Tekstet mësimore kthehen mbrapa në Kosovë (video/foto)
Serbia ka kthyer për në Kosovë tekstet mësimore që kanë qëndruar në terminalin doganor të Preshevës prej datës 9 shtator 2015.Këto tekste ishin dedikuar për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe ishin donacion i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së qeverisë së Kosovës.
Për të kundërshtuar kthimin e librave në Kosovë, në fshatin Konçul, që gjendet afër kufirit, u organizua një protestë, ku protestuesit mbajten rrugën të bllokuar për një kohë, por më pas ata e liruan atë, bëjnë të ditur burimet e portalit Titulli nga ky fshat.
Në protestë ishte edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, i cili theksoi se tekstet duhet të shkojnë në duar të nxënësve e jo të kthehen në Kosovë.
“Ne kërkojmë nga Republika e Kosovës që asnjë tekst mësimor nga Republika e Serbisë të mos përdoret në Kosovë”, tha Musliu.
Kohë më parë, një protestë për zhbllokimin e teksteve u organizua edhe para terminalit doganor në Preshevë, por këto protesta nuk dhanë rezultate, pasi Serbia nuk po lejon përdorimin e teksteve nga Kosova./Titulli.com/