Si funksionon Shoqata "Feniks" në Luginë?
Nga Klub Letrar është shndërruar në Shoqatën e Shkrimtarëve "Feniks", e regjistruar në agjencinë përkatëse në Beograd, kështu na shpjegon krijuesi letrarë Bilall Maliqi, veprimtarinë e "Feniks".Radio Kosova: Jeni shumë aktiv me krijimtarinë tuaj letrare e shkencore, gjithashtu edhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, në Luginën e Preshevës. Si funksionon shoqata, të cilën e drejtoni dhe a ballafaqoheni me vështirësi?
Bilall Maliqi: Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks”, që nga vitit 2011-të, nga Klub Letrar është shndërruar në Shoqatën e Shkrimtarëve “Feniks”. Është e regjistruar në agjensionin përkatës në Beograd si shoqatë legjitime. Kemi aktet normative xhirollogarinë dhe vulën. Pra jemi shoqatë e kompletuar dhe ka shtrirje në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Nga viti 2011 e këtej po hasim në probleme të panumërta për shkak të mjeteve materiale. Nuk kemi ndihma nga resori për kulturë nga komunat Preshevë dhe Bujanoc, Medvegjën vetëm po e parafrazoj sepse atje jeton një numër shumë i vogël i qytetarëve. Pastaj është problem sepse edhe udhëheqësia e komunës si dhe ajo e resorit për kulturë udhëheqin serbët, kështu që nuk presim përkrahje materiale nga Medvegja, por nga komunat Preshevë dhe Bujanoc, nuk po kemi përkrahje materiale, e në disa raste as morale. Kështu që, ne punojmë në baza vullnetare, aq sa mundemi. Brenda Shoqatës tonë ekziston edhe Karvani i Shkrimtarëve të Luginës me qëllim të avancimit të kulturës dhe letërsisë. Ecim nëpër shkolla ku i vizitojmë shkollat fillore dhe të mesmet Luginës së Preshevës, por edhe më gjerë duke vazhduar edhe nëpër Gjilan, Kumanovë etj. Ku kemi ftesa, ne jemi aty. Orët letrare që i mbajmë nëpër shkolla janë të karakterit edukativ. Fusim mbresa tek lexuesit dhe nxisim nxënësit që të merren me shkrime.
Radio Kosova: Pse nuk keni përkrahje nga komunat ku udhëheqin shqiptarët? A vazhdoni të këmbëngulni për përkrahje materiale?
Bilall Maliqi: Po, kemi kërkuar shumë herë në resorin për kulturë si në komunën e Bujanocit ashtu dhe në atë të Preshevës. Përkrahja mungon sepse me çdo kusht po mundohen ta politizojnë kulturën. Kultura me politikën kanë kahje diametralisht të kundërta dhe si kryetar i Shoqatës, nuk kam lejuar të politizohet. Kultura është kulturë, e ka vendin e merituar në shoqëri dhe shoqëria e kombi përkufizohen me kulturën e vet e jo me politikën. Ne nuk kemi rënë pre e politikës ditore dhe për këtë arsye jemi anashkaluar nga aspekti material. Ne po mundohemi vullnetarisht. Vitin e kaluar e kemi pasur një manifestim të madh kulturor e letrar për Qerim Arifin, poetin e ndjerë nga Presheva, i cili është emblemë e poezisë së Luginës së Preshevës. Bartëse e mjeteve financiare për këtë manifestim ishte Ministria e Kulturës së Republikës së Serbisë. Unë po habitem me faktin që Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë e ndihmon financiarisht për një poet shqiptar, ndërsa Presheva dhe Bujanoci të mos i ndihmojnë Shoqatës. Nuk di se si t’i arsyetoj ata. Të shohim në të ardhmen dhe mbesim me shpresa në ndryshimet politike. Në mars të vitit të ardhshëm janë zgjedhjet dhe nëse kemi ndonjë ndryshim pozitiv edhe pse ka nevojë për ndryshime, shpresojmë që edhe Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” por edhe shoqatat e tjera joqeveritare që veprojnë në Luginë ta kenë përkrahjen e merituar nga kuvendet komunale, përkatësisht nga resori që udhëheq kulturën.
Radio Kosova: Sa shkrimtarë janë anëtarë të shoqatës që ju e drejtoni?
Bilall Maliqi: Shoqata jonë numëron rreth 30 anëtarë, të cilët janë poetë të dëshmuar e që kanë një apo më shumë libra të botuara, por në mesin tonë ka edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të cilët kanë botuar libra. Ata janë pionierë dhe ardhmëria e shoqatës tonë. Kemi të moshuar që merren aktivisht me shkrime, por shoqata ka nevojë të freskohet me emra dhe me penda të reja. Dua t’u bëj thirrje atyre që duan të bashkëpunojnë me Shoqatën e Shkrimtarëve “Feniks”, e kam fjalën për Luginën e Preshevës, dyert i kanë të hapura. Ne do t’u ndihmojmë në këshilla, në redakturë dhe në botime. Ta zgjerojmë aktivitetin, ta rrisim numrin e anëtarëve sepse Shoqata “Feniks” që është lidere në rajon, dua të them në Kosovën Lindore, ta rrisim numrin dhe të ketë aktivitete më të mëdha se sa deri tani që kemi pasur.
Radio Kosova: A keni bashkëpunim me shoqatat e shkrimtarëve apo klubet letrare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, apo edhe në Diasporë?
