Si vepron Huewei në Serbi dhe cilat janë marrëveshje sekrete?
Lokale

Si vepron Huewei në Serbi dhe cilat janë marrëveshje sekrete?

27.Oct.2021 07:44
0

Në kuadër të përpjekjeve të Pekinit për të rritur ndikimin në Serbi, kompania teknologjike kineze, Huawei, ka nënshkruar marrëveshje sekrete me njerëz të afërt të kompanisë shtetërore të telekomunikacionit për të fituar kontrata, kanë treguar disa rrjedhje informacioni.

Një prej kontratave të para është nënshkruar më 2007, dhe e fundit në janar të vitit 2014, dhe ato përkojnë me kohën kur Huawei ka qenë duke krijuar lidhjet e para biznesore në Serbi.

Ndërkohë kompania shtetërore, Telekom Srbija, është kthyer në partnerët kyçë të Huaweit, përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje në vlerë të 150 milionë eurove më 2016, për përmirësim të infrastrukturës shtetërore të telekomunikacionit.

Pagesat e kryera përmes kompanive jashtë shtetit janë bërë publike më 25 tetor, në kuadër të Letrave të Pandoras, një rrjedhje e rreth 12 milionë dokumenteve nga 14 ofrues të shërbimeve jashtë shtetit, të cilat janë siguruar nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues dhe për to kanë raportuar Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) dhe Rrjeti i Hetimit të Krimit dhe Korrupsionit me bazë në Serbi (KRIK).

 

“Më duket se kjo është hera e parë që kemi zbuluar një sistem që tregon si vepron një kompani e madhe kineze në Serbi”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Vesna Radojeviq, gazetare në KRIK dhe një nga autorët e hulumtimit.

Dokumentet tregojnë për pagesa të kryera për Igor Jecëll, ish-zyrtar i lartë në Telekom Srbija, në vlerë të 1.4 milion dollarëve në kontrata, hua, pagesa për konsultime, si dhe për një apartament që i është dhënë nga Huawei për “konsultime”, për të cilën ekspertët i kanë thënë OCCRP-së se ka ngritur “flamuj të kuq për korrupsion”.

Letrat e Pandorës po ashtu tregojnë se të paktën 1 milion euro kanë shkuar në kompani të regjistruara jashtë shtetit (offshore), të cilat janë në pronësi të Jecëll dhe Millorad Ignjaçeviq, avokat i mirënjohur serb, që ka pasur biznese me Telekom Srbija.

Sipas dokumenteve, Jecëllit i është kërkuar t’i ndihmojë kompanisë Huawei që të fitojë miratime dhe licenca, si dhe të “ftojë konsumatorin (Telekom Srbija) që t’i bëjë pagesat për Huawei në kohë dhe mënyrë të duhur”.

 

Vuk Vuksanoviq, hulumtues në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ndonëse korrupsioni në Ballkan nuk është unik për kompanitë kineze, “ky episod tregon se praktikat e korrupsionit janë një prej arsyeve se pse elitat lokale janë shpesh të hapura ndaj projekteve kineze”.

Huawei, dokumentet e Pandoras në Serbi

Ndonëse raportimet e OCCRP dhe KRIK nuk kanë shfaqur prova të qarta të parregullsive, analistët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se rrjeti i kompanive jashtë shtetit dhe pa adresë të saktë, si dhe dokumente tjera, tregojnë më shumë hollësi sesi kompanitë kineze shtrijnë ndikim në Serbi, përmes bizneseve potencialisht të korruptuara dhe rrjeteve tjera politike.

Stefan Vladisavljev, analist në Fondin e Beogradit për Ekselencë Politike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ndonëse një pjesë e mirë e vëmendjes ka shkuar se aktivitetet kineze dhe investimet në Serbi, ky rast tregon një shembull të rrallë sesi është fituar ndikimi.

“Projektet kineze në Serbi janë parë zakonisht me dyshime për shkak të mungesës së transparencës dhe mosndjekjes së procedurave që mund të jenë në linjë me rregullat e konkurrencës në tregje të hapura”, ka thënë Vladisavljev për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo tregon se shqetësimet nuk kanë qenë të paarsyeshme”.

 

Në përgjigje të rrjedhjes së informacioneve nga Letrat e Pandorës, një zëdhënës i Telekom Srbija, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kompania do të marrë “të gjitha veprimet e nevojshme” sa u përket dyshimeve të ngritura për të në lidhje me Huawein.

“Telekom Srbija vepron në përputhje me ligjin dhe sipas standardeve më të larta të korporatave. Në këtë aspekt, ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore me autoritetet kompetente, sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ky zëdhënës.

Në Serbi – ku Pekini gëzon një lidhje të ngushtë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe ka qenë duke thelluar lidhjet për dy dekada – zgjerimi i bashkëpunimit me kompanitë kineze është i vazhdueshëm.

Vuçiq ka forcuar lidhjet me Pekinin përmes bashkëpunimit në infrastrukturë, turizëm dhe projekte tekonologjike, të cilat kanë dërguar më shumë se 10 miliardë dollarë si investime të huaja në Serbi prej vitit 2005.

