Shqiptarë e serbë, diskutojnë për shtetin dhe pozitën e shqiptarëve në Luginë (foto)
Tribuna e mbajtur sot në sallën e vogël të shtëpisë së kulturës në Bujanoc ka mbledhur përfaqësuesit më të rëndësishëm shqiptarë dhe serb të Luginë të diskutojnë në temën “Shteti dhe pozita e shqiptarëve në jug të Serbisë”.
Panelistë në tribunë ishin deputeti Shaip Kamberi, zëvendësi i avokatit të popullit Robert Sepi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri dhe kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit Jonuz Musliu.
Duke hapur këtë takim, Musliu radhiti problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët edhe pse në vitin 2001 është nënshkruar marrëveshja për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.
“Në këtë pjesë ka pas luftë, bisedime dhe marrëveshje mes palëve për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve, mirëpo qeveria deri më sot nuk i ka zgjidhë problemet”, tha Jonuz Musliu i cili i bëri ftesë edhe serbëve që jetojnë në këtë komunë të angazhohen për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.
“Nuk keni mund të sillni askënd nga Beogradi për të dhënë sqarime zyrtare”, tha Robert Sepi, zëvendësi i mbrojtësit të drejtave të qytetarëve nga pakicat kombëtare.
Ai këto komente i bëri pasi organizatorët e tribunës njoftuan se, edhe pse kishin ftuar përfaqësues nga Beogradi ata, “për shkak të obligimeve”, nuk kishin mundur të jenë prezent në tribunë.
Përndryshe, Sepi theksoi se, përveç Beogradit, i vetmi vend ku avokati i popullit ka zyre, është ajo në Bujanoc.
“Që pesë vite kemi hapë zyrën e cila është e vetmja jashtë Beogradit. Në adresën tonë nga ky rajon paraqiten rreth 25 ankesa në muaj nga palët që e arsyetohen hapjen e zyrës”, u shpreh Sepi, raporton Titulli.
Deputeti popullor Shaip Kamberi tha se nuk ka vullnet politik për realizim të problemeve, duke vënë në pikëpyetje respektimin e ligjeve vendore e ndërkombëtare për të drejtat e pakicave.
“Sa është arritur qëllimi i marrëveshjes së Konçulit të vitit 2001, i njohur edhe si plani i Coviqit? Në territorin e komunës së Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, numri i të punësuarve në organe dhe institucione shtetërore është 1.596, prej të cilëve 387 shqiptarë, 17 romë dhe 1.188 serbë, që është shumë shumë larg nën të drejtat e garantuara”, tha Kamberi, duke nënvizuar se struktura e popullsisë duhet të korrespondojë me atë të punësimit.
Nga ana tjetër kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarë ndaloi tek problemet që i kanë shqiptarët me tektet mësimore duke theksuar rëndësinë e dhënies së prioritetit për librat në gjuhën shqipe.
Ai nënvizoi edhe mosrespektimin e dygjuhësisë në institucionet lokale e shtetërore. “Deri më sot kemi pas probleme në organet e vetëqeverisjes lokale që nuk përfillin sa duhet të drejtën në shkrim dhe të folur, mbrapa mbeten edhe policia e gjyqësori”, tha ndër të tjera Beqiri.
Përndryshe, në këtë organizim prezantuan edhe përfaqësues të institucioneve nga radhët e bashkësisë serbe, përfshirë këtu edhe deputetin serb në Parlamentin e Serbisë i cili vjen nga Bujanoci, Nenad Mitroviq.
Tribuna e cila të martën u mbajt në Bujanoc u organizua nga OK Radio në kuadër të projektit “Sundimi i ligjit-të jetojmë si gjithë bota normale”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian./Titulli.com/