Bilall Maliqi: Kemi bashkëpunime të frytshme me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, me zonjën Flora Brovina, me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, me Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë, marrëdhënie të shkëlqyera kemi me Klubin Letrar “Jehona e Karadakut” në Kumanovë, me Ars Klubin “Beqir Musliu” në Gjilan dhe me të gjitha asociacionet që merren aktivisht me kulturë, me art dhe me letërsi. Kemi bashkëpunim dhe ftohemi mes vete nëpër aktivitete të ndryshme që bëhen ne nivel republikan në nivel të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Radio Kosova: Shkruani poezi për të rritur dhe për fëmijë, prozë dhe kritikë letrare. Ku jeni i fokusuar më shumë?
Bilall Maliqi: Më tepër merrem me poezi për të rritur, por nuk e anashkaloj edhe poezinë për fëmijë sepse iu kemi borxh fëmijëve. Libri im i fundit i botuar është me poezi për fëmijë, redaktor i të cilit është profesor Xhevat Sylën. Kam të botuar libra edhe me prozë, me vështrime kritike por edhe me intervista. Libri i radhës që do ta shoh dritën e botimet vitin që vjen, është gjithashtu me vështrime kritike. Janë katër vëllime me vështrime, ku janë të vështruara 100 libra të autorëve të ndryshme.
Radio Kosova: Kush janë autorët?
Bilall Maliqi: Nuk janë vetëm shqiptarë. Është dhe Alda Merini, poete shumë e mirë italiane, e cila nuk është në mesin tonë. Pastaj, Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha, Arsim Halili e shumë të tjerë që më kanë lënë mbresa. Para se të botohen në libër i kam botuar në gazetat ditore në Kosovë. Kam shkuar në parimin që së pari të botohen në gazeta e pastaj t’i botoj në libër. Jam munduar që ta jap maksimumin dhe secili krijues duhet ta pranojë kritikën. Krijimtaria ime është e përkthyer në tri gjuhë, në atë angleze, italiane dhe rumune. Pres që të botohet edhe një vëllim poetik me poezi të përkthyera në gjuhën spanjolle, të cilat po përkthehen nga përkthyesi brilant, Petar Tasse.
Radio Kosova: Si arritët deri te përkthimi i poezive tuaja në këto gjuhë?
Bilall Maliqi: Librin e parë me poezi ma ka përkthyer Engjëll koliti në gjuhën italiane. Duke pasur parasysh dhe rrjetin social facebook, ku i ka lexuar disa poezi të mia, i kanë pëlqyer dhe më ka kërkuar t’i përkthej në gjuhën italiane. Pranova me kënaqësi sepse të përkthehet një libër apo një poezi jashtë gjuhës tënde është kënaqësi dhe tregon vlerën e poezisë. Përkthyesi është vet poet dhe e njeh poezinë. Petar Tasse e ka përkthyer librin tjetër në gjuhën angleze në Nju Jork. Është botuar në Amerikë në një tirazh 200 mijë kopje nga shtëpia botuese luluenterpress. Kam kërkuar që libri të jetë edhe në gjuhën shqipe dhe angleze, për faktin se atje jeton dhe komuniteti shqiptar. Është kënaqësi për ta kur ta lexojnë në gjuhën shqipe. Shtëpia botuese ka pranuar që libri të jetë edhe në gjuhën shqipe. Ndërkaq, librin tjetër në gjuhën rumune, e ka përkthyer Baki Ymeri. Në gjuhën spanjolle tani është në përkthim e sipër nga i njëjti përkthyes Petar Tasse. I falënderoj sepse nuk kanë kërkuar mjete financiare për përkthim dhe kjo më ka ndihmuar shumë.
Radio Kosova: Për krijimtarinë tuaj keni marrë dhe çmime. Jeni shpërblyer herën e fundit në Klinë. Sa ndiheni i vlerësuar për punën që bëni?
Bilall Maliqi: Ishte hera e parë që mora pjesë në Klinë dhe u shpërbleva me vendin e tretë. E respektoj vendimin e jurisë, e cila është kompetente që poezitë e dëgjuara t’i vlerësoj. Unë jam i kënaqur dhe në këtë rast është shpërblyer Lugina e Preshevës, përkatësisht Presheva por dhe unë si autor i asaj poezie. Në shumicën e vendeve kam qenë dhe vet në juri dhe e di si shkon puna e jurisë. Ka në disa raste parregullsi. Është shumë e vështirë në disa raste. Në Gjakovë shembull ndahet vetëm një çmim dhe nga 50 poezi është shumë e vështirë ta nxjerrësh poezinë më të mirë. Mirëpo në fund të fundit duhet të pajtohesh me vendimin e jurisë.
Radio Kosova: Diçka për fund të kësaj bisede?
Bilall Maliqi: Kisha apeluar, sidomos për kolegët poetë, që sa më shumë të mbjellin dashuri për poezinë dhe për letërsinë për brezat e rinj sepse ata do të na zëvendësojnë neve. Apeloj edhe tek kolegët që janë brenda Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” por edhe atyre që udhëheqin resorët e kulturës nëpër komunat Preshevë e Bujanoc, që mos ta lënë anash kulturën në përgjithësi, dhe t’i harrojnë për pjekjet që janë bërë më parë që ta politizojnë kulturën sepse kultura është shumë e shenjt ndërsa politika është kalimtare. Kultura orienton një komb nga rruga e drejt.