Krijimtari Sadullahu pritet nga Beqiri, dhuratë libri me vlerë historike e shkencore
Në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc është pritur shkrimtari dhe veterani i arsimit Nexhat Sadullahu, me veprën e tij të fundit “Gjenealogjia e Gashëve”.
Kryetari i KKSH-së Galip Beqiri ka pritur sot shkrimtarin dhe krijimtarin e shumë veprave, Nexhat Sadullahun nga fshati Turi i komunës së Bujanoc, i cili jeton dhe vepron në Fushë Kosovë.
Në këtë vizitë vëllazërore, përveç diskutimeve rreth situatës së shqiptarëve në këtë rajon, zgjoi interes edhe dhurata që aktivisti nga Lugina i kishte sjellë kryetarit Beqiri.
“Gjenealogjia e Gashëve” është libri kushtuar fisit Gash që jetojnë në vendbanimet Tërnoc, Turi e Samolicë, për të cilin është punuar mbi 18 muaj, përderisa janë konsultuar edhe dyzet libra të tjera, para se vepra e Nexhat Sadullahut të shohë dritën.
“Është një libër që kam pasur një kureshtje të shkruaj për prejardhjen e Gashëve, sidomos prejardhjen time pasi i përkas fisit Gash. Mka shti një hartë në të cilën kanë qenë disa emra gjenetikisht të përcjellura në disa gjenerata, pasandej unë ato gjenerata kam dasht t’i zgjeroj deri në fund, me gjeneratën e parë, të njerëzve të parë që i kam hasë, i kam gjetë në arkiva të ndryshme edhe private në Turqi, që ma vonë e kam zgjeruar dhe ka dalë një libër i preferuar”, shpjegon për portalin informativ Titulli.com autori Sadullahu.
Ai thekson se ende nuk është bërë promovimi i librit. Konsultimet që ka pasur me recensentin e librit Prof. Dr. Jusuf Osman e kanë nxitur ta botojë këtë vepër me vlerë historike.
Ndërsa rreth takimit të sotëm me kryetarin e KKSH Galip Beqirin, shkrimtari tha se ishte një bisedë shumë e frytshme.
“Unë e çmojë kryetarin Galipin, është një punëtor i madh edhe desha ta vizitojë, të konsultohem me rrjedhat e Këshillit Kombëtar Shqiptar, pasi jam i lindur këtu dhe një pjesë të jetës e kam kaluar në këtë vend. Dëshirojë të dijë për bashkëvendësit se si po jetojnë në këtë rajon”, tha Sadullahu.
Kush është Nexhat Sadullahu?
Nexhat Sadullahu lindi në vitin 1948 në fshatin Turi të komunës së Bujanocit, shkollën fillore e kreu në Tërnoc, kurse shkollën normale dhe pedagogjike në Prizren.
Nga viti 1974 deri në vitin 1987 punoi si mësues në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc kur edhe u përjashtua nga puna prej sistemit të atëhershëm irredentist.
Për shkaqe familjare në vitin 1997 shpërngulet në Fushë Kosovë dhe punësohet në shkollën fillore “Selman Riza”.
Pas luftës në vitin 1999, themeloi grupin letrar “Naim Frashëri” dhe muzeun e Fushë Kosovës./Titulli.com/