Shqiptarët e Luginës keq në Serbi, pa përkrahje në Kosovë
Koordinatorja e Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njëherit kryetarja e Lëvizjes Qytetare VATRA, znj. Gentiana Shabani, ka takuar Avokatin e Popullit të Republikës së Kosovës (Ombudspersonin), z. Hilmi Jashari.Ajo e informoi në detaje avokatin e popullit të Republikës së Kosovës z. Hilmi Jashari për padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve të Kosovës Lindore nga pushteti serb, sidomos rreth çështjes së dokumentacioneve.
Një numër i madh i këtyre qytetarëve tanimë janë fshirë nga listat e gjendjes civile në Republikën e Serbisë dhe në vazhdimësi po u mohohet edhe marrja e dokumenteve identifikuese atje. Ata u dakorduan se sjellja e tillë nga pushteti serb është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe drejtori i hetimeve në Zyrën e Avokatit të Popullit, z. Tafil Rrahmani.
Koordinatorja shprehu brengën që këta qytetarë po diskriminohen edhe nga shteti amë , Republika e Kosovës, me vetë faktin që tani e 17 vjet nuk po arrijnë të pajisen me dokumentacion identifikimi të Republikës së Kosovës.
Avokati i Popullit z. Hilmi Jashari shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Zyrën për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë me qëllim që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje për këta qytetarë./Titulli.com/