Shqiptarët votuan Brnabiç
Ana Brnabiç është edhe kryeministrja e shqiptarëve të Serbisë, pasi ka marrë votën e përfaqësuesit të tyre për të qenë kryeministre e re.Mbështetjen me një votë ia ka dhënë edhe deputeti i vetëm shqiptar, Fatmir Hasani, nga Lugina e Preshevës. Ai thotë se, pas një takimi me Vuçiç, u ka premtuar ndryshime dhe qasja e Beogradit ndaj shqiptarëve ka lëvizur në drejtim të mirë.
“Mendojmë se kësaj here do të fillojnë të realizohen kërkesat tona, meqenëse kemi qenë shumë vite në opozitë. Shpresojmë të vjelim të gjitha ato që na takojnë”, tha Hasani.
Deputeti shqiptar thotë se shpreson që Brnabiç dhe Vuçiç të shohin mundësinë për përmirësimin e jetës në qytetet ku ata jetojnë. Andaj, shqiptarët tashmë janë pjesë e maxhorancës në Kuvend.
“Sa më shpejt që Serbia të plotësojë të drejtat e pakicave, aq më mirë është, pasi po ndjek rrugën drejt Bashkimit Europian”, shtoi Hasani.
Shqiptarët presin që dialogu mes tyre dhe qeverisë të vazhdojë, në mënyrë që përfshirja e tyre në institucione dhe vendet e punës të mos mungojë.