Lokale
Shqiptarët e Luginës (nuk) e duan pasaportën e Shqipërisë!
Derisa shqiptarët e Kosovës kërkojnë të drejtën e fitimit të pasaportës së Shqipërisë, shqiptarët e Luginës edhe pse e kanë mundësinë të pajisen me dyshtetësi, janë pak të interesuar për ta fituar pasaportën e shtetit amë.
Që nga 3 korriku i vitit të kaluar kur Qeveria e Shqipërisë morri vendimin që u mundëson shqiptarëve nëpër botë, me përjashtim të Kosovës, marrjen e shtetësisë, interesim shumë i zbehtë është treguar nga shqiptarët e Luginës për të fituar pasaportën shqiptare.
Ambasada e Shqipërisë në Beograd, adresë kjo për luginasit për dorëzim të aplikacionit për shtetësi, i ka thënë sot portalit Titulli.com se deri më tani vetëm 5 qytetarë kanë bërë kërkesë për pasaportën me shqiponjën dykrenore.
Xhelal Fejza i angazhuar me punë konsullore në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd, konfirmoi numrin e banorëve shqiptar të Luginës që kanë aplikuar pranë kësaj ambasade, duke thënë se palët që kanë aplikuar janë ende në procedurë.
“Deri më tani kanë aplikuar 5 veta”, i tha përmes linjës telefonike gazetarit të Titullit, Xhelal Fejza, duke shpjeguar edhe procedurat deri në pajisje me shtetësi.
“Pas aplikimit për shtetësi në Ambasadë procedura duhet të vazhdojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, asaj të Punëve të Brendshme Shqiptare, ndërsa të drejtën e dhënies së shtetësisë e ka Presidenti i shtetit”, u shpreh Fejza.
Mirëpo, edhe përskaj procedurës që duhet ndjekur, fakti për një numër kaq të vogël të interesuarish, të habit, ngase vet qytetarët ishin ata që kërkonin dyshtetësinë, të cilën, tani me këtë numër kërkesash sikur nuk e duan.
Më 4 dhjetor të vitit 2012 ishin vetë shqiptarët e Luginës që nënshkruan një listë me kërkesa që ia drejtuan qeverisë së atëhershme të Sali Berishës për dyshtetësi.
“100 vjet shtet, 100 vjet harresë” ishte quajtur aksioni i aktivistëve të Këshillit për të Drejtat e Njeriut i realizuar në Preshevë e Bujanoc, ku ndër kërkesat kryesore që iu përcollën Qeverisë Shqiptare ishte kërkesa për dyshtetësi./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!