Taipi pret ftesë nga trajneri i Kombëtares së Shqipërisë apo asaj të Kosovës
Mesfushori i FC Wil në Zvicër (Liga e dytë) dhe lojtari i U-21 të Shqipërisë, Gjelbërim Taipi mezi po pret një ftesë nga trajneri italian i Kombëtares së Shqipërisë, Xhani de Biazi. 22- vjeçari nga Tërnoci i Bujanocit ka shënuar dy gola në pesë ndeshjet e para dhe shpreson të vijojë me këtë linjë, duke pasur gjithnjë synim një grumbullim me kuqezinjtë.
Në të kundërt, ashtu sikundër një pjesë e mirë e lojtarëve kosovarë, ai nuk do refuzonte një ftesë nga ana e trajnerit të përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku.
Në një intervistë për “Arena”- n, Taipi beson se do shkëlqejë në Zvicër gjatë këtij edicioni.
Gjelbërim, e keni nisur mirë këtë herë kampionatin në Zvicër…
Po, është luajtur java e 5-të dhe unë personalisht kam filluar shumë mirë dhe jam i kënaqur me veten. Tani mund ta shohin Gjelbërimin e vërtetë.
Deri tani keni shënuar dy gola, edhe sa do presim deri në fund të sezonit?
Nuk e di sa, por shpresoj të shënoj sa më shumë që të jetë e mundur, po ashtu edhe gola të rëndësishëm për ekipin.
Ende jemi në kohë merkatoje, a do të qëndrojë Gjelbërimi në Vil apo ke ndonjë ofertë për t’u larguar?
Këtu në Zvicër ka kohë deri në mesin e shtatorit. Flitet për disa kalime, por asgjë konkrete, mendoj se deri në fund të këtij muaji do të dihet e ardhmja.
Aktualisht, jeni pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U- 21, por a mendon se ka ardhur koha për Kombëtaren e De Biazit?
Tani kam përfunduar edhe me kombëtaren U-21, pasi më ka kaluar mosha. Nuk e di a është koha, por ndoshta një ditë do t’i kujtohem De Biazit si emër dhe ndoshta një ditë do të më ftojë.
Përfaqësuesja e Kosovës për momentin zhvillon ndeshje miqësore, në rast se do të vijë një ftesë, a do ta pranoje atë?
Është një hap i madh për Kosovën. Me këto ndeshje miqësore që po bën nuk e kam menduar asnjëherë se do të më vijë ftesa, por nuk besoj se do ta refuzoja.
Çka presim nga Gjelbërimi në të ardhmen?
Nga Gjelbërimi tani e tutje do të presin të gjithë ata që më përkrahin vazhdimisht, lojëra të mira, asiste dhe gola interesantë.