nisma akuzon Ministrinë e Arsimit, ndërsa Ministria KKSH-në
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut sot ka ftuar Ministrinë e arsimit të Serbisë që të gjejë një zgjidhje sistematike të problemit me librat në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nga komuna e Bujanocit dhe Preshevës, të cilat pothuajse nuk ekzistojnë, transmeton Titulli.
Mirëpo, Ministri arsimit, shkencës dhe teknologjisë Zharko Obradoviq i ka thënë sot gazetarëve në Pozharevc se në faqen e Ministrisë mund të shihet lista e librave të përkthyera për klasën e I-rë deri të IV-të, emrat e autorëve, botuesve, dhe ka nënvizuar se ministria nuk ka informacione mbi kërkesat e Nismës që janë bërë në kumtesë, shkruan Tanjug.
Të rinjtë shqiptarë nga komunat e Luginës, siç thuhet nga Nisma, janë viktima pasi që nuk kanë tekste dhe program adekuat në gjuhën shqipe.
Siç theksohet, në gjashtë shkollat fillore dhe një të mesme në Bujanoc ku mësojnë më se 6 mijë nxënës, ka filluar mësimi pothuajse pa asnjë tekst i cili përmbush standardet dhe programin që zbatohet në shkollat tjera në Serbi.
Situatë e ngjashme mbretëron edhe në tetë shkollat fillore dhe dy të mesme në Preshevë, në të cilat mësojnë më shumë se 7 mijë nxënës.
Në vitin e kaluar, i vetmi libër në gjuhën amtare, gjuhën Shqipe, që është shfrytëzuar nga nxënësit e klasave të para ishte Abetarja, kurse nxënësit e klasave të tjera, përveç librave të gjuhës, nuk kanë pas asnjë tekst tjetër në gjuhën e tyre.
Sipas të dhënave të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, që të zhvillohet një proces arsimor pa pengesa, do të duhen rreth 100 tekste për filloristët dhe rreth 400 për shkollat e mesme të të gjitha profileve.
Në kumtesën e Nismës thuhet se Këshilli Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim më Trupin Koordinues të Qeverisë së Serbisë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nga viti 2010 është duke tentuar që të zgjidhë këtë problematikë.
Vitin e kaluar, Abetarja për klasën e parë është sjellë nga Shqipëria, kurse momentalisht është duke u punuar në sigurimin e 49 teksteve për shkollat fillore.
“Shtatë tekste pritet që të miratohen nga Ministria e Arsimit. Bëhet fjalë për matematikën për klasat e ulëta të shkollës fillore autori i së cilës është nga Presheva, si dhe tekstet për gjuhën shqipe për klasat e larta të cilat janë sjellë nga Shqipëria”, ka theksuar në kumtesë Zejni Fejzullahu, kryetar i këtij Komisionit për parashkollorë, fillorë dhe arsimin e mesëm pranë KKSH-së.
“Libri për fizikë, teknikë dhe informatikë janë përkthye nga gjuha serbe, ato të biologjisë dhe kimisë i kanë shkruar autorët nga bashkësitë lokale. Një numër i librave është sjellë nga Shqipëria, mirëpo ato kërkojnë përshtatje me plan programin në Serbi, pasi që edhe lëndët si dhe programi ndryshojnë, mes tjerash edhe për shkak se arsimi fillorë në Shqipëri zgjat nëntë vite”, shpjegon ai.
Ministri Obradoviq, megjithatë, thotë se ministria nuk posedon informata rreth të cilave shkruhet në kumtesën e Nismës.
“Javën që kaloi kisha takim me shefin e Misionit të OSBE-së në Serbi Dimitrios Kipreos dhe ambasadorin shqiptar, pikërisht lidhur me tekstet”, i ka thënë Obradoviq gazetarëve në Pozharevc.
Edhe njërit edhe tjetrit, siç tha ai, i ka treguar listën me tekstet nga klasa e parë deri të katërtën të cilat tre lëshohen nga shtëpia botuese në Serbi dhe një nga Shqipëria.
Bëhet fjalë për një numër të vogël të teksteve, ka thënë ai dhe ka kujtuar se vitin e kaluar këto tekste ishin siguruar si donacion nga Tirana.
“I kemi ndryshuar përmbajtjen një libri në përputhshmëri me mendimin e entit përgjegjës i cili vendosë për përmbajtjen", ka thënë ai dhe ka shtuar se do të shohë se çfarë tjetër kërkon Nisma, transmeton Titulli.
Për ne gjithçka shkon si duhet, mirëpo ajo që qëndron është se Këshilli Kombëtar Shqiptarë nuk iu ka përmbajt afateve lidhur me dorëzimin e librave, ka thënë Obradoviq.
Ai ka thënë se ekziston një procedurë e qartë kur bëhet fjalë për tekstet për bashkësitë etnike, pasi sipas tij, të gjitha librat e siguruara jashtë vendit duhet të jenë në përputhshmëri me planin dhe programim vendor./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!