Suspendohet nga puna polici kosovar që ofendoi rëndë preshevarët
Aziz Kryeziu, babai i ish-zëdhënësit të Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziut, është suspenduar për 72 orë nga puna e policit kufitar për shkak të një komenti ofendues që bëri në rrjetin social Facebook ndaj preshevarëve.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me ish-zëdhënësin, Përparim Kryeziu por i njëjti ka thënë se nuk ka informacion se për çfarë suspendimi bëhet fjalë.
“Nuk e di saktë se çfarë ka ndodh se nuk e kam informacionin e plotë, nuk më ka ra me bisedu me t’shpisë për shkak se nuk kam qenë në Gjilan, por, më lejo të informohem ta kam të qartë se çfarë po ndodh…Të thirri prap kur ta kam informacionin e plotë sepse nuk e di për çfarë lloj suspendimi po flitet”, tha Kryeziu për Gazetën Sinjali.
Gazeta Sinjali ka pritur telefonatën e dytë të ish-zëdhënësit, por, deri në këtë moment redaksia nuk ka pranuar asnjë telefonatë nga ai. I pyetur sërish përmes SMS’it, Kryeziu ka këmbëngulur se nuk e ka të qartë se ‘për çfarë po bëhet fjalë”.
Ndryshe, babai i Kryeziut u suspendua për shkak të ofendimit që u bëri preshevarëve në një koment në Facebook, përmes së cilit i quajti mashtrues e të pangopur.