Serbia është pjesë e Iniciativës Brezi dhe Rruga, dhe një nga vendet më të zëshme për lidhje më të forta të Pekinit me Evropën Qendrore dhe atë Lindore.

 

Huawei është kompani gjigante e teknologjisë në botë.

Ndonëse sanksionet amerikane dhe fushata diplomatike kanë zvogëluar prezencën në tregje, kjo kompani kineze është ende ofruesja më e madhe në botë e pajisjeve të telekomunikimit dhe lidere në gjeneratën e pestë të komunikimeve (5G).

Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera pretendojnë se Huawei kërcënon sigurinë e tyre kombëtare, duke thënë se kompania është në pronësi të Qeverisë kineze dhe mund të përdoret për spiunim.

Huawei në anën tjetër ka hedhur poshtë këto akuza.

Në Serbi, telefonat mobilë të kompanisë Huawei janë lehtësisht të qasshëm dhe kompania është e përfshirë në zhvillim të rrjetit 5G dhe sisteme të vëzhgimit, si pjesë e iniciativës kineze për “qytet të mençur”.

Në përgjigje të pyetjeve nga Radio Evropa e Lirë, në një deklaratë të Huaweit është thënë se kompania “ka respektuar gjithmonë ligjet ndërkombëtare dhe ato lokale, si dhe etikën biznesore të shteteve ku vepron”.

 

Në të është thënë edhe se “të gjithë punëtorët në kompani duhet të veprojnë në përputhje me ligjet lokale dhe rregulloret”.

Kur është pyetur për Jecëll dhe kontratat me Huawein, të lidhura me subjekte jashtë shtetit, kompania kineze ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka informacione të tilla në arkiva”.

Vendndodhja e Jecëll nuk dihet. Përpjekjet e vazhdueshme të OCCRP për të dhënë ai ndonjë koment, nuk ka qenë të sukseshme.

Të dhënat tregojnë se ai nuk ka më ndonjë adresë në Serbi dhe kompania e tij, e regjistruar në Ishujt Virgjinë të Britanisë, tashmë është mbyllur.

Edhe përpjekjet e Radios Evropa e Lirë për ta kontaktuar Jecëll, kanë qenë të pasuksesshme.

 

Pekini, Beogradi dhe pyetjet pa përgjigje

Pagesat e bëra publike nga OCCRP dhe KRIK flasin edhe për rritjet globale të Huaweit dhe tentimet për përfshirje në tregun evropian.

Sipas dokumenteve, një kompani e themeluar jashtë shtetit, ishte supozuar se do të funksiononte në emër të kompanisë kineze në Serbi dhe Mal të Zi.

Roli i Jecëllit ka qenë si lobist për të rritur lidhjet me bizneset dhe elitën politike me qëllim të krijimit të “marrëdhënieve të mira me operatorë të telekomunikimeve në Serbi dhe Mal të Zi, por edhe me përfaqësues qeveritarë”.

Përveç kësaj, Huawei ishte planifikuar që të pranonte ndihmë për të siguruar lejet për punë në Serbi, si dhe për të përmbushur “obligimet nga kontratat që Huawei dhe operatorët e telekomunikimeve do të duhej të nënshkruanin”.

“Është e rëndësishme që gjithçka është zhvilluar me kompani të krijuara jashtë shtetit”, ka thënë Radojeviq.

 

“Nëse keni punë për konsultime në Serbi, ku është problemi që të bëni biznes nga Serbia? Pse duhet të fshiheni në Ishujt Virgjinë të Britanisë apo në Panama? Për Huawein dhe njerëz për të cilët kemi raportuar, pyetja tjetër është nëse ka pasur ndonjë konsultim për të cilin është arritur pajtueshmëri”.

Ndonëse kontrata e fundit daton nga viti 2014, Jecëll ka vazhduar të lëshojë fatura nga kompania jashtë shtetit deri më 2016.

Radojeviq ka thënë se kjo gjë lidhet me rritjen e Huaweit në Serbi, përkatësisht me nënshkrim të kontratës për zhvillim të internetit televiziv për Telekom Srbija më 2014 dhe një marrëveshje më të madhe për të përmirësuar infrastrukturën e telekomit më 2016.

“Faturat e fundit janë nga 2016, dhe prandaj e kemi lidhur zgjerimin e madh të Huaweit në Serbi nga viti 2014 deri më 2016, kur ata kanë nënshkruar marrëveshje të mëdha”, ka thënë Radojeviq.

“I përket kompanisë Telekom Srbija, por edhe Zyrës së Prokurorit në Serbi që të hetojnë se çfarë ka ndodhur dhe kush është mbrapa këtyre marrëveshjeve”.

Përgatiti: Krenare Cubolli-REL
Komuna e Bujanocit promovon punimet në Liqenin e Bujanocit (foto)
Escobar: Ballkanit i duhet pajtim etnik dhe jo politika nacionaliste
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration