Si po bëhet vaksinimi i serbëve të Kosovës në Serbi (video)
Autoritetet në Kosovë thonë se po presin që brenda këtij muaji të marrin vaksinat e para kundër COVID-it nga programi COVAX. Kosova vazhdon të mbetet një nga vendet e pakta që nuk filluar vaksinimin, por ndryshe është gjendja në komunat me shumicë serbe, ku një numër i madh i tyre tashmë po kryejnë vaksinimin në Serbi.
Vladimir Petkoviç, është bashkërendues për vaksinim në komunën e Graçanicës, në një institucion shëndetësor të mbështetur nga Beogradi.
“Nga pjesa qendrore e Kosovës deri më tash kemi vaksinuar në qendrën e vaksinimit në shtëpinë e shëndetit në Kurshumli me dozën e parë afër 3 mijë qytetarë ndërsa dozën e dytë tashmë e kanë marr rreth 2 mijë persona dhe po vazhdojmë më tutje me procedurat e rregullta, njerëzit rregullisht lajmërohen që të marrin dozën e parë”, tha Vladimir Petkoviç.
Ai thotë se secili qytetar ka mundësinë që të zgjedh llojin e vaksinës.
“Çdo përdorues ka të drejtë të zgjedhë vaksinën, kryesisht në Kurshumli përdoruesit tanë marrin vaksinën kineze, por ka edhe nga ata që marrin vaksinën ruse Sputnik V, të Pfizer dhe Astrazeneca”, tha ai.
Goran Slavkoviç nga Graçanica tha para nisjes se po shkon në Kurshumli për dozën e dytë të vaksinës.
“Tash pas 21 ditësh, do ta marr dozën e dytë të vaksinës, shpresoj që çdo gjë do të jetë mirë. Vaksina është kineze dhe shpresoj që të gjithë qytetarët do ta pranojnë vaksinimin sepse besoj që është në rregull dhe shpresoj që brenda një apo 2 muajsh që të gjithë qytetarët do të munden të shëtisin të lirë dhe përfundimisht t’i heqim këto maska”, tha ai.
Një qytetar i komunitetit goran që nuk deshi të identifikohej me emër thotë se për të me rëndësi është të vaksinohet, ndërsa kritikon institucionet e Prishtinës për mos krijimin e kushteve për vaksinim në Kosovë.
“Cila do vaksinë që të merret është e sigurt por njerëzit tanë këtu në Kosovë nuk kanë bërë asgjë për këtë popull këtu”, tha ai.
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë me gjithë interesimin e Zërit të Amerikës nuk dha hollësi për procesin por nëpërmjet një komunikate bëri të ditur se deri në fund javës së kaluar janë vaksinuar më shumë se 10 mijë e 500 qytetarë me dozën e parë dhe rreth 8 mijë me dozën e dytë.
Autoritetet e shëndetësisë në Kosovë nuk deshën të flasin për çështjen e vaksinimit të qytetarëve serb të Kosovës në Serbi, por ministri në detyrë i shëndetësisë, Armend Zemaj ditë më parë tha se ata po përballen me trysni për t’u vaksinuar.
“Jemi të vetëdijshëm gjithashtu edhe për presionin e qytetarëve të vendit tonë ku u bëhet për vaksinim edhe nga shtetet tjera sidomos qytetarëve serb, por ne e kemi bërë të qartë dhe e kemi theksuar dhe ka qenë dhe mbetet zotim i joni, nuk do të marrim vaksina nga shteti i Serbisë por as nga Rusia, pavarësisht presionit që bën ndaj Kosovës apo edhe vendeve të rajonit siç janë Maqedonia, Mali i Zi, Republika Srpska, Bosnja, etj”, tha ai.
Qytetarët serb thonë se janë të gatshëm që të vaksinohen edhe nga Prishtina zyrtare, nëse një gjë e tillë do të ishte e mundur.
“Gjithsesi, thjesht këto vaksina vijnë ose nga Kina ose nga Rusia ose nga Amerika, të gjitha të njëjta janë, cilado vaksinë që është në pyetje ajo vjen nga jashtë dhe nuk ka rëndësi ku jepet në Prishtinë, Kurshumli apo Vranje, për mua është e njëjta gjë”,tha zoti Slavkoviç.
“Nëse do të jepeshin nga Prishtina nuk do të kishim nevojë të shkonim larg por pasi nuk ka këtu, duhet të shkojmë atje”, thotë Vlagisha Gjeriç, e cila po niset në Kurshumli për t’u vaksinuar.
Udhëheqësi i procesit të vaksinimit, Vladimir Petkoviç thotë se pjesëtarë të të gjitha etnive janë paraqitur për vaksinim.
“Numër i madh i romëve, ashkalinjëve, turqve, goranëve dhe shqiptarëve i kemi vaksinuar dhe ende paraqiten. Dhe absolutisht të gjithë ata që janë qytetarë të Republikës së Serbisë dhe kanë dokumente të domosdoshme kanë të drejtë absolute që të vaksinohen”, thotë ai.
Në fund të vitit të kaluar, qeveria e Serbisë kishte filluar vaksinimin e qytetarëve serb në veri të Kosovës, gjë që kishte ngjallur reagime të shumta të autoriteteve dhe partive politike. Aktualisht, autoritetet serbe thonë se kanë hapur tre qendra në qytete afër Kosovës për vaksinimin e qytetarëve serb.
Kosova ende nuk ka siguruar vaksinën, ndërsa autoritetet thonë se gjatë këtij muaji pritet të mbërrijnë dozat e para përmes programit COVAX, që ka premtuar pak më shumë se 100 mijë doza për Kosovën, ndërsa të tjerat duhet t’i blejë vet.