Lokale
100 studentë nga Lugina vizitojnë Turqinë (foto)
Nën organizimin e Shoqatës Kulturore “Dituria” nga Presheva u realizua me sukses një ekskursion 5 ditorë në Republikën e Turqisë.
Që nga dita e martë (25 shkurt) deri të shtunën më 1 mars, një grup prej 100 personave nga Lugina e Preshevës vizituan Republikën e Turqisë, kryesisht qytetin e Stambollit, Eskishehirit dhe Bursës.
Ky grup përbëhej prej 70 studentëve nga Lugina të cilët studiojnë në Universitetet e Prishtinës, Tiranës dhe Shkupit si dhe 30 maturant të shkollave të mesme nga Presheva dhe Bujanoci. Grupi ishte i ndarë në proporcion 50 djem dhe 50 vajza.
Siç njofton SHK “Dituria” ky projekt u realizua në bashkëpunim me Guvernatorin e qytetit të Eskishehirit nën moton: “Ta njohim Turqinë”.
“Rreth 100 pjesëmarrës patën rastin për t'u njohur më përafërt me kulturën, traditën dhe historinë e popullit turk. Ishte një befasi e mirë, se si janë ruajtur bukuritë natyrore dhe kulturore të këtyre qyteteve. Stambolli qytet me një gërshetim të fuqishëm në mes modernes dhe tradicionales, pastaj besnikëria ndaj tipit të jetës tradicionale në Bursa, dhe monumentet e lashta historike në qytetin e Eskishehirit”, shkruan në njoftim Shoqata Kulturore “Dituria”.
Sipas organizatorëve, nxënësit dhe studentët patën rastin të interesohen më tepër për nivelin dhe kushtet e studimit në Turqi, si dhe përparësit që ofrojnë studimet në këtë vend, në rast se dëshirojnë t'i vazhdojnë studimet universitare dhe pas universitare.
“Urojmë që edhe në të ardhmen projektet e tilla kulturore të realizohen me të rinjtë tanë, në mënyrë që t'u ofrohen mundësi reale për t'u njohur me tradita dhe kultura të popujve dhe shoqërive të ndryshme”, thuhet në fund të njoftimit të SHK “Dituria”./